Lajme

Dramë ‘speciale’ në Hagë: Prokuroria insiston se Salih Mustafa mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm

Autori: Gazeta inFokus 22:18 | 12 September 2022

Deri me burgim të përjetshëm, Prokuroria e Specializuar në Hagë, po pretendon se mund të dënohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa. Në një parashtresë të deponuar në adresën e trupit gjykues, Prokuroria ka vlerësuar se ndaj ‘Calit’ mund të shqiptohet një nga dënimet më të rënda. Kjo përgjigje erdhi në disa pyetje të trupit gjykues, në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit, nëse ka dënim për Salih Mustafën.

Si parim në drejtësi ekziston që për të akuzuarin merret parasysh ligji më i favorshëm. Në rastet e krimeve të luftës në Kosovë, asnjë dënim për krime të luftës nuk ka kaluar dënimin prej 20 vjetësh. Kjo pasi, dënimi më i lartë në Kodin Penal që ka qenë në fuqi kur kryhej vepra penale, ishte 20 vjet. E në rastet e krimeve të luftës, ishte në fuqi Kodi Penal i Ish-Jugosllavisë.

Por, ky aspekt ligjor nuk po i bën përshtypje Prokurorisë së Specializuar në Hagë, në rastin e Salih Mustafës. Në një parashtresë që e kanë dorëzuar te trupi gjykues, Prokuroria thotë se dispozita ligjore më e favorshme për të akuzuarin mund të merret parasysh, por nuk është obligative për trupin gjykues.

-Advertisement-

Në këtë parashtrim thuhet se Salih Mustafa mund të dënohet me dënim mbi 20 vjet, deri në burgim të përjetshëm, raporton gazeta Nacionale.

“Si përfundim, për sa i përket diapazonit të zbatueshëm të dënimit, Kolegji i Gjykatës Speciale mund të shqiptojë dënim me burgim deri në një afat maksimal të përjetshëm”, thuhet në parashtresë.

Por, si e ka argumentuar Prokuroria këtë qëndrim?

Në drejtësi ekziston parimi që ligji që është më i favorshëm për të akuzuarin merret parasysh. Sipas Kodit Penal të ish-Jugosllavisë, dënimi për krime lufte shkon maksimum deri në 20 vjet. Në këtë rast, ky vlerësohet të jetë më i favorshëm për të gjithë të akuzuarit për krime lufte në Kosovë.

Megjithatë, Prokuroria e Specializuar po vlerëson se ky është opsional. Pra, trupi gjykues sipas tyre, nuk ka nevojë ta marrë parasysh këtë dispozitë, pasi nuk është obligative.

“Një i akuzuar mund të përfitojë nga një dënim më i butë vetëm nëse ligji përkatës është i detyrueshëm, pasi ata kanë një pozitë ligjore të mbrojtur vetëm kur ndaj tyre duhet të zbatohet diapazoni i dënimit. Ligji parasheh dënime deri në burgim të përjetshëm për krimet e luftës dhe nuk ka një gamë më të butë dënimi të parashikuar në të drejtën zakonore ndërkombëtare ose, në të vërtetë, ligjin përkatës të Kosovës, edhe nëse do të ishte i zbatueshëm. Në këtë aspekt, krimet e luftës – si ato në këtë rast – janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe prej kohësh janë pranuar nga komuniteti ndërkombëtar se krime të tilla dënohen me dënimet më të rënda, duke përfshirë dënimet deri në burgim të përjetshëm”, thuhet në parashtrim.

“Gjuha e thjeshtë e Ligjit tregon se Paneli nuk është i detyruar sipas nenit 44(2)(b) të aplikojë “çdo gamë dënimi më të butë për krimin e parashikuar në Ligjin e Kosovës”, por duhet vetëm “të marrë parasysh” çdo diapason të tillë të dënimit. Shkronja e ligjit është e qartë: “të marrësh parasysh” do të thotë “të marrësh parasysh” diapazonin e dënimit” thuhet në parashtrim, duke theksuar se trupi gjykues nuk është i obliguar ta zbatojë këtë dispozitë.

“Nëse ligjvënësi do të kishte synuar të vendoste një kërkesë të detyrueshme, një detyrim për Trupin Gjykues për të zbatuar këta faktorë, gjuha e ligjit do të kishte qenë e ndryshme dhe do të kishte përdorur terma të tillë si “duhet të zbatohet” ose “do të aplikoni”. 12. Neni 44(2) është i ngjashëm me Rregullin 101(B) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (‘ICTY’) në parashkrimin e rekursit ndaj një numri faktorësh në denim”, thekson parashtrimi më tutje.

Prokuroria i ka bërë thirrje trupit gjykues ta marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare zakonore.

“Neni 44(2) i referohet vetëm ligjit të Kosovës si një konsideratë relevante, por jo detyruese; nuk ka asnjë obligim për Panelin që t’i referohet apo të marrë në konsideratë ndonjë legjislacion tjetër.17 Në fakt, për rastin konkret të paraqitur nga Paneli ku një krim parashihet vetëm sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore dhe jo sipas ligjit të Kosovës, e drejta ndërkombëtare zakonore është vetëm trupi përkatës i ligjit – gjithashtu në dritën e nenit 3 dhe nenit 12 të ligjit.18 Kështu, Paneli duhet të shqyrtojë vetëm nëse e drejta ndërkombëtare zakonore, si i vetmi burim i mundshëm i mëvonshëm i zbatueshëm i ligjit”, thekson parashtrimi, raporton gazeta Nacionale.

Në Kosovë, të gjithë të akuzuarit për krime lufte janë dënuar me më së shumti 20 vite. Kjo pasi gjykatat vendore kanë marrë parasysh ligjin më të favorshëm që ka qenë në fuqi, e i cili ishte Ligji i Ish-Jugosllavisë që parashihte dënim deri n 20 vjet.

Por, duket se Prokuroria në Hagë po insiston për më shumë. Megjithatë, vendimi për dënim ose jo, dhe për kohëzgjatjen e tij, i takon tërësisht trupit gjykues.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, kohë më parë kishte sqaruar gjithë këtë situatë.

“Në vitin 1999 përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në atë kohë kur ka pasur kompetenca legjislative kishte miratuar një rregullore përmes të cilës ishte shfuqizuar dënimin me burgim të përjetshëm dhe dënimi me vdekje që kanë qenë në fuqi në kohën kur janë kryer veprat penale në vitin 1999 dhe me shfuqizimin e këtyre dënimeve atëherë dënimi maksimal që mund të jepet në këtë rast për vepra penale të krimeve të luftës është 20 vite. Gjykatat nuk mund të shqiptojnë dënim më të lartë sesa ajo që përcakton ligji i aplikueshëm dhe ligji i aplikueshëm flas për veprat penale të vitit 99’ është që për veprën për të cilën është akuzuar nuk mund të jepet dënim më i madh se 20 vite….Në kohën kur janë kryer veprat penalet të krimeve të luftës në Kosovë ligj i aplikueshëm ka qenë Kodi Penal i ish-Jugosllavisë…Është parim në drejtësi që ligji më i favorshëm zbatohet ndaj të pandehurit, respektivisht momentin kur UNMIK kur ka shfuqizuar dënimin dhe vdekje dhe burgim të përjetshëm për çdo vepër penale që është kryer para vitit 2000 vlen vetëm vitet paraprake të asaj kohe që kanë qenë në fuqi. Çdo ligj tjetër që është më i ashpër dhe i cili shkon në disfavor të të pandehurit sigurisht që gjykatat por edhe avokatit dhe të pandehurit kanë të drejtën dhe privilegjin të shfrytëzojnë dhe të zbatohet ligji që është më i favorshëm për ta në kohën kur është kryer vepra penale”, theksonte Miftaraj.

Fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj Sali Mustafës do të thuhen që nga nesër deri në fund të javës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera