Lajme

“Draft-statuti i Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese” – deklaratat e presidentes dhe takimi me ambasadorin Hovenier

Autori: Gazeta inFokus 07:50 | 03 November 2023

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sërish është kthyer në vëmendje pas takimit të fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

E të enjten presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Referuar njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

-Advertisement-

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Osmani gjithashtu theksoi se propozimi për draft-statutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

E lidhur me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ditë më parë është deklaruar edhe ambasadori Hovenier.

Ai ka thënë se statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin ekzistues të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me letrën e Mogherinit, që thotë se nuk ka kompetenca ekzekutive.Duke komentuar shqetësimet e partive dhe figurave politike në Kosovë, Hovenier ka deklaruar se vetë e ka thënë zyrtarisht shumë herë se “çka nuk duam është një entitet tjetër i ngjashëm me Republikën Srpska në Kosovë”.

“Ne besojmë se ky draft-statut e shmang një gjë të tillë. Ne besojmë se përputhet me Kushtetutën e Kosovës. Ua mundëson komunave me shumicë serbe në Kosovë që të punojnë së bashku për të ushtruar përgjegjësitë dhe autoritetin që kanë, por në një mënyrë që respekton Kushtetutën e tashme të Kosovës. Pra, kjo është përgjigja ime për ata që e shprehin këtë shqetësim. Pajtohemi se ky është shqetësim, por besojmë se këto shqetësime janë trajtuar në këtë draft-statut”, tha ambasadori Hovenier.

E lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se është shokuese se si kjo Qeveri, ka pranuar që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të rihapë negociatat për Asociacionin në marrëveshjen e Ohrit.

Në një prononcim për Telegrafin, Haradinaj-Stublla ka thënë se rihapja e negociatave për Asociacionin, rrezikon edhe kthimin e 23 pikave që i kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese.

“Ajo çfarë mund të them është se për mua personalisht ka qenë shokuese sesi kjo qeveri ka pranuar që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (e cila hodhi poshtë substancën e një asociacioni një etnik, me tendencë për kompetenca të ndërmjetme mes pushteteve ekzistuese në Kosovë) të rihapë për negocim në marrëveshjen e Ohrit çështjen e Asociacionit duke rrezikuar rikthimin e serishëm të atyre 23 pikave që i hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015. Dhe jo vetëm kaq, u zgjerua në koncepte të reja të të ashtuquajturit ‘vetëmenaxhim’ – i cili ka domethënie të ndryshme në shqip, anglisht, e serbisht dhe rrjedhimisht do të mund të “keqpërdoret” përgjatë zbatimit në të ardhmen”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Ish-diplomatja ka shtuar më tej se dialogu nuk do të duhej të vazhdonte kinse nuk ka ndryshuar asgjë pas sulmit që ndodhi në Banjskë, shkruan Telegrafi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera