Lajme

Dosja e shtatë të arrestuarve, avokati Berisha dyshohet se mori 11 mijë euro nga klienti që s’mund ta mbronte ligjërisht

Autori: Gazeta inFokus 11:48 | 16 July 2023

Prokuroria Themelore në Ferizaj, të premten, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu. Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi” të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore kanë kundërshtuar masën e propozuar, me përjashtim të avokatit Besnik Berisha, i cili ishte shtrirë në spital shkaku i problemeve shëndetësore.

“Betimi për Drejtësi” sjell detaje se për çka dyshohen shtatë të pandehurit dhe pretendimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, e cila kishte marrë aksion të enjten duke i arrestuar të dyshuarit derisa të premten ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre.

-Advertisement-

Në seancë dëgjimore, prokurori Rasim Maloku, tha se mbetet pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit se të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat janë theksuar në kërkesë.

Ai kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe se kjo do të vërtetohet nga provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës.

Në këtë seancë, mbrojtësja e Adonis Salihut, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare Hysnije Gashi ka kërkuar masë më të butë se paraburgimi ndaj klientit të saj. E ka arsyetuar kërkesën e saj me faktin se Salihu kujdeset për nënën dhe vëllain e tij 2-vjeçar.

Edhe i dyshuari Refik Canolli, përmes mbrojtësit Florim Shefqeti ka kundërshtuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, duke kërkuar një masë më të butë në këtë fazë të procedurës penale.

Edhe mbrojtësi i Fadan Zubakut, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare Nusret Islami, ka kërkuar një masë më të butë për klientin e tij. Ka kërkuar masë alternative për Zubakun në mënyrë që të sigurohet prezenca në procedurën e mëvonshme penale.

Mbrojta e të dyshuarit Jeton Vuniqi, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka kërkuar t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak për klientin e saj. Avokatja ka arsyetuar se Vuniqi jeton me prindërit e tij dhe mund të ofrojë edhe dorëzani për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak.

Edhe mbrojtësi i të dyshuarit Ismet Salihu, avokati Fitim Shabani ka kërkuar për klientin e tij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Në arsyetimin e tij, avokati Shabani ka thënë se klienti i tij ka probleme shëndetësore prandaj po kërkojnë masë më të butë se sa atë të paraburgimit.

Edhe ndaj të dyshuarit Nexhat Xhafa është kërkuar masa e arrestit shtëpiak. Avokati i Xhafës, Skender Musa ka thënë se klienti i tij është familjar dhe i propozon gjykatës që të vendosë masë më të butë se sa paraburgimi.

Dyshimet e Prokurorisë se Besnik Berisha pranoi 11 mijë euro nga klienti që s’mund ta mbronte

Avokati Besnik Berisha po dyshohet se ka marrë 11 mijë euro për të organizuar mbrojtjen e të dyshuarve për fajde dhe ikje nga tatimi, Gëzim dhe Salih Sinanit të cilët ishin në paraburgim.

Sipas shkresave të Prokurorisë, avokati Berisha e kishte ditur se nuk mund të jetë mbrojtës i Gëzim e Salih Sinanit pasi ishte duke mbrojtur një klient tjetër në rastin “Brezovica”. Pavarësisht këtij fakti, sipas Prokurorisë, Berisha iu kishte kërkuar Gëzim dhe Salih Sinanit 20 mijë euro për t’i mbrojtur vetëm në fazën fillestare të hetimit.

Sipas prokurorisë, Berisha në vazhdimësi kishte penguar të pandehurit që të deklaroheshin në Prokurori, duke i paralajmëruar se do të dënoheshin me 5 deri në 6 vite burgim.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Berisha kishte kërkuar prej të pandehurve të mos deklaroheshin për të pandehurin Shefik Rexhepin, i cili dyshohet për fajde në bashkëveprim me Gëzim Sinanin.

Sipas Prokurorisë, Besnik Berisha kishte pranuar 11 mijë euro përmes vozitësit të tij jashtë zyrës ku punon si avokat. Prokuroria pretendon se kjo vërtetohet nga përmbajtja e sms-ve.

Sipas Prokurorisë, familjarët e Gëzim dhe Salih Sinanit kishin ndërprerë komunikimet me Besnik Berishën për faktin se ai nuk po iu ofronte mbrojtje ligjore.

“Familjarët e Gëzim dhe Salih Sinanit kishin ndërprerë komunikimet me të dhe kishin autorizuar mbrojtës tjerë”, thuhet në përshkrimin kërkesës për paraburgim që ka bërë prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Besnik Berisha gjatë muajve tetor-dhjetor 2022, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për vete që të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personave zyrtarë, duke kërkuar 20 mijë euro nga K.S, babai i të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët gjendeshin në masën e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, Berisha i kishte kërkuar 20 mijë euro me arsyetimin se do t’i mbrojë Gëzim e Salih Sinanin në procedurën e hetimore, edhe pse nuk ka pasur autorizim dhe nuk ka pasur të drejtë që t’i mbrojë, pasi që në të njëjtën çështje penale të njohur si rasti “Brezovica”, ka qenë duke e mbrojtur një të pandehur tjetër.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, më 22 dhjetor 2022, Berisha ka kërkuar edhe leje vizite nga gjyqtari i Procedurës Paraprake, për ta vizituar të pandehurin Gëzim Sinani në Qendrën e Paraburgimit, e cila kërkesë iu ka refuzuar, kështu që fillimisht i ka marrë 7 mijë euro, e pastaj edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve, duke i udhëzuar që të mos e pranojnë fajësinë se mund të dënohen me 5 deri në 6 vite burgim dhe të mos deklarohen për persona tjerë që mund të jenë të pandehur për shkak të veprës penale të “fajdesë”, me qëllim që të ushtrojë ndikim te personat zyrtarë – gjyqtarët që t’iu ndërpritet masa e paraburgimit, edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, thuhet se Berisha ekziston dyshimi i bazuar që gjatë muajit nëntor-dhjetor 2022, ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të pandehurit Shefik Rexhepi.

Sipas Prokurorisë, pas arrestimit të të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani për shkak të veprës penale të “fajdesë”, me rastin e mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore në Pejë, më 15 nëntor 2022 për konfirmimin e urdhrit ndalues për ngrirje të përkohshme të pasurisë, Besnik Berisha ka hyrë në sallën e gjykimit numër 1, ku ishin sjellë të pandehurit nga oficerët korrektues, para se të fillojë seanca, ku pa autorizim ka biseduar me të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të cilëve iu ka thëne “ju ka bërë të fala Shefiku”, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Prokurorisë, Berisha i kishte udhëzuar Gëzim e Salih Sinanin që të mos deklarohen për të pandehurin Shefik Rexhepi”, i cili në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, ishin të dyshuar se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” .

Sipas Prokurorisë, pas përfundimit të seancës, avokati Berisha është takuar para objektit të gjykatës me babain e të pandehurve K.S, kurse më 22 dhjetor 2022, ka kërkuar leje nga gjyqtari i Procedurës Paraprake për ta vizituar të pandehurin Gëzim Sinani edhe pse në të njëjtën çështje penale, të njohur si rasti “Brezovica” ka qenë duke e mbrojtur një të pandehur tjetër dhe e kanë ditur që nuk ka të drejtë ta vizitojë të pandehurin në të njëjtën çështje penale.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par.1 të Kodit Penal.

Më tej sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Berisha nga 21 shtatori 2022 në vazhdimësi deri në janar të vitit 2023, ka parandaluar personat në dhënien e informacioneve zyrtarëve policorë dhe Prokurorit, lidhur me kryerjen e veprës penale.

Sipas Prokurorisë, derisa të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani kanë qenë nën masën e paraburgimit, Besnik Berisha përmes familjarëve të tyre dhe mbrojtësve të autorizuar, ka kërkuar që të pandehurit të mos deklarohen para hetuesve policorë dhe prokurorit lidhur me veprën e tyre dhe lidhjet me të pandehurin Shefik Rexhepi, duke i kërcënuar se do të dënohen me nga 5-6 vite burgim.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Berisha nga babai i të pandehurve K.S ka kërkuar 20 mijë euro prej të cilave i ka marrë 11 mijë euro me premtim se do t’iu ndihmojë në procedurën hetimore edhe pse nuk ka qenë mbrojtës i autorizuar dhe nuk ka pasur të drejtë që të ndërmarrë veprime në të njëjtën çështje penale të njohur si rasti “Brezovica”, në të cilin ka qenë i autorizuar nga një i pandehur tjetër.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, par.1, nënpar.1.3 të Kodit Penal.

Prokuroria: Nexhat Xhafa iu ndihmoi të dyshuarve të arratiseshin

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit nga ana e Prokurorisë, i pandehuri Nexhat Xhafa ekziston dyshimi i bazuar se më 21 shkurt 2023, në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri, etj., ka ndihmuar të pandehurit në shmangien e arrestimit të tyre, për shkak të veprës penale “fajdeja”, duke i njoftuar të pandehurit Fatmir Gërbeshi, Tahir Gërbeshi, Ibrahim Gërbeshi, Dardan Rama, Rrahim Sopjani, Fitim Gërbeshi, Ilir Vërshevci dhe Kreshnik Dervishi, të cilët ishin duke u hetuar për shkak të veprave penale “fajdeja” dhe “shmangia nga tatimi”.

Xhafa, sipas Prokurorisë, ngarkohet se të dyshuarve iu kishte treguar se do të zbatohet kontroll nga Policia e Kosovës në shtëpitë dhe auto-sallonet e tyre, të cilat informacione i kishte pranuar nga persona tani të panjohur.

Andaj, thuhet se me rastin e zbatimit të urdhër-kontrollit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve, më 2 mars 2023, të pandehurit nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre, pasi ishin arratisur.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 21 shkurt 2023 në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri, etj, me qëllim të përfitimit pasuror, Xhafa ka nxitur të pandehurit që t’i fshehin regjistrat dhe pasuritë që do të jenë prova ose pasuri për sekuestrim në procedurën penale. Aty thuhet se pasi që ka njoftuar të pandehurit se do të zbatohet një urdhër kontroll nga Policia e Kosovës në shtëpitë dhe auto-sallonet e tyre, të pandehurit Fatmir Gërbeshi, Tahir Gërbeshi, Ibrahim Gërbeshi, Dardan Rama, Rrahim Sopjani, Fitim Vërshevci, Ilir Vërshevci dhe Kreshnik Dërvishi, kishin larguar nga shtëpitë e tyre regjistrat, paratë si dhe nga auto-sallonet, veturat dhe mjetet për vëzhgim, që të pamundësohet sekuestrimi i tyre dhe përdorimi si prova dhe dobi pasurore në procedurën penale.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.

Prokuroria: Ismet Salihu iu ofroi 40 mijë euro dëshmitarëve

Kurse, Ismet Salihu, ekziston dyshimi i bazuar se më 13 maj 2023 dhe 1 qershor 2023, në restorantin “Hib Petrol” i cili gjendet ne fshatin Bresje, Komuna e Fushë-Kosovës, e ka nxitur dëshmitarin për të dhënë dëshmi të rreme në procedurën penale, duke u takuar dhe ofruar para në shumën prej 40 mijë euro dëshmitarit – të dëmtuarit S.B, që të tërheqë deklaratën e dhënë para hetuesve të DHKR-së në Prishtinë, në çështjen penale e regjistruar si PPI.nr.200/22, në të cilën çështje është duke u hetuar edhe djali i tij -i pandehuri Besnik Salihu, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “fajdeja” dhe “shmangia nga tatimi”.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386, par.1, nënpar 1.7 të Kodit Penal.

Prokuroria: Oficeri Vuniqi ia mundësoi të paraburgosurit të përdorte telefonin
Sipas kërkesës ë prokurorit për t’ia vendosur masën e paraburgimit, i pandehuri Jeton Vuniqi dyshohet se nga fillimi i muajit prill 2023 e në vazhdim si oficer në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllimi të përftimit.

Sipas kërkesës së prokurorit, Vuniqi dyshohet se gjatë orarit të punës i ka mundësuar të pandehurit Egzon Salihut që ishte në paraburgim nën dyshimin për fajde e ikje prej tatimit, të përdorë telefonin e qendrës së paraburgimit për komunikim me të afërmit e tij në kundërshtim me rregulloren e Qendrës së Paraburgimit.

Ai ngarkohet se ia ka mundësuar Salihut të telefonojë disa herë brenda javës në mënyrë që të marrë informacione lidhur me zhvillimin e procedurës penale ndaj tij si dhe mënyrën e mbrojtjes për veprat penale për të cilat dyshohet.

Me këtë Vuniqi ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1 të KPRK-ës.

Prokuroria: Edhe oficeri Zubaku ia mundësoi të paraburgosurit të përdorte telefonin
Sikurse Vuniqi edhe Fidan Zubaku dyshohet për korrupsion pasi si oficer në Qendrën Korrektuese ia ka mundësuar të pandehurit Egzon Salihu të përdorë telefonin me të afërmit e tij.

Zubaku dyshohet se ia ka mundësuar Salihut të telefonojë disa herë brenda javës në mënyrë që të marrë informacione lidhur me zhvillimin e procedurës penale ndaj tij si dhe mënyrën e mbrojtjes për veprat penale për të cilat dyshohet.

Bazuar në telefonatat që i ka bërë me të afërmit e tij, sipas kërkesës së prokurorit, i dyshuari Salihu ka arritur të shes një veturë dhe të marrë 22 mijë euro para kesh në emër të shitjes së veturës

Me këtë Zubaku ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1 të KPRK-ës.

Prokuroria: Cakolli kërkoi 100 mijë euro për të ndikuar te personat zyrtarë

Sipas kërkesës së prokurorit për paraburgim, Refik Cakolli dyshohet se gjatë muajit tetor 2022 në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për personin tjetër, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

Sipas prokurorisë, Cakolli ka kërkuar nga familjarët e të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani 100 mijë euro që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e gjyqtarëve për t’i liruar nga paraburgimi Gëzim dhe Salih Sinanin.

Gëzim dhe Salih Sinani ishin në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan nën dyshimin për fajde dhe shmangie të tatimit. Gëzim Sinani ishte i dyshuar edhe për dhënie ryshfetit, ushtrim ndikimi dhe pengim të provuarit apo procedurës zyrtare edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar.

Cakolli dyshohet për ushtrim ndikimi nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria: Adonis Salihu dha 30 mijë euro për ushtrim ndikimi

Edhe Adonis Salihu, sipas kërkesës së prokurorit për paraburgim, dyshohet se gjatë muaj prill në Ferizaj në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit tjetër që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrje të personit zyrtare.

Sipas prokurorisë, Salihu i ka dhënë të pandehurit Shkumbin Hajdini 30 mijë euro që të ushtrojë ndikim të padrejtë ne vendimmarrjen e personave zyrtarë për të liruar nga paraburgimi të pandehurin Fadil Salihun, i cili gjenden në paraburgim për fajde e shmangie të tatimit dhe vepra tjera penale.

Me këtë, Adonis Salihu ngarkohet se ka kryer veprën penale të ushtr9mit të ndikimit nga neni 535 paragrafi 3 i KPRK-së.

Arsyetimi i Prokurorisë në kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit

Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka filluar hetimet kundër të pandehurve Nexhat Xhafa, Besnik Berisha, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli, Adonis Salihu , etj., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale siç përshkruhen në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Aty thuhet se dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale vërtetohet nga provat e siguruar deri në këtë fazë të procedurës dhe atë: Dyshimi i bazuar se të pandehurit do të kenë kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitivin e aktvendimit vërtetohet nga provat e siguruara me kallëzimin penal dhe atë dëshmitë e dëshmitarëve, dëshmitarit anonim, raportet për monitorimin e bisedave për të pandehurit, raportet për ekzaminimin e kamerave të sigurisë në Giykatën Themelore në Pejë, raportet e sigurisë në auto-sallonin e të pandehurve, raportet për ekzaminimin e kamerave të sigurisë në disa objekte afariste, si dhe provave tjera të siguruara me kallëzimin penal.

Aty thuhet se nga dëshmitë e siguruara në procedurën hetimore dhe atë dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, raportet për ekzaminimin për kamerat e sigurisë në objektin e të pandehurit Fatmir Gërbeshi, si dhe raportet e monitorimit të bisedave për të pandehurit në rastin e fajdeve vërtetohet se i pandehuri Nexhat Xhafa, ish-polic i Kosovës, kishte siguruar nga persona tani të panjohur informacione për zbatimin e urdhër-kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të disa të pandehurve, të cilët i kishte njoftuar, kështu që më 2 mars 2023, të pandehurit ishin arratisur dhe kishin larguar sendet – veturat që mund të ishin objekt sekuestrimi.

Sipas Prokurorisë, nga dëshmitë e dëshmitarëve K.S dhe B.S, vërtetohet se i pandehuri Besnik Berisha kishte marrë përsipër që të organizojë mbrojtjen e të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët ishin arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepren penale “Fajdeja”, nga neni 331, par. 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, kurse i pandehuri Gëzim Sinani edhe për veprat penale “Dhënia e ryshfetit në ndihmë” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par. 2 të KPRK-së dhe veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga nen 386, par.I, nënpar. I.5 të KPRK-së, e cila lëndë evidentohej si PPI.nr.58/22, e që ishite pjesë e rastit të njohur si “Brezovica”, në të cilën çështje i pandehuri Besnik ishte duke mbrojtur një të pandehur tjetër.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri edhe pse e kishte ditur që nuk mund të jetë mbrojtës i autorizuar i të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani, kishte kërkuar 20 mijë euro për t’i mbrojtur vetëm në fazën fillestare të hetimit, prej të cilëve kishte marrë 11 mijë euro, mirëpo në vazhdimësi kishte penguar të pandehurit që të deklarohen në Prokurori, duke i paralajmëruar përmes familjarëve se do të dënohen nga 5 deri në 6 vite burgim.

Po ashtu, thuhet se në seancën për konfirmimin e urdhrit ndalues për ngrirje të përkohshme të pasurisë, që ishte mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë më 15 nëntor 2022, i pandehuri para fillimit të seancës, ka hyrë në sallën numer 1 të Gjykatës, ka biseduar me të pandehurit prej të cilëve kishte kërkuar që të mos deklarohen për personin Shefik Rexhepi, i cili dyshohej gjithashtu për veprën penale të “fajdesë”, në bashkëveprim me të pandehurin Gëzim Sinani.

Këtë fakt, thuhet se e konfirmojnë edhe të pandehurit të cilët janë marrë në pyetje në Prokurori, të cilët ndër të tjera kanë deklaruar se kishin paraqitur kërkesë te avokati Besnik Berisha, që të deklarohen për pranim të fajësisë, mirëpo i njëjti i kishte penguar, duke i thënë babait të tye “Nuk ban me pranu fajësinë se do të dënohen me burg nga 5 deri në 6 vite”.

Këto fakte, Prokuroria thotë se konfirmohen edhe nga komunikimet me sms që i pandehuri i kishte mbajtur me babain e të pandehurve K.S, e të cilat ishin dorëzuar nga dëshmitari në Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Renda në Prishtinë. Nga përmbajtja e sms-ve, thuhet se vërtetohet se Besnik Berisha kishte pranuar 11 mijë euro dhe atë përmes vozitësit të tij jashtë zyrës ku punon si avokat.

Se qëllimi i të pandehurit ishte që të parandalojë të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani të deklarohen për veprat për të cilat dyshoheshin, duke e ditur se Shefik Rexhepi ishte njëri prej personave të dyshuar, thuhet që vërtetohet edhe nga deklarata e dëshmitarit K.S, i cili vërteton se Shefik Rexhepi të paktën dy herë fizikisht ishte takuar me K.S, derisa të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani gjendeshin në paraburgim, prej të cilit kishte kerkuar që të takohet edhe me disa dëshmitarë për t’i penguar të dëshmojnë kundër djemve të tij.

Prokuroria thotë se i pandehuri më 22 dhjetor 2022 kishte paraqitur edhe kërkesat në Gjykatën e Pejë, për të marrë leje vizite në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, për ta takuar Gëzim Sinanin, mirëpo gjyqtari këtë leje e kishte refuzuar pas njoftimit nga ana e prokurorit se i pandehuri është mbrojtës i një të pandehuri tjetër në rastin “Brezovica”.

Duke e parë qëllimin e avokatit, tani të pandehurit Besnik Berisha se nuk është duke iu ofruar mbrojtje ligjore të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani, thuhet se familjarët kishin ndërprerë komunikimet me të dhe kishin autorizuar mbrojtës tjerë. Nga dëshmitë e dëshmitarëve K.S dhe B.S, thuhet se vërtetohet se i pandehuri Refik Cakolli u kishte kërkuar 100 mijë euro për të nxjerrë të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani nga paraburgimi, edhe pse premtimi i tij nuk ishte realizuar.

Tutje, thuhet se nga raportet e monitorimit të bisedave për të pandehurit Besnik Salihu, Fadil Salihu, Egzon Salihu, në rastin e njohur si “Fajdeja”, janë vërtetuar faktet se të pandehurit Ismet Salihu, Adonis Salihu, kishin ofruar dhe paguar shuma të parave nga 30 mijë deri në 50 mijë euro, për të ndikuar tek personat zyrtarë, që të pandehurve t’iu ndërpritet masa e paraburgimit si dhe të pengohen dëshmitarët që të dëshmojnë në këtë çështje.

Gjithashtu, Prokuroria thotë se nga raportet e monitorimit është vërtetuar se të pandehurit Jeton Vuniqi dhe Fidan Zubaku, si oficerë korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, më qëllim të përfitimit pasuror, kishin keqpërdorur detyrat zyrtare, duke i mundësuar të pandehurit Egzon Salihu të përdori telefonin e qendrës pa kufizim, për të komunikuar me familjarët dhe personat tjerë të dyshuar, me qëllim që të pengojnë rrjedhën e hetimeve.

Kurse, më 13 korrik 2023 thuhet se është zbatuar një urdhër i gjyqtarit të procedurës paraprake për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj për kontrollimin dhe sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, të cilat do të jenë prova në procedurën hetimore kundër të pandehurve. Të pandehurit janë arrestuar dhe ndaluar me aktvendim të prokurorit për 48 orë,

Meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri do të ketë kryer veprat penale sikurse përshkruhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe janë plotësuar kushtet ligjore nga nen 163, par,2, nënpar.2.5.1 , 2.5.2 dhe 2.5.3 të KPP-së, është paraqitur kërkesa për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit në kohëzgjatje prej një muaji, sepse Prokuroria pretendon se ka prova që mbështesin bazat e artikulueshme se nëse të pandehurit gjenden në liri do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar, si dhe do të përsërisin veprat penale.

Baza ligjore se i pandehuri mund të arratiset, thuhet se është plotësuar për faktin se disa të pandehur tani veç gjenden në arrati, kurse i pandehuri Besnik Berisha është ndaluar në Spitalin e Kardiologjisë për trajtim spitalor, kështu që nëse të pandehurit gjenden në liri, ekziston rreziku se mund të arratisen dhe sigurimi i tyre në procedurën penale do të ishte i vështirësuar.

Po ashtu, thuhet se baza ligjore se të pandehurit nëse gjenden në liri do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale, si dhe do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë, të dëmtuar ose bashkëpjesëmarrës, është plotësuar për faktin se deri më tani nuk janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe të dëmtuarit, kurse nga zbatimit i hetimeve deri në këtë fazë të procedurës penale, është vërtetuar se disa të pandehur kanë tentuar të ndikojnë tek dëshmitarët në rastin e fajdeve, duke iu ofruar para në shuma deri në 40 mijë euro, që të ndryshojnë dëshmitë ndaj të pandehurve, të cilët tani veç gjenden në paraburgim për rastin e fajdesë, e gjithashtu mund të ndikojnë edhe tek te pandehurit e tjerë që tani gjenden në arrati, kështu që nëse gjenden në liri do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale.

Dhe thuhet se baza ligjore e përsëritjes së veprës penale, është plotësuar për faktin se duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurve, peshën e veprave penale, faktin se disa të pandehur kanë kryer disa vepra penale, kurse janë të dyshuar edhe për vepra tjera, e që vërtetohet edhe nga evidenca e policisë për të kaluarën kriminale, kështu që nëse i pandehuri gjendet në liri do të përsërisin veprat penale.

Andaj, Prokuroria propozoi që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. /BetimipërDrejtësi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera