Sport

“Dorëzohet” Spanja, lejon valimin e flamurit të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:13 | 29 March 2019

Karateistët kosovarë po paraqiten të barabartë me karateistët e vendeve të tjera në Kampionatin Evropian që të enjten nisi në Guadalajara të Spanjës.

Këtë e ka bërë të ditur Federata e Karatesë e Kosovës, që ka dërguar një ekip të madh garuesish në ngjarjen më të madhe europiane të këtij sporti luftarak. Spanja në të kaluarën ka bërë diskriminim ndaj sportistëve kosovarë lidhur me mënyrën e përfaqësimit të tyre në ngjarjet e mbajtura në këtë vend.

Kështu në Botërorin e vitit të kaluar të mbajtur në Madrid, karateistët kosovarë nuk u lejuan të garonin me simbole dhe në vend të shkurtesës së vendit u përdor shkurtesa e Federatës Botërore të Karatesë e më pas e Federatës kosovare të karatesë, raporton “Koha Ditore”.

-Advertisement-

Diskriminim kishte pasur edhe në Lojërat Mesdhetare të vitit të kaluar, ndërsa një turne kualifikues që po zhvillohet aktualisht nga përfaqësueset U-17 në futboll është zhvendosur nga Spanja për në Zvicër, pasi autoritetet spanjolle refuzuan të shfaqeshin simbolet e Kosovës.

Flamuri i Kosovës muajin e kaluar nuk është lejuar as në ndeshjet e hendbollit të KHF Istogut, në Spanjë.

Por autoritetet spanjolle kanë lëshuar pe për Europianin e Karatesë, pas presionit të madh që ishte bërë pas diskriminimit në Botëror.

“Federata e Karatesë e Kosovës në Spanjë theu barrierat lidhur me përdorimin e simboleve të Kosovës. Në mesin e të gjitha shteteve pjesëmarrëse, flamuri dhe garuesit e Kosovës po paraqiten të barabartë”, thuhet në njoftimin e FKK-së.

Edhe nga Federata Botërore kanë thënë se nuk ka telashe për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në Spanjë, vendin që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Shumica e garuesve të Kosovës kanë garuar të enjten, në ditën e parë të garave. Fortesa Orana ka pasur suksesin më të madh. Ajo të shtunën do të ketë luftën për medalje të bronztë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera