Lajme

​Dorëzohen dokumentet e para në Institutin e Kr*meve të Kryera gjatë L*ftës

Autori: Gazeta inFokus 15:35 | 17 February 2024

Në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë janë dorëzuar dokumentet e para që dëshmojnë gjenocidin e Serbisë. Kryeministri Albin Kurti tha se dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes në të ardhmen. Pas dorëzimit të këtyre dokumenteve, është bërë thirrje që të dorëzohen të gjitha materialet që qytetarët posedojnë, për të ndihmuar procesin e hetimit të krimeve të luftës.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti u zotua se po punojnë për adresimin e krimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Krahas institucioneve shtetërore, nga sot, dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm, mediat, gazetarët e gjithë qytetarët kanë Institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë Institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës e kështu që sot ju ftoj që të gjithëve të bashkoheni në këtë nismë shumë të rëndësishme. Qëllimin e kemi të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

-Advertisement-

Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi tha se dokumentet e pranuara sot do të jenë themel për të dërguar një mesazh të fuqishëm se paqja e drejtësia janë vlera kryesore që mbron Kosova.

“Ceremonia e sotme e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në bazë të së vërtetës, drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme. Në dy dekadat e fundit, institucione, organizata, individë, gazetarë dhe media, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm duke mbledhur dëshmi dhe duke publikuar materiale për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Me këtë akt dëshirojmë të inkurajojmë të gjithë ata që mbajnë dëshmi që të bashkëpunojnë me ne në dokumentimin dhe arkivimin e tyre”, shtoi ai.

Ai theksoi se Instituti është pikë grumbullimi e dëshmive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajqevci tha se rrugëtimi për 25 vjet ka qenë i vështirë në mbledhjen e dëshmive dhe ruajtjen e materialeve.

“Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke u bartur nga njëri vend në tjetrin vend, duke i ndërruar zyret, në pamundësi për t’i ruajtur. Por tash zyra jonë do të ofron tërë materialin që e ka për Institutin e Krimeve të Luftës, Gjykatës Speciale dhe gjithëve me rend. Edhe kolegët e mi, të gjithë të cilët kanë mbledhur materiale apeloj që të gjitha organizatat, të gjithë individët, të gjithë qytetarët që kanë fotografi, incizime, e materiale t’i deponojnë në këtë institut, sepse më mirë nuk ruhet dhe punohet askund”, përfundoi ai.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13 mijë persona, janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1600 personave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera