Lajme

Donald Trump zbulon programin për zgjedhjet presidenciale 2024

Autori: Gazeta inFokus 20:25 | 25 November 2022

Kur Donald Trump kandidoi për president herën e parë, biznesmeni dhe figura e njohur televizive u pa si përçarës. Ndërsa u përball me humbje në zgjedhjet e vitit 2020, ai vendosi të mos pranoi rezultatin e zgjedhjeve. Tani, teksa ka filluar fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ai po reklamon ato që i quan arritje të tij nga mandati i parë, së bashku me planet e reja politike.

Donald Trumpi është pretendenti i parë zyrtar në garën presidenciale të 2024-ës në SHBA. Ai po e përdor fushatën për të shitur vizionin e tij për Amerikën.

Trump përdor shpesh nota superlative në fjalimet e tij. Ai e bëri këtë rreth politikës së tij të imigracionit:

“Ne do të rivendosim dhe sigurojmë kufijtë e Amerikës ashtu siç i kishim më parë, me sigurinë më të madhe ndonjëherë”, tha zoti Trump.

Ai foli edhe për planet ekonomike dhe shfaqi qëndrimet e tij për sundimin e ligjit.

“Ne do të ndërtojmë sërish ekonominë më të madhe ndonjëherë”.

“Unë kërkoj menjëherë dënimin me vdekje për trafikantët e drogës dhe të qenieve njerëzore”, tha ish presidenti.

Ndërsa për veten tha: “…Unë kam dëshmuar se jam një nga njerëzit më të ndershëm dhe më të pafajshëm në vendin tonë”.

Presidenti Joe Biden tha se do të përdorë pushimet e festave të fundvitit për të diskutuar me familjen e tij nëse do të kandidojë përsëri.

Shtëpia e Bardhë thotë se republikanët janë më të interesuar për të fituar zgjedhjet sesa për të ndihmuar amerikanët.

“Partia Republikane nuk ka plan. Ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse marifete politike”, tha zonja Jean-Pierre.

Historianët thonë se arritjet e ish-presidentit janë të pakta.

“Ai ka arritur shumë pak sa i përket legjislacionit. Arritjet e tij më të mëdha ishin emërimet që bëri dhe sulmet që iu bënte njerëzve. Është e vështirë të besosh se ai do të ndryshojë politikën amerikane kur nuk e bëri këtë më parë”, thotë profesori i historisë tek Universiteti i Teksasit në Austin, Jeremi Suri.

Mbështetësit e zotit Trump nuk pajtohen.

“Ai ishte në gjendje të ndërtonte mbi 800 kilometra të murit në kufirin me Meksikën për të ndaluar emigrantët e paligjshëm. Ai uli taksat dhe lejoi shpimet për të siguruar karburant me çmim të përballueshëm”, tha Drejtori i Qendrës për Integritet Zgjedhor dhe udhëheqës i Institutit “America First”, Hogan Gidley.

“Ai iu bëri të qartë të gjithëve se do të përballen me forcën e Amerikës nëse ngatërrohen me të apo me aleatët e saj në botë. Këto janë të gjitha arritje që i takojnë presidentit Trump”.

Zoti Hogan shtoi se partia republikane ka mësuar nga betejat legjislative të viteve kur zoti Trump ishte president.

“Kushdo nga e djathta që zgjidhet për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë, tani e tutje do të punojë me Kongresin si askush më parë, sepse ata thjesht do injorojnë mediat pasi shumica e Amerikës i injoron mediat”, tha zoti Gidley

Një gjë që të gjithë bien dakort: gati dy vjet para votimeve, fushata për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm tani ka filluar./VOA

Të tjera