Lajme

Dokumentet që dëshmojnë se Liburn Aliu nuk e tregoi të vërtetën për investitorin e NPB-së

Autori: Gazeta inFokus 23:45 | 12 October 2021

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, kërkoi hetim për Ndërmarrjen Publike Banesore lidhur me ndërtimin e një objekti shumëkatësh në Lakrishtë.

Minstri Liburn Aliu kërkoi që të hetohet projekti i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), për ndërtimin e një objekti shumëkatësh, si bashkë investim me një kompani private në lagjen Lakrishtë të kryeqytetit.

Ai ka kërkuar nga avokatura shtetërore anulimin e aktit noterial të realizuar në 17 maj të vitit 2021 në të cilin akt figuron si palë e NPB-së kompania private “Made Group Construction”.

Aliu në konferencë për media, deklaroi se drejtoria e urbanizimit e ka lëshuar lejën e Ndërmarrjes Publike Bansore, pa e ditur që ka një palë tjetër.

“Brenda dokumentacionit të lejes ndërtimore ku figuron lista e dokumenteve të dorëzuara nuk figuron ky akt noterial që i bie që komuna e Prishtinës, drejtoria e urbanizimit e ka lëshuar lejen për NPB-në pa e ditur që ka një palë tjetër. Kjo pala tjetër është e definuar me akt noterial para se të aplikohet për leje ndërtimi dhe në këtë rast i bie që Drejtoria e Urbanizmit të jetë mashtruar përshkak se ata e kanë lëshuar NPB me letra e defakto i bjen që i kanë lëshuar me 64 përqind dikujt tjetër i cili nuk figuron fare në dokumentacion” – u shpreh Aliu.

Por në dokumentet e Komunës së Prishtinës, konkretisht Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qendrushëm, shihet qartë se kompania private “Made Group Construction” është e specifikuar, dhe se Drejtoria e Urbanizimit e dinte se bëhej fjalë edhe për një palë tjetër përveç NPB-së.

Për këtë ka reaguar kjo ndërrmarrje duke i quajtur deklaratat e ministrit Aliu si të pavërteta dhe shantazhuese.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha, gjatë një konference për medie tha se NPB-ja nuk ka bërë shkelje ligjore.

“Reagojmë ndaj lajmeve të pavërteta, kërcënuese dhe shumë dashakeqe të ministrit Liburn Aliu. Ne ishim dëshmitarë të një paraqitje joprofesionale, shantazhuese aspak tipike të një pozite qe mban ai. Liburn Aliu vet e theksoi që nuk kemi të bëjmë me një shkelje ligjore në projektin në fjalë andaj nuk ka qenë nevoja të shpif”, tha ai.

Tutje, Hoxha tha se të gjitha ministritë po përpiqen vazhdimisht që të dëmtojnë reputacionin e kësaj ndërmarrje publike.

Të tjera