Lajme

Dogana kthen mbrapsht 12 maune nga Serbia, nuk përfillen vendimin e Qeverisë

Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 02 June 2020

Pas vendimit të Qeverisë në detyrë për plotësimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, 12 transportues me mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht nga Dogana e Kosovës pasi që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e qeverisë për emrin Republika e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se pas vendimit të qeverisë që është marrë të shtunën asnjë maunë me mallra nga Serbia nuk është futur në Kosovë.

Ai ka thënë se 12 transportuese nga Serbia nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë

-Advertisement-

“Kemi kthyer deri tash 12 maune tani, gjashtë kanë qenë në pikën doganore në Jarinjë, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë, dhe gjashtë të tjerë janë kthyer në Merdarë që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë. Kryesisht mos përputhje me vendimin e qeverisë është tek pika 3 e vendimit e po ashtu edhe tek pika 1.1 dhe 1.2. Sot nuk kemi pasur asnjë dërgesë e cila ka ardhur”, theksoi Stavileci.

Përderisa për monitorimin e mallrave në brendi ose në tregun kosovar, Stavileci theksoi se kjo është përgjegjësi e Inspektoratit të Tregut në kuadër të MEPTINIS-it.

Megjithatë, ai theksoi se dogana bashkëpunon me të gjitha institucionet përkatëse për zbatimin e reciprocitet edhe në brendi të vendit.

Stavileci ka thënë se përgjegjësitë për pjesën e brendshme të territorit bien mbi inspektoratin

“Sa i përket bashkëpunimit për pikat kufitare ne kemi bashkëpunim të mirë, derisa kompetenca e inspektoratit shtrihet në pjesën e brendshme të territorit të Kosovës ku aty dogana nuk ka kompetencë. Normalisht ne ofrojmë përkrahje për të gjitha institucionet, por si do qoftë është kompetencë ligjore e inspektoratit”, theksoi ai.

Ndërsa, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), ka urdhëruar largimin nga tregu vetëm mallrat që kur janë importuar kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe vendimet që kanë qenë në fuqi në atë kohë.

“Inspektorati i Tregut nuk ka marrë asnjë veprim të palejuar ose në dëm të bizneseve që respektojnë ligjin”, thuhet në sqarimin e kësaj Ministrie.

Në mbledhjen e fundit Qeveria në detyrë kishte marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 01/20 të 31 marsit 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që: përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi; përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit; i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës.

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë të përdorë emrin dhe stemën e Republikës së Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare.

Operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitet zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi me letër ose përmes postës elektronike.

Nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi. Pa marrë parasysh formën e organizimit të saj në Serbi, një shoqëri e tillë mund të njihet, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare. /I. Shabani/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera