DnV: Fushatë më cilësore ku dominojnë diskutimet programore
Autori: Gazeta inFokus 11:12 | 02 October 2021
Sot, misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, shpalosi të gjeturat kryesore nga vëzhgimi i gjysmës së parë së fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Eugen Cakolli nga DnV theksoi se vëzhgimi i kësaj periudhe është bërë duke u fokusuar në pesë elemente kyçe, përfshirë respektimin e masave anti-COVID dhe rregullave zgjedhore, formatin e fushatës, ofertat politike, kandidaturat, duke përfshirë aty edhe aspektin gjinor, si dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.
Sipas DnV-së, përvoja e krijuar nga dy palë zgjedhjet paraprake në Kosovë në kohë pandemie, u ka dhënë kohën e nevojshme subjekteve politike që të adaptojnë strategjitë e tyre për rrethanat e reja, duke e orientuar fushatën e tyre kryesisht në platforma dixhitale.
Gjithsesi nuk kanë munguar edhe aktivitetet zgjedhore me prani fizike të qytetarëve, ku po vërehet një dozë më e lartë përgjegjësie në respektimin e masave kundër COVID-19, për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare të shkurtit 2021. Sidoqoftë, respektimi i distancës sociale dhe vendosjes së maskave gjatë këtyre aktiviteteve lë shumë për të dëshiruar, sidomos në takime në hapësira të mbyllura që subjektet dhe kandidatët po mbajnë në zonat rurale.
“Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, kësaj here shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim të fushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë. Sa i përket përmbajtjes, investimet kapitale janë kryefjala e programeve të shumicës së kandidatëve. Po ashtu, është vërejtur një kalim nga ofrimi i premtimeve që në esencë janë të karakterit mirëmbajtës të gjendjes aktuale, tek projektet transformuese. Një vlerë e shtuar e programeve të një pjese të konsiderueshme të kandidatëve janë edhe politikat ambientaliste, të cilat kanë gjetur hapësirë dukshëm më të madhe në këtë fushatë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Edhe pse shumica dërrmuese e premtimeve të kandidatëve janë brenda fushëveprimit dhe kompetencave që kanë komunat, edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar rastet kur kandidatë të caktuar kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror.
Fushata e deritanishme është karakterizuar me një gjuhë përgjithësisht të relaksuar mes kandidatëve, si dhe pa ndonjë rast serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes mes kandidatëve. I vetmi rast atipik në këtë drejtim, është organizimi i një lloj proteste nga ana e përkrahësve të një subjekti politik (LVV), kundër kandidatit nga radhët e një subjekti tjetër (PDK).
Lidhur me kandidaturat, DnV vlerëson që, sikur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, është vërejtur një koncentrim dukshëm më i madh i aktiviteteve të fushatës në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash, duke lënë në hije kandidatët për kuvendet komunale.
Po ashtu thuhet se kandidatët për kuvende komunale janë parë më shumë si “dekor” gjatë aktiviteteve apo takimeve të subjekteve politike. Gjithsesi, vlen të theksohet se është shënuar avancim sa i përket hapësirës mediale që u është ofruar kandidatëve për kuvendet komunale, me të cilët janë organizuar disa debate televizive.
Përkundër thirrjeve të vazhdueshme për përfshirje të më shumë grave në lista zgjedhore, subjektet politike përgjithësisht kanë vijuar me respektimin e kriterit minimal ligjor prej 30%, dhe atë vetëm në kuadër të listave për kuvendet komunale, thuhet tutje në komunikatë.
“Në radhët e kandidatëve për kryetarë komunash, më shumë se gjysma e tyre (rreth 55%) janë kandidatë që nuk kanë garuar më parë. Kjo është e shprehur sidomos në kryeqytet, ku gjashtë nga shtatë kandidatët garojnë për herë të parë. Po ashtu, karakteristikë e kandidaturave është edhe garimi i kandidatëve për kryetarë njëkohësisht edhe si bartës të listave për kuvendet komunale. Rreth një e treta e kandidatëve për kryetarë komunash, përkatësisht 50 sosh, janë edhe bartës të listave për kuvendet komunale. Ndërsa, si bartës të listave për kuvendet komunale kemi edhe pesë deputetë të Kuvendit, tre prej të cilëve janë edhe kandidatë për kryetar komune”, thuhet tutje në komunikatë
Kandidimi në zgjedhjet lokale i zyrtarëve që veçse janë zgjedhur apo emëruar në një pozitë tjetër të lartë publike, ka qenë fenomen i shprehur në këto zgjedhje. Ndër ta, kemi të paktën 12 deputetë dhe një ministër të cilët i janë futur garës për të parin e komunës, thuhet në komunikatë.
DnV thotë se ka edhe deputetë që garojnë edhe vetëm për kuvendin komunal. Duke pasur parasysh angazhimin e madh që kërkohet si në ushtrimin e pozitës publike ashtu edhe në garën zgjedhore, kandidimi në këto të fundit është parimore që të pasohet nga dorëheqja nga pozita publike, edhe pse kjo nuk përbën obligim ligjor. Dy rastet e dorëheqjes, fillimisht nga deputeti Uran Ismaili, e së fundi në mes të fushatës edhe nga tashmë ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët garojnë për kryetar të Prishtinës, është dashur të ndiqen edhe nga kandidatët tjerë.
Bazuar në këto të gjetura, DnV rekomandon që edhe në pjesën e mbetur të fushatës, dinamizimi i saj të mos komprometojë nivelin e zbatimit të masave anti-COVID. Në këtë drejtim, institucionet përkatëse të inspektimit, si të nivelit qendror ashtu edhe të atij lokal, duhet të kryejnë inspektime më të shpeshta në aktivitetet e fushatës, për të garantuar respektimin e masave si mbajtja e maskës, distancës fizike, si dhe kontrollit për certifikatat e vaksinimit apo testeve negative.
DnV gjithashtu kërkon që të ketë përfshirje edhe më të madhe të kandidateve gra në fushatë, sidomos në paraqitje mediale dhe debate. Sa i përket shpenzimeve të kandidatëve, kërkohet nivel më i lartë i transparencës, veçanërisht për shpenzimet e bëra në kuadër të fushatës dixhitale dhe në rrjete sociale.
Të tjera
-
Të shtëna armësh në Prishtinë
Mbrëmjen e sotshme në Prishtinë, në afërsi të një pompe derivatesh, ka pasur ...
-
Gazeta ukrainase: Më e udhës Kyivi ta zgjedh partnere Kosovën se Beogradin prorus -humbje historike për Serbinë në Strasburg
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të martën në mbrëmje vo...
-
Hoxhaj në Austri takon ish-kancelarin Kurz dhe deputetë austriakë, ka një kërkesë për ta
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, k...
-
Prindon Sadriu i gëzohet çmimit që e mori Presidentja: Krenar me ty
Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është ndarë çmimi Evropian nga shoqëria...
-
Maqedonci ngre alarmin: Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci 24 orë pas bllokimit në kufi me Serbinë ...
-
Gërvalla takon ambasadorin amerikan – diskutuan për këto çështje
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar ta...
-
ShBA do të vërë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në OKB
ShBA do të ushtrojë të drejtën e vetos nesër në një takim të Këshillit të Sig...
-
I vazhdohet paraburgimi Thaçit, Veselit dhe Bahtjarit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për të...
-
Panairi i Kantonit, një mundësi për zgjerimin e komunikimit në fushën e biznesit
Kryeministri kinez Li Qiang u shpreh gjatë takimit me biznesmenët e huaj, pje...
-
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Një tërmet më magnitudë 5.6 ballë është regjistruar në Turqi në provincën e T...
-
Abdixhiku organizon tubime përkrahëse për eurodeputetët mbështetës të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kë...
-
Osmani takohet me ambasadorin francez, u diskutuan mbajtja peng e kosovarëve dhe arrestimet e policëve në zonat kufitare
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Oliv...