Lajme

Dita e Librit- në rënie numri i nxënësve kosovarë që lexojnë

Autori: Gazeta inFokus 15:40 | 23 April 2022

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Sipas disa raporteve hulumtuese del se 20% e shkollave në vend nuk kanë biblioteka fare, ndërsa 70% e bibliotekave ekzistuese nuk kanë tituj të përshtatshëm dhe atraktiv për fëmijët. Disa mini-biblioteka që u vendosen nëpër Prishtinë, u dëmtuan, shpesh dhe nga vet nxënësit. Raporti i nxënësve me librin nuk duket të jetë ai i dikurshmi.

Agon Ahmeti nga organizata “Etea” ka thënë që sipas hulumtimeve ka rezultuar se nxënësit në Kosovë nuk lexojnë shumë.

-Advertisement-

“‘Etea’ në vitin 2019/20 ka realizuar tri raporte hulumtuese mbi nivelin e lexueshmerisë, mosha e caktuar e këtij projekti kanë qenë nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta, dhe të mesme të larta. Raportet kanë dëshmuar pak a shume atë se çka perceptohet sot në publik lidhur me raportin e fëmijëve me librin i cili nuk është në nivel në kënaqshëm… Institucioni edukativo-arsimor, nuk ofron një mjedis të këndshëm për leximin. Rreth 20% e shkollave në Kosovë nuk kanë biblioteka fare, rreth 70% e shkollave që kanë biblioteka, nuk e kanë të pasur fondin me libra që janë të përshtatshëm dhe atraktiv për fëmijët”, theksoi Ahmeti.

Projekti i mini-bibliotekave që u ideua e u impelentua nga kjo organizatë mori më shumë vëmendje për shkak të dëmtimit të tyre. Mundësia që ofronin këto mini-biblitoeka në disa pika në kryeqytet, që të funksiononte sipas parimit “merr një libër dhe lë një tjetër” për të nxitur leximin nuk u mbështet shumë.

“Mini-biblotekat, një projekt shumë i famshëm, më shumë për dëmet që i kanë përjetuar sesa për sukseset që i ka pas. Lidhur me sukseset konsideroj që ka qenë një punë e mirë në fatkeqësi. Fakti është që është përmendur dhe është fol shumë për librin përmes lajmeve që u thyen, u dëmtuan, u rinovuan e kështu me radhë, ka qenë një vit me shumë lajme dedikuar librit. Bazuar në përvojat tona edhe si pjesë e kësaj shoqërie, mendoj që më shumë dëme ky projekt ka pësuar me faktin se si shoqëri ende nuk e kemi një kulturë ndaj të mirës së përgjithshme, ndaj pronës publike… Kemi pas mini-bibloteka që kanë qenë afër shkollave dhe sipas raporteve të policisë ato janë dëmtuar prej nxënësve, kjo mundet me qenë një revoltë e nxënësve ndaj sistemit arsimor sepse dihet që sot libri plasohet tek fëmija si diçka që është obligative”, tha ai.

Ndërkaq Ardit Mehmetaj, njohës i letërsisë, ka thënë që përveç që ka renë numri i lexuesve është ndryshuar edhe mënyra e leximit. Ndërsa ka thënë që problem është që disa tituj nuk ribotohen dhe gjetja e tyre është shumë e vështirë.

“Përveç që ka rënë numri (i lexuesve), është ndryshuar edhe mënyra e leximit pasi që sot lexohet shumë në mënyrë virtuale… (Problem) që po ndodh është se nuk po ribotohen librat e vjetër. Është një libër që e ka propozuar një profesor në letërsi, libër të cilin kam bërë 3 javë deri sa e kam gjetur, të një koleksionues i librave të Rilindjes… Nuk është vetëm gabim i shtëpive botuese por është gabim zinxhirë në një formë”, tha ai.

Megjithatë, përfaqësuesja e librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, Doruntina Drenofci, ka thënë që numri i të rinjve që blejnë libra është në rritje. Ajo thotë se mosha që blejnë më shumë libra janë adoleshentet. Ajo ka shtuar që fëmijët po inspirohen edhe nga rrjetet sociale për të blerë libra.

“Fatmirësisht, sidomos viteve të fundit, mbas statistikave të cilat ne i kemi në baze të shitjeve, blerja e librave është në vazhdimësi vazhdon të shitet… Interesimi (për të blerë libra) është prej të gjitha moshave, por adoleshentet janë ata të cilët janë duke e frekuentuar librarinë… Adoleshentet edhe prej rrjetit social (Tik-Tok), ndoshta janë ndikuar. Fatmirësisht për të mirë kësaj here, sepse vinë me atë idenë se a e kemi atë libër, dhe kur e shohim është prej Tik-Tok-ut”, tha ajo.

Publicisti, Shaqir Foniqi, autor i disa librave, ka thënë për KosovaPress se Dita e Librit ka për qëllim që të nxisë sa më shumë popullin që të lexojnë.

Ndërsa ai ka pohuar faktin që me arritjen e teknologjisë ka rënë edhe lexueshmëria e librit, ndërsa shkrimtari ka dhënë edhe një mesazh për këtë ditë, duke kërkuar nga qytetarët që të lexojnë më shumë.

“Qëllimi i shënimit të kësaj dite është që të nxiten të rinjtë, përgjithësisht popullata qytetare që të lexojnë… Thellësia e dijës është vetëm në libër dhe assesi nëpër internet… Kurrë nuk ka pasur më shumë libra dhe kurrë nuk ka pasur më pak lexues… Natyrisht se ka rënë (lexueshmëria e librit)… vetëm gjërat e prekshme janë të pavdekshme. Libri lexohet vetëm duke i ndryshuar faqet… Lexoni gjithçka që ju bie në dorë, sepse edhe nga një faqe gazete të hedhur në rrugë do të gjeni diçka që ndoshta se keni ditur më parë”, theksoi Foniqi.

Kjo datë shënohet në botë me aktivitete të ndryshme që nga viti 2003, me qëllim që të kontribuojë në mbarë botën për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera