Lajme

Dita e dytë e vizitës së Zaevit në Sofje, në fokus ekonomia

Autori: Gazeta inFokus 08:59 | 21 June 2017

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev sot në kuadër të vizitës zyrtare të Republikës së Bullgarisë së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski do të takohet me ministren e Energjetikës Temenushka Petkova.

Dita e sotme e dytë e vizitës së kryeministrit Zaev në Republikën e Bullgarisë i kushtohet ekonomisë. Dje ai e filloi vizitën me takim me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë Bojko Borisov, ndërsa pasdite kishte takim me presidentin Rumen Radev, njofton raportuesi i MIA-s.

Në takimin me Borisovin, kryeministri Zaev mori mbështetje dhe ndihmë në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO, dakorduan nënshkrim të marrëveshjes për fqinjësi të mirë, që sipas paralajmërimeve, duhet të ndodhë në kremtimin e përbashkët të Ilindenit në Maqedoni.

-Advertisement-

“Ne jemi për Maqedoni unike dhe për anëtarësim të saj në BE dhe NATO”, tha Borisov dhe shtoi se Maqedonia tanimë është stabilizuar në politikën e brendshme dhe ka mundësi historike që të bëjë që qytetarët e saj të ndjehen më mirë.

Zaev pas takimit me Borisovin theksoi se Bullgaria si fqinj i parë dëshiron t’i ndihmojë Maqedonisë, të integrohet në NATO dhe BE. “Për vendin tonë nuk ka alternativë përveç anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe NATO. Në takimet bilaterale që i kishim fillimisht në takimin si kryeministra, pastaj edhe me kabinetet tona qeveritare, hapëm perspektiva të reja shpresuese të miqësisë së madhe të deritanishme midis dy vendeve”, tha Zaev dhe shtoi se Maqedonia mbyll një kapitull të nacionalizmit dhe hap kapitull të ardhmërisë së përbashkët evropiane.

Të dy kryeministrat theksuan se lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë duhet të risaktësohen disa hollësi të cilët do të punojnë në ministritë e punëve të jashtme.

“Me marrëveshjen jemi shumë afër. Bëhet fjalë për disa terme për të cilët do të nënshkruhet marrëveshja që të mos ketë ndonjë diskutim dhe të mos ketë ndonjë pretendim. Kjo është për shkak të gjeneratave të ardhshme dhe deri më 2 gusht të gjendet zgjidhje e vërtetë. Kjo është mirë edhe për Brukselin dhe për qytetarët tanë për shkak se nuk kemi të drejtë që qytetarët nga Ballkani t’i mbajmë jashtë Evropës. Ne nuk kemi popull më të afërt dhe për këtë arsye kur historianët na propozojnë terme me të cilët do ta garantojmë ardhmërinë do të japim shembull i mirë dhe të vendeve tjera ballkanike dhe do ta hapim rrugën e Maqedonisë drejt Evropës dhe NATO-s”, theksoi Borisov.

Kryeministri Zaev dje pasdite u takua edhe me presidentin bullgar Radev, i cili ka shprehur mbështetje për aspiratat eurointegruese të Maqedonisë dhe theksoi se në Qeverinë e re reformuese të Maqedonisë shikon mundësi për thellim të bashkëpunimit midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

“Qeveria e Maqedonisë është fuqishëm e përcaktuar që përmes proceseve të nevojshme reformuese dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore të sigurohet rruga e Republikës së Maqedonisë drejtë qëllimeve strategjike, BE-së dhe NATO-s. Republika e Maqedonisë dhe Republika e Bullgarisë ndajnë vizion të njëjtë për rajonin, integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe jam i lumtur që ekziston vetëdije dhe përgjegjësi prej të dy palët për të arritur progres. Në këtë drejtim pres mbështetje nga fqinji ynë Bullgaria për perspektivat evropiane të Maqedonisë, pas ndërmarrjes së presidencës së BE-së, nga ana e Republikës së Bullgarisë në janar të vitit 2018”, ka thënë kryeministri Zaev.

Kryeministri Zaev në Bullgari është i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani, ministrat e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski dhe i Kulturës Robert Allagjozovski

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera