Lajme

Distanca e shkurtër me detin, problematika që ka Shqipëria, sipas Bankës Botërore

Autori: Gazeta inFokus 08:49 | 29 November 2019

Popullsia bregdetare në Rajonin e Evropës Juglindore është më e rrezikuara nga ndryshimet ekstreme të klimës pohoi Banka Botërore në një studim të posaçëm publikuan së fundmi më rajonin ECA. Nga 19 vende të marra në studim Shqipëria shihet të jetë më e rrezikuara, për shkak se pothuajse e gjithë popullsia e saj ka një distancë jo më shumë se 100 kilometër nga bregu i detit.

Por Banka vlerëson se, kapaciteti adaptues për të lehtësuar pasojat e ndryshimit të klimës është minuar nga infrastruktura e papërshtatshme, institucione të dobëta dhe burime të kufizuara financiare.

Popullsia bregdetare në Rajonin e Europës Juglindore është e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës nga rritja e nivelit të detit, rritjet e stuhive, përmbytjet dhe thatësira.

Brenda gjireve të detit Adriatik, detit Baltik, detit të Zi dhe detit Kaspik jeton nga 20 -70 për qind e popullsisë së shteteve në afërsi të deteve.

Rritja e nivelit të detit, erozionit dhe stuhive të mëdha në Detin e Zi po kërcënon portet, banesat, tokat e punueshme dhe pikat turistike përgjatë brigjeve të Gjeorgjisë, Rusisë, Turqisë dhe Ukrainës.

Nxitja e aftësive adaptive përmes përmirësimeve në politikat e menaxhimit bregdetar, të tilla si zonimi dhe planifikimi, menaxhimi i burimeve ujore, përdorimi i teknologjive të reja dhe kontrolli i përmbytjeve, do të jetë thelbësore për të lehtësuar rreziqet që ndryshimet klimatike paraqesin në komunitetet bregdetare, lajmëron Banka Botërore.

Përmirësimi i politikave në drejtim të parandalimit mund të rrisë rezistencën ndaj ndryshimit të klimës, pasi ato sigurojnë burimet e nevojshme për të mbështetur viktimat e ngjarjeve ekstreme.

Investimi në infrastrukturën klimaterike e kombinuar me planifikimin e duhur të përdorimit të tokës, mund të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve të ndryshimit të klimës. Shqipëria dhe vendet e tjera bregdetare duhet të ngrenë rrjete të mbrojtjes sociale në mënyrë që të parandalojnë rrënimin ekonomik te të prekurve.

Banka Botërore thotë se vëmendja ndaj rajonit duhet të shtohet pasi ndërmarrjet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore janë jetike për zinxhirët ushqimorë globalë. Ato prodhojnë dhe eksportojnë 1 të katërtën e  grurit në botë, shumica e të cilave vijnë nga Rusia, Ukraina dhe Kazakistani.

Cilësia e tokës pritet të përkeqësohet në përgjigje të temperaturave më të larta dhe thatësirave më të shpeshta, veçanërisht në Rusi dhe Ukrainë, të cilat mund të kërcënojnë rendimentet e bimëve.

Të tjera