Lajme

Diplomoi e nuk gjeti punë, suksesi i Sadmirit në biznesin e përbashkët me babain

Autori: Gazeta inFokus 17:17 | 03 November 2022

Sadmiri ka përfunduar studimet për Administrim Biznesi.

Ai nuk mundi të gjej punë në drejtimin ku diplomoi.

Në rrethana të tilla, Sadmiri iu bashkangjitë punës në biznesin e babait të tij, i cili u hap në vitet e 90-ta.

-Advertisement-

Biznesi i Sadmirit është përfitues i grandit për bizneset ekzistues dhe ka përfituar makina për montim dhe çmontim të gomave në shumën prej 3,500 euro. Blerja e kësaj makine është mundësuar nga projekti “Fuqizimi dhe Punësimi i të Rinjve, Grave dhe Grupeve tjera të cenueshme në pesë Komunat e Kosovës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Syri i Vizionit në partneritet me The Ballkan Forum dhe Komunën e Istogut.

“Kemi këtu servisin e automjeteve. I riparojmë gomat, vajin dhe filterët e automjeteve. Kemi punë, sidomos tashmë kur kanë ardhur nga diaspora. Na kanë ndihmuar nga “Syri i Vizionit”, na kanë ndihmuar edhe nga Komuna, nuk është keq. I kemi dy punëtorë, një është nga radhët e komunitetit boshnjak, tjetri është shqiptar. Vështirësitë më të mëdha me të cilat ballafaqohemi në punë janë ndërprerjet e energjisë elektrike, na krijojnë probleme në punë”, tha Sadmir Kiametoviq, Vullkanizer “Rekord”, Dobrushë-Istog.

Ai thotë se kanë dëshirë që ta zgjerojnë biznesin, por edhe angazhimi i punëtorëve në këto punë është problem për ta.

Për ndihmën që i dha, Sadmiri falënderon shumë Bashkimin Evropian.

“Na nevojitet zgjerimi i biznesit, edhe pse është pak vështirë të gjinden punëtorë, pasi që të gjithë po ikin jashtë vendit, për shkak të pagave të dobëta këtu”, tha ai.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është mbështetësi kryesor financiar në këtë projekt duke përkrahur projektin me 85% ose 276, 607 euro të vlerës së përgjithshme të projektit 325,420 euro.

“Në kohë krize ekonomike, anëtarët e komuniteteve pakicë priren të jenë në një pozitë më të cenueshme dhe të kenë më pak qasje në punë ose burime. Me heqjen e barrierave për anëtarët e komuniteteve pakicë përfitojnë të gjithë. Grantet e biznesit që BE-ja jep janë një mekanizëm i tillë mbështetës. Sa më shumë të lulëzojnë bizneset në pronësi të pakicave, aq më i lartë do të jetë kontributi i tyre në rritjen ekonomike dhe kohezionin social dhe keshtu varfëria do të reduktohej më tej. Në këtë kategori 20 persona kanë përfituar pajisje të ndryshme ne vlere deri në 6,000 euro”, tha Majlinda Ferizi, Menaxhere e projektit në zyrën e BE-së në Kosovë.

Se punësimi është problem për komunitetin boshnjak në Kosovë, e thotë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës që vjen nga ky komunitet, Duda Balje.

Ajo thotë se problem për pjesëtarët e komunitetit boshnjak është mosnjohja e gjuhës shqipe.

“Ne kemi shumë studentë që kanë studiuar jashtë shtetit, psh në Sarajevë ose në Maqedoni dhe mandej kemi në intelektual të formuar dhe nuk dinë gjuhën shqipe dhe është shumë vështirë me gjetë vetën në tregun e punës”, tha Duda Balje, Deputete e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka përmendur një nismë që kanë marrë bashkë me disa ministri që t’u ndihmojnë atyre që janë të interesuar me start up.

“Jemi duke punuar me disa ministri që më i përkrahë me start up, këto janë projekte dhe ndihma financiare të cilat na jemi duke i shfrytëzuar në start, dmth prej 3 mijë deri në 5 mijë euro në dy ministri e kemi tani. Mendoj që nuk është shuma e madhe por është mjaftueshëm për me startu diçka edhe për neve boshnjakëve dhe për secilin komunitetet këtu në Kosovë. Unë mendoj se jemi duke u munduar të bëjmë diçka pak ma mirë”, tha Balje.

Komuna e Pejës së bashku me Komunën e Istogut dhe Klinës mbuluan 14% të buxhetit të projektit si bashkëfinancim.

Edhe kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati zotohet se do të punojë ngushtë me të gjithë pa dallime, në mënyrë që përkrahja për komunitete mos të mungojë asnjëherë.

“Qasja nuk është që ka qenë në atë kuptimin në të kalurën e mangët ose e keqe, kemi pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha komunitetet pa dallim dhe qeverisja që e kemi instaluar tani i ka hapur dyert dhe po mundohemi bashkarisht që të hapim shtigje të reja që ata të planifikojnë dhe ndërtojnë jetën në komunën e Istogut”, tha Ilir Ferati, Kryetar i Komunës së Istogut

Në Istog, megjithëse komuniteti boshnjak përbën vetëm 3% të popullsisë së komunës (bashkë me komunitetin turk), ekzistojnë dy shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën boshnjake.

Ngjashëm si Sadmiri, përfituan edhe 42 personat tjerë të komuniteteve jo-shumicë që u trajnuan dhe u aftësuan për punë dhe shpresojnë që një ditë do të mund të integrohen në treg të punës pa qenë të diskriminuar dhe gjithnjë duke u trajtuar në mënyrë të barabartë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Oferta speciale deri në 70% dhe ekstra zbritje në dyshekët Comodita
-Advertisement-

Të tjera