Lajme

Diplomati austriak: Kosova po përjeton krizën më të rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë

Autori: Gazeta inFokus 15:08 | 02 October 2023

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ka thënë se Kosova aktualisht po përjeton krizën më të rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe se gjërat lehtë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shkatërrojnë gjithçka që u arrit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Bashkimit Evropian në dhjetë vitet e fundit.

Petritsch në një bisedë për Demostat, tha se ajo që duhet tani, është një përpjekje e re e Brukselit për të rikthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve.

Petritsch është një ish të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe një ish përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnje dhe Hercegovinën. Ai gjithashtu mori pjesë në emër të BE-së si ndërmjetës në negociatat në Rambuje, të zhvilluara ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në mars të vitit 1999. Në atë kohë ndërmjetësimi bëhej nga një treshe e SHBA’së, BE’së dhe Rusisë. SHBA përfaqësohej nga ambasadori aktual në Beograd, Christopher Hill, BE nga diplomati austriak Wolfgang Petritsch, dhe Rusia nga Boris Majorski.

-Advertisement-

Duke folur për ngjarjet tragjike të ndodhura së fundmi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ai paralajmëroi se konfrontimi vetëm do ta kthejë rajonin prapa.

“Normalizimi është thelbësor, sepse do të krijonte parakushtet për përparim ekonomik. Kjo është ajo që njerëzit duan, jam i sigurt. Ka shumë qytetarë të rinj dhe të talentuar që lënë shtëpitë e tyre për të emigruar në vende më paqësore, si Austria, Gjermania dhe Zvicra. Por Evropa dëshiron të shohë prosperitet, jo konflikt në vendet e ish-Jugosllavisë. Epoka e luftërave ka përfunduar. Tani duhet të rindërtojmë ekonominë dhe të garantojmë një jetë më të mirë për qytetarët”, tha Petritsch.

Ai tha se frikë se rritja e tensioneve në Kosovë mund të kthehet në konflikt të armatosur.

“Ekziston një rrezik i tillë, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të gatshëm të parandalojnë çdo përshkallëzim. Nuk duhet të kthehemi në luftërat e së kaluarës”, ka theksuar ai.

I pyetur se kush është fajtori për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, Petritsch tha se në çdo tension “gjithmonë ka dy palë”.

“Unë e shikoj këtë si një vëzhgues i jashtëm dhe më duhet të them se BE-ja duhet të veprojë më me vendosmëri dhe të mos lejojë që situata e sigurisë të përkeqësohet më tej. Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja duhet të detyrojnë të dyja palët t’i kthehen dialogut”.

Sipas tij, është koha që të zbatohet ajo për të cilën palët janë bajtuar në Bruksel dhe Ohër.

“Propozimi gjermano-francez është ende rruga më e mirë për uljen e tensioneve. Shpresoj se Parisi dhe Berlini do të kthehen në rolin e tyre për të mbështetur aktivisht BE-në në përpjekjet e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka asnjë plan tjetër që do të ishte i suksesshëm”, tha Petritsch.

I pyetur nëse aktorët ndërkombëtarë, si Rusia dhe Turqia, mund të përdorin tensionet aktuale në Kosovë për përfitimin e tyre, Wolfgang Petritsch vlerëson se gjithmonë ekziston rreziku që aktorët e jashtëm të përdorin taktikat e tyre për të arritur pikë politike.

“Duhet të ndalet sepse është në dëm të Serbisë dhe Kosovës. Rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Ajo që na duhet është të rifokusohemi në politikën evropiane të procesit të zgjerimit të gjithë këtij rajoni. Vetëm në Bashkimin Evropian do të ketë më shumë përfitime ekonomike dhe sociale për qytetarët”, tha Petritsch.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera