Lajme

Diaspora kosovare vazhdon të jetë `infuzion` për ekonominë e vendit

Autori: Gazeta inFokus 10:51 | 16 July 2024

Sot është bërë lansimi i “Dritares për Investime të Diasporës” organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore në partneritet me projektin e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se lansimi i ‘Dritares për Investime të Diasporës’ është hap që dëshmon për krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës në Kosovë. Kurti tha se ka mërgimtarë po kthehen e investojnë në Kosovë.

“Dritarja për Investime e lehtëson financimin e projekteve ta cilat bizneseve të mërgatës tonë ia mundëson që të zgjerohen edhe në Kosovë. E tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Në Kosovë ka vend edhe për më shumë popullësi, më shumë punë. Me investime e përmirësimin e kushteve të jetesës, nuk mbesin edhe shumë arsye të forta që bashkëatdhetarët ta kenë cilësimin mërgimtar. Me kushte të ngjashme e ndoshta më të mira, mund të kthehen e të bëjnë biznes. Ne i quajmë mërgimtar sepse dëshirojmë që ata të kthehen”, tha shefi i qeverisë, raporton RTKlive.

-Advertisement-

Kurse ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ‘Dritarja për Investime të Diasporës” do të jetë një mundësi për të rritur investimet e mërgatës së Kosovës. ‘Ne si qeveri do të ofrojmë 8 milionë euro, ndërsa Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ndajë dy milionë euro”, tha Murati.

“Dritarja e re do të mundësojë rritjen e investimeve të diasporës sonë. Ideja ka qenë që të krijohet një instrument përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore të mundësojë garantimin e kredive. Ne si qeveri kemi dhënë zotimin që të kontribuojmë deri në 8 milion euro kapital shtesë në Fondin për Garanci Kreditore. Ndërsa, Fondi për Garanci Kreditore ka dhënë 2 milionë euro. Ne po e ndërmarrim këtë hap që bashkëatdhetarët tanë të kenë mundësi për të investuat e e të luajn rol në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha i pari i dikasterit të Financave, Hekuran Murati.

Ndryshe pakoja këtë vit për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë do të përfshijë edhe një dritare garancie kredie, që ka qëllim garantimin e kredive investuese të diasporës që duan të kthehen dhe të investojnë në Republikën e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera