Opinione

Dialogu social – tregues i demokracisë

Autori: Gazeta inFokus 09:55 | 01 September 2022

Njëri prej Kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE kërkon “stabilitetin e institucioneve për të garantuar demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe respektim të të drejtave të minoriteteve.”

Shkruan: Agron HOTI

Mediat, shoqëria civile, sindikatat, analistë e opinionistë të ndryshëm përbëjnë mozaikun e pushtetit të katërt pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Ky mozaik i pushtetit të katërt analizon dhe vlerëson politikat shtetërore nga A-ZH dhe ofron qasje kritike ndaj zhvillimeve të gjithëmbarshme të vendit. Ishte pikërisht ky mozaik i pushtetit të katërt që formësonte qasje kritike ndaj të gjitha pushteteve, ndaj edhe qytetarët pak a shumë votonin konform kësaj qasjeje kritike.

-Advertisement-

Paria aktuale ka ardhur në pushtet kryesisht nëse jo ekskluzivisht nga qasja kritike e këtij mozaiku ndaj pushteteve të kaluara dhe kuptohet edhe nga gabimet e pushteteve të kaluara. Do të ishte absurde që ky mozaik të ishte sot krah pushtetit. Nuk do të jetë asnjëherë. Mund të ketë elementë që i shërbejnë pushtetit, por jo si mozaik i tërë. Po ndodhi të jetë, atëherë s’ka më demokraci.

Prandaj, t’u hapësh front mediave, shoqërisë civile, sindikatave, analistëve e opinionistëve të ndryshëm, humbjen e ke të sigurt qysh në start. Hapja front ndaj këtij mozaiku shënon prapakthim në procesin demokratik për të cilin kanë luftuar gjenerata të tëra. Kosova edhe pse si demokracia më e re është shquar në rajon për zgjedhje të lira dhe demokratike, për rotacione e tranzicione të qeta të ndërrimit të pushteteve, për liri fjale, shprehjeje e protestimi.

Vetë fakti që paria aktuale ka ardhur në pushtet, tregon që treguesit e demokracisë në Kosovë kanë funksionuar dhe se trendet kanë qenë pozitive. Në një shtet të kapur do të ishte e paimagjinueshme të kishim ndërrime të qeta të pushteteve. Mjafton të shohim rajonin dhe të bindemi për këtë.

Dhe nëse qeveritë e kaluara nuk kanë bërë dialog social në nivele të kënaqshme sigurisht që kanë paguar çmim për këtë. Prandaj, qeveria aktuale duhet ta bëjë të kundërtën e qeverive të kaluara nëse dëshiron t’i shtyjë përpara treguesit demokratikë aq të nevojshëm për rrugëtimin tonë evropian.

Hapja front ndaj mozaikut të pushtetit të katërt siç aktualisht po ndodh tregon që dialogu social po shënon prapakthim. Dialogu social është baza e demokracisë, kurse injorimi i tij çon drejt arbitraritetit që i hap rrugë autoritarizmit. Dialogu social duhet të jetë i vazhdueshëm për t’u paraprirë zhvillimeve e jo periodik dhe reagues e aq më pak joekzistues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera