Lajme

Dialogu Kosovë -Serbi, nën hijen e proceseve zgjedhore

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 21 May 2017

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ngecur tash e sa kohë dhe kjo gjendje do të vazhdojë përderisa nuk përfundojnë proceset zgjedhore në të dyja vendet, vlerësojnë analistët e çështjeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Megjithatë, sipas tyre, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash, do të ishte i dobishëm për të dyja vendet, pavarësisht se kur ka procese zgjedhore, për dialogun kryesisht nuk flitet fare.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, thotë se që nga viti i kaluar, praktikisht dialogu ka pushuar, ndërkohë që e gjithë kjo periudhë është përcjellë me situata të tensionuara dhe me zhvillime të shumta në Kosovë dhe në Serbi. Rashiti nuk pret që dialogu të nisë gjatë këtij viti, përveç mundësisë që të mbahen disa takime të liderëve të dy vendeve.

-Advertisement-

“Kemi dy telashe. E para, në Serbi, presidenti i ardhshëm Vuçiq nuk di se kë ta emërojë kryeministër dhe nuk dihet se a do të shkojë në zgjedhje apo do ta caktojë një kryeministër. E dyta, në Kosovë, pritet emërimi i kryeministrit të ri dhe më pas, kjo do t’i lejojë zonjës Mogherini të përcaktojë formatin dhe t’i thërrasë vetëm kryeministrat apo vetëm presidentët. Besoj që do të jetë dialog i katërshes, me nga dy përfaqësues kryesorë të vendeve. Por, megjithatë, derisa të përcaktohet kjo, do të kalojnë shumë muaj dhe mund të zë vjeshta”, thekson Rashiti.

Në vjeshtë, sipas Rashitit, priten zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërkaq që në Serbi, siç thotë ai, nëse nuk emërohet kryeministri, ky vend mund të shkojë në zgjedhje dhe ngecja e dialogut mund të vazhdojë, gjë që e vështirëson procesin. Rashiti shpreh mendimin se edhe Bashkimi Evropian nuk ka dhe nuk dëshiron të imponojë agjendën në këtë proces, por dëshiron ta ruaj statusin e ndërmjetësuesit të lehtë.

Në anën tjetër, Aleksandar Popov nga organizata joqeveritare Qendra për rajonizim nga Novi Sadi, konsideron se të dyja palët po i kontribuojnë situatës ekzistuese.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën, mendoj që aty, jo vetëm përmes zgjedhjeve, por edhe në mënyra të tjera do të sabotohet ajo për të cilën është arritur pajtimi në Bruksel. Për shembull, formimi i Bashkësisë së komunave serbe, që është një nga gjërat themelore. Pastaj, do të reagohet butë ndaj protestave të opozitës në formën e Vetëvendosjes, e cila çështje parësore nuk i ka korrupsionin dhe varfërinë, por Bashkësinë e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi”.

“Pastaj, vijnë edhe zgjedhjet e shpeshta dhe kjo e bllokon dialogun. Natyrisht që edhe pala jonë nuk po kontribuon që situata të jetë më e mirë. Përkujtojmë atë trenin e larmishëm, i cili sërish e radikalizoi, gjegjësisht solli deri te ndezja e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Kështu që, asnjëra palë nuk ka vullnet që dialogu të vazhdojë”, thotë Popov.

Ai shton se në këtë mënyrë po shtyhet pika e fundit e bisedimeve, e që është njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia.

Por, analisti Rashiti vlerëson se njohja reciproke është ende larg. Ai beson që faza e dytë e dialogut do të ketë të bëjë me pranimin reciprok të juridiksionit vendor të ligjit, në mënyrë që të përfundojnë pretendimet e njërës palë, veçanërisht të Serbisë, mbi territorin, administrimin dhe pasurinë e Kosovës.

Më pastaj, besoj që do të ishte më e lehtë që të flitet për njohje më implicite të Kosovës, që do të mundësonte së paku integrimin e Kosovës në OKB. Por, kam frikë se nuk jemi në rrugë të mbarë. Dinamika është shumë e ngadalësuar, e humbur në njëfarë forme”, vlerëson Rashiti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë. Në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Në prill të vitit 2013 është arritur marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po atë vit, në muajin nëntor, në zgjedhjet lokale në Kosovë patën marrë pjesë edhe komunat e veriut të vendit.

Në maj të vitit 2014, Kosova pati shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare për shkak të pamundësisë që në Kuvend të votohet formimi i Ushtrisë. Më pas, pasoi bllokimi i institucioneve të Kosovës për disa muaj rresht, që rezultoi edhe me pushimin e dialogut.

Në Serbi, gjithashtu në mars të vitit 2014 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në vitin 2016, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ndërkaq në prill të vitit 2017 ato presidenciale.

Kosova tashmë është para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor, ndërkaq në shtator duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera