Dialogu Kosovë -Serbi, nën hijen e proceseve zgjedhore
Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 21 May 2017
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ngecur tash e sa kohë dhe kjo gjendje do të vazhdojë përderisa nuk përfundojnë proceset zgjedhore në të dyja vendet, vlerësojnë analistët e çështjeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Megjithatë, sipas tyre, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash, do të ishte i dobishëm për të dyja vendet, pavarësisht se kur ka procese zgjedhore, për dialogun kryesisht nuk flitet fare.
Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, thotë se që nga viti i kaluar, praktikisht dialogu ka pushuar, ndërkohë që e gjithë kjo periudhë është përcjellë me situata të tensionuara dhe me zhvillime të shumta në Kosovë dhe në Serbi. Rashiti nuk pret që dialogu të nisë gjatë këtij viti, përveç mundësisë që të mbahen disa takime të liderëve të dy vendeve.
“Kemi dy telashe. E para, në Serbi, presidenti i ardhshëm Vuçiq nuk di se kë ta emërojë kryeministër dhe nuk dihet se a do të shkojë në zgjedhje apo do ta caktojë një kryeministër. E dyta, në Kosovë, pritet emërimi i kryeministrit të ri dhe më pas, kjo do t’i lejojë zonjës Mogherini të përcaktojë formatin dhe t’i thërrasë vetëm kryeministrat apo vetëm presidentët. Besoj që do të jetë dialog i katërshes, me nga dy përfaqësues kryesorë të vendeve. Por, megjithatë, derisa të përcaktohet kjo, do të kalojnë shumë muaj dhe mund të zë vjeshta”, thekson Rashiti.
Në vjeshtë, sipas Rashitit, priten zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërkaq që në Serbi, siç thotë ai, nëse nuk emërohet kryeministri, ky vend mund të shkojë në zgjedhje dhe ngecja e dialogut mund të vazhdojë, gjë që e vështirëson procesin. Rashiti shpreh mendimin se edhe Bashkimi Evropian nuk ka dhe nuk dëshiron të imponojë agjendën në këtë proces, por dëshiron ta ruaj statusin e ndërmjetësuesit të lehtë.
Në anën tjetër, Aleksandar Popov nga organizata joqeveritare Qendra për rajonizim nga Novi Sadi, konsideron se të dyja palët po i kontribuojnë situatës ekzistuese.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën, mendoj që aty, jo vetëm përmes zgjedhjeve, por edhe në mënyra të tjera do të sabotohet ajo për të cilën është arritur pajtimi në Bruksel. Për shembull, formimi i Bashkësisë së komunave serbe, që është një nga gjërat themelore. Pastaj, do të reagohet butë ndaj protestave të opozitës në formën e Vetëvendosjes, e cila çështje parësore nuk i ka korrupsionin dhe varfërinë, por Bashkësinë e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi”.
“Pastaj, vijnë edhe zgjedhjet e shpeshta dhe kjo e bllokon dialogun. Natyrisht që edhe pala jonë nuk po kontribuon që situata të jetë më e mirë. Përkujtojmë atë trenin e larmishëm, i cili sërish e radikalizoi, gjegjësisht solli deri te ndezja e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Kështu që, asnjëra palë nuk ka vullnet që dialogu të vazhdojë”, thotë Popov.
Ai shton se në këtë mënyrë po shtyhet pika e fundit e bisedimeve, e që është njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia.
Por, analisti Rashiti vlerëson se njohja reciproke është ende larg. Ai beson që faza e dytë e dialogut do të ketë të bëjë me pranimin reciprok të juridiksionit vendor të ligjit, në mënyrë që të përfundojnë pretendimet e njërës palë, veçanërisht të Serbisë, mbi territorin, administrimin dhe pasurinë e Kosovës.
“Më pastaj, besoj që do të ishte më e lehtë që të flitet për njohje më implicite të Kosovës, që do të mundësonte së paku integrimin e Kosovës në OKB. Por, kam frikë se nuk jemi në rrugë të mbarë. Dinamika është shumë e ngadalësuar, e humbur në njëfarë forme”, vlerëson Rashiti.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë. Në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Në prill të vitit 2013 është arritur marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po atë vit, në muajin nëntor, në zgjedhjet lokale në Kosovë patën marrë pjesë edhe komunat e veriut të vendit.
Në maj të vitit 2014, Kosova pati shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare për shkak të pamundësisë që në Kuvend të votohet formimi i Ushtrisë. Më pas, pasoi bllokimi i institucioneve të Kosovës për disa muaj rresht, që rezultoi edhe me pushimin e dialogut.
Në Serbi, gjithashtu në mars të vitit 2014 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në vitin 2016, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ndërkaq në prill të vitit 2017 ato presidenciale.
Kosova tashmë është para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor, ndërkaq në shtator duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...