Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi “mollë sherri” për Hotin dhe Thaçin

Autori: Gazeta inFokus 08:59 | 16 June 2020

Së fundi situata politike në Kosovë është e përqëndruar në dialogun e mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë me qeverinë Hoti në krye.

Pas largimit të taksës dhe reciprocitetit ndaj Serbisë, tashmë dialogu ka filluar të mendohet se mund të ketë një zgjidhje. Mirëpo ajo se çfarë ende nuk po qartësohet është se kush do ta udhëheqë këtë dialog. Sipas Hotit ai do të jetë përfaqësues i këtij dialogu mirëpo njejtë nuk mendon presidenti i vendit pasiqë sipas tij ky përfaqësim i takon presidentit.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme në një takim që mbajti presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, u deklaruan përsëri në lidhje me udhëheqjen e dialogut. Thaçi deklaroi se Kushtetuta e tregon qartë se kush do ta udhëheq dialogun ndërsa Hoti u shpreh që qeveria do ta udhëheqë këtë dialog.

-Advertisement-

Në lidhje me këtë temë njohësit e çështjeve aktuale politike u shprehën që këtë dialog duhet të udhëheqë qeveria pasiqë kështu e parasheh edhe Kushtetuta.

Ahmeti: Fjalën e fundit për dialogun Kosovë-Serbi e ka dhënë Gjykata Kushtetuse

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që ne si shtet jemi mësuar të kemi deklarata të këtij lloji të pamatura nga krerët institucional duke mos u kordinuar për një ekip unitet që të përfaqësoj në dialog mirëpo me zbehjen e legjitimitetit.

“Këto deklarata politike janë të natyrave të përditshme në mes rivalëve politik, e të cilat deklarata më shumë krijonë opinion publik se sa realitet juridik. Tradicionalisht jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të pamatura të krerëve institucional duke krijuar mjegull në opinionin publik. Logjika e tillë e funksionimit të institucioneve të larta shtetërore jep mesazh të qartë për papërgjegjësinë institucionale dhe tendencën për zbehjen e fuqisë së fjalës publike. Gjykoj se, ne si shtet nuk e kemi komoditetin që debatin ta lëshojmë në rrafshin e konfrontimeve politike, por të ndërtojmë një ekip uniteti për një dialog me strategji e vizion të qartë të shtetit të Kosovës karshi një shteti armiqësor, i cili është në fushatë të vazhdueshme për zbehjen e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, u shpreh Ahmeti.

Tutje Ahmeti thotë që Kushtetuta ka treguar që të drejtë udhëheqje i jap qeverisë së Kosovës dhe për këtë arsyje nuk ka nevojë të diskutohet.

“Sa i përket çështjes se kush duhet të udhëheq me dialogun e kemi Vlerësimin e kushtetutshmërisë se Ligjit nr. o6/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror te Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë i vitit 2019, i cili specifikon qartë kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale. Ky aktgjykim i jep të drejtë kushtetuese që dialogun ta udhëheq Qeveria e Republikës së Kosovës, por kjo nuk do të thotë që në ekipin e unitetit të mos përfshihet edhe presidenti i Republikës si pozitë që përfaqëson unitetin . Lidhur me këtë çështje nuk ka nevojë të diskutohet, pasi fjalën e fundit e ka thënë Gjykata Kushtetuese si institucion kredibil e legjitim për të interpretuar kushtetutën”, përfundoi Ahmeti.

Mehazi: Veprimet e Thaçit për dialogun Kosovë-Serbi të qëllimshme

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky dialog do të jetë mollë sherri mes Thaçit dhe Hotit duke mos ditur kujt të I zëmë besë pasi të dy flasin ndryshe nga tjetri.

“Se dialogu Kosovë-Serbi do jetë mollë sherri në mes Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kryeministrit Avdullah Hotit u vërejt edhe gjatë takimit të sotëm. Del Thaçi e deklaron se bartës i dialogut me Serbinë do jetë kryetari i shtetit, vetë ai, në anën tjetër edhe Hoti zotohet, se, sipas kushtetutës së Kosovës bartës i dialogut me Serbinë i takon atij, si Kryeministër. Hashim Thaçi thotë se sipas kushtetutes unë do ta udhëheq grupin e dialogut me Serbinë, të njëjtën gjë e thotë edhe Hoti si kryeminister, dhe ne kujt t’i zëmë besë e kujt, Kryetarit të shtetit apo Kryeministrit të shtetit”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi u shpreh që këto veprime të Thaçit mund të jenë të qëllimshme për të fut në pushtet PDK-në e tij dhe për shkëmbyer territore më Vuçiqin.

“Elita politike e Kosovës në vend që të kordinohet e lidhet fuqishëm ndaj dialogut me Serbinë ata bëjnë probleme të panevojshme, mundohen se kush e cili do del i parë me këtë dialog shumë të rëndësishëm për Kosovën. Veprimet e Thaçit si ndaj Albin Kurtit, poashtu edhe ndaj Avdullah Hotit mos janë të qëllimshme që si e si para dialogut me Serbinë të fut në pushtet PDK-në e tij për të qenë më komond ndaj dialogut me Serbinë për shkëmbime territoresh me Vùçiqin”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Shahu: Për dialogun Kosovë-Serbi duhet të zbatohet Kushtetuta

Analisti politik Rexhep Shahu, u shpreh që në lidhje më dialogun Kosovë dhe Serbi duhet të udhëheqet nga ai që është i caktuar nga kushtetuta.

“Unë besoj se Kosova tashmë e ka mësuar derën ku duhet të trokasë për të zgjidhë dilemat kushtetuese apo çështjet ku përmendet kushtetua. Është Gjykata Kushtetuese e Kosovës ajo që u vë vulen gjërave, çështjëve. Unë nuk kam asnjë opinion mbi këtë çështje veçse them se duhet të zbatohet kushtetuta e Kosovës, të bëhet siç thotë kushtetuta. Nëse ndokujt i duket se po të udhëheqë bisedimet do të shpallet mbreti apo Zoti i Kosovës ai në këtë mënyrë sheh ëndrra me lule”, u shpreh Shahu.

Më tej Shahu u shpreh që nëse kushtetuta e lejon që kryeministri të udhëheqë dialogun atëhere duhet që ai të udhëheqë.

“Nëse kushtetuta thotë se është kryeministri që udhëheqë bisedimet, kjo nuk është ndonjë meritë. Presidenti Thaçi mundësisht kërkon që edhe dielli të marre leje atij por dielli lind e perëndon pa lejen e tij. Për të mos lejuar cenimin e kushtetutës le të bjerë qeveria. Dhe presidenti besoj tani e di se nuk ka asnjë aktor apo faktor të vetëm që mundet të firmosë e vulosë për Kosovën, pasi çfarë do që të diskutojë grupi i biseduesve, është Kuvendi i Kosovës që vendos për çdo marrëveshje dhe nuk vendois as qeveria as presidenti”, tha Shahu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera