Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, çfarë prodhuan dy takimet e Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiç?

Autori: Gazeta inFokus 18:52 | 24 July 2021

Albin Kurti erdhi si kryeministër i Kosovës pa e pasur dialogun me Serbinë si prioritet, edhe pse kërkesat e BE-së dhe SHBA-së që bisedimet të rinisin nuk mungonin.

Diçka të tillë, Kurti kishte thënë edhe para se të merrte postin e të parit në ekzekutiv, pas një takimi me të dërguarin e BE-së për dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajcak.

Sipas tij, “nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi”. Dialogu për Kurtin duhet të jetë i sinqertë, pa presion kohe dhe me substancë.

-Advertisement-

Pavarësisht qëndrimeve të Kurtit sa i përket dialogut dhe mosrenditjen e tij në fillim të listës së prioriteteve, ballafaqimi i tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciç, nuk vonoi. Një muaj pas publikimit të planit qeverisës, kreut të qeverisë kosovare iu desh të udhëtojë për në Bruksel.

Këtij takimi i parapriu një vizitë e përbashkët e të dërguarit të BE-së për bisedime, Miroslav Lajçak dhe zv.ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Matheë Palmer.

15 qershori ishte dita kur Kurti u ballafaqua për herë të parë me Vuçiç, në praninë e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel dhe emisarit special për këto bisedime, Miroslav Lajçak.

Takimi i dy liderëve nuk është se solli ndonjë rezultat, pasi qëndrimet e tyre ishin diametralisht të kundërta.

Vuciç insistonte që të diskutohej për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që për të ishte çështja më me rëndësi, ndërsa Kurti doli me propozimin e disa temave që nuk kishin të bënin fare me kërkesën e palës serbe.

“Unë nuk di çfarë t’ju them, të jem i sinqertë mendoj se zgjatja e bisedimeve flet edhe për rezultatet, u ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut, shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme që mund të garantojnë paqen dhe stabilitetin. Çdo gjë tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, u shpreh presidenti serb para mediave.

“Marrëveshje finale do të ketë atëherë kur marrëveshja për njohje të ndërsjellë është dhe për nga forma dhe përmbajtja në përputhje me konventën e Vjenës për ligjin mbi traktatet”, u shpreh Kurti.

Ndërmjetësuesit deklaruan se takimi mes tyre nuk ishte i lehtë, megjithatë, ata u shprehen të kënaqur që të dy liderët u pajtuan që të takohen edhe në muajin korrik në takimin e dytë mes tyre.

Paraqitja e Kurtit në Bruksel me 15 qershor u komentua në forma të ndryshme.

Opozita e një pjesë e analistëve dhe opinionistëve patën kritika, por nuk munguan as zërat që e konsideruan këtë paraqitje historike, që Kosovës e kthen në palë të barabartë me Serbinë në këto bisedime.

Para se të ndodhte takimi i dytë Kurti-Vuciç, pala kosovare dhe ajo serbe pati edhe një takim të përbashkët në Bruksel, këtë herë në nivel të grupeve negociatore.

Kosova po tregonte një tjetër qasje ndaj Serbisë, e cila pëlqehej nga analistët dhe ndjekësit e politikës.

“Ndërkohë që pala serbe po akuzonte atë kosovare për moszbatim të marrëveshjes, në një analizë të ftohtë kuptohet se është pala serbe ajo që nuk po zbaton asnjë marrëveshje”, thotë Bardhyl Hasanpapaj, analist.

Por, jo pak prej tyre një strategji të tillë për bisedimet po e shohin si zvarritje, gjë që nuk dihet se kujt i shkon më shumë për shtati.

“Duhet të analizohet saktë nëse është më mirë status quo-ja apo të ecim tutje. Mendoj se zvarritja ndoshta do ta dëmtojë më shumë”, shprehet analisti Adrian Collaku.

Në takimin e dytë, Vuçiç hyri me idenë se tashmë është shumë e vështirë të ulesh në tryezë për të diskutuar me palën kosovare. Në takimin e 19 korrikut u raportua për tensione gjatë bisedës, dhe në fund pati edhe akuza të ndërsjella.

“Unë do të përpiqem të flas me të. Deri në 1 shtator, sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, të dyja palët kanë detyrimin të mos lobojnë për njohje ose mosnjohje”, tha presidenti serb.

Për Vuçiç, Albin Kurti po kthehej një shekull pas duke kërkuar të flasë për të pagjeturit.

“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. U kthye në shekullin e XIX, jam i brengosur”, tha Vuçiç.

Në këtë takim, Kurti ofroi një dokument me 9 pika të cilin kërkoi që Vucic ta firmoste për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve. Bashkë me këtë dokument, ai i dhuroi Presidentit serb 3 libra që përshkruanin bëmat e Serbëve ndaj kosovarëve.

Oferta e Kurtit u hodh poshtë.

“Sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua”, u shpreh Kurti.

Edhe për paraqitjen e dytë të Kurtit në Bruksel, pati lëvdata e kritika.

Këto të fundit erdhën nga opozita dhe kishin të bënin me mostransparencën për takimet.

E para, në këtë dialog po e përcjell një mostransparencë jashtëzakonisht e madhe, tha Abelard Tahiri, deputet i PDK.

Për shkelje parimesh e arrogancë që mund t’i kushtoj Kosovës e akuzon edhe analisti Milaim Zeka, ish-deputet i kuvendit të Kosovës.

“Nacionalizmi primitiv dhe arroganca primitive ballkanike që po demonstron Kurti në Bruksel, në takimin e tij, jo me Vuçiç po me evropianët dhe amerikanët, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Kosovës”, shprehet Zeka.

Zeka shton se ballafaqimi me të kaluarën nuk i duhet Kurtit, duke marrë parasysh qëndrimet që ka pasur ai që nga Konferenca e Rambujesë e këtej, ndërsa kritikoi edhe deklarimin e Kurtit se Greqia duhet ta njohë Kosovën dhe të bëhet lidere e proceseve në Ballkan.

As lëvdatat e as kritikat nuk është se kanë ndryshuar mungesën e rezultateve të këtyre takimeve në Bruksel, megjithatë dialogu ende vazhdon. Takimi i radhës do të mbahet pas përfundimit të pushimeve verore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera