Lajme

Dhuna në familje, ja sa persona u arrestuan brenda një dite

Autori: Gazeta inFokus 09:47 | 26 October 2021

Pesë raste të dhunës në familje kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

Nga këto raste, katër kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Mitrovicës.

Në Podujevë është arrestuar një person pasi që kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

-Advertisement-

Si pasojë e dhunës dhe frikës viktima së bashku me dy fëmijët e saj ishte larguar nga shtëpia pasi që ishte ndier e rrezikuar.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi qe i njëjti me datë 10.10.2021 kishte ushtruar dhunë fizike dhe kanosë bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare, e cila si pasojë e dhunës dhe frikës së bashku me dy fëmijët e saj ishte larguar nga shtëpia pasi ishte ndier e rrezikuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë në Prishtinë: një person është arrestuar për shkak se pas një fjalosjeje që kanë pasur vajzat e tij mes veti, e ka sulmuar fizikisht njërën prej tyre.

Viktima ka pranuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuar është liruar me procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkak të  një fjalosje që kishin pasur vajzat e tij në mes veti, e kishte sulmuar fizikisht njërën prej tyre viktimën femër kosovare, e cila ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti i tretë në Prishtinë ka të bëj me sulmin e një burri ndaj bashkëshortes së tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar  pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër  kosovare. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Rasti i katërt në rajonin e Prishtinës ka ndodhur në Graqanicë ku është arrestuar një person pasi që kishte sulmuar nënën e tij nën ndikimin e alkoolit.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit e ka kanosur nënën e tij viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë, përcjell Gazeta Infokus.

Rasti i pestë i dhunës në familje ka ndodhur në Mitrovicën e veriut ku është arrestuar një person i mitur pasi që ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij viktimës femër kosovare. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera