Fokus

DHUNA NDAJ GRUAS/ Parimi i harruar nga shoqëria kosovare

Autori: Ermirë Berisha 18:14 | 28 November 2022

Duket se shoqëria kosovare ka harruar parimin që të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave.

Si pasojë e kësaj harrese ne shohim çdo ditë në ballinat e mediave shqiptare raportimin e dhunës ndaj grave në Kosovë, ku rezulton me rritjen masive të numrit të dhunës.

Kjo tregon që shumë individë nuk dinë që dhuna ndaj grave është një shkelje e të drejtave të njeriut e që duhet të adresohet globalisht dhe urgjentisht.

-Advertisement-

Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Kosovë ka arritur në  një shkallë dëshpëruese, ku gjithë vendi duhet të ngritët në këmbë për ta çrrënjosur këtë fenomen negativ.

E për parandalimin e kësaj dukurie natyrisht që kanë një rol shumë të rëndësishëm edhe organizatat e shoqërisë civile.

Në kuadër të fushatës globale për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave,”16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, emisioni Gratë N’Fokus me Era Berishën ka trajtuar temën se si duhet parandaluar kjo problematikë tejet shqetësuese në vendin tonë.

Organizata “Women 4 Women Kosova”, e cila është pjesë e organizatës ndërkombëtare “Women for Women International”, ka treguar ekskluzivisht për emisionin Gratë N’Fokus prodhim të Gazetës inFokus, se cilat janë masat për parandalimin e dhunës.

“Masat për ndalimin e dhunës ndaj grave janë ngritja e vetëdijes për të drejtat dhe rolin aktiv të grave në shoqëri, fuqizimi ekonomik i grave, trajtimi i barabartë i djemve dhe vajzave, informimi i grave për llojet identifikimin dhe raportimin e dhunës janë pjesë e punës tonë të përditshme dhe iniciativa jonë kundër dhunës është e vazhdueshme në 365 ditë në vit, vit pas viti”, ka thënë drejtoresha e organizatës, Iliriana Jaka Gashi.

Gashi ka treguar se një numër i madh i grave të cilat janë viktimë e dhunës të formave të ndryshme janë paraqitur tek kjo organizatë për shkak të mundësive të cilat iu ka ofruar.

“Ne kemi përvojë 23 vjeçare të punës me gra te margjinalizuara në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe gjatë trajnimeve tona për fuqizim social, krijohet e ashtuquajtura hapësirë e sigurte ku gratë ndjehen të lira të shprehin edhe sekrete të jetës e që shpesh herë janë raste dhune. Ka pasur edhe raste ekstreme që kemi biseduar me polici ose i kemi udhëzuar në shtëpi të sigurta ose organizata qe mund të ju ndihmojnë me këshillime. Kosova ka nevojë të punojë shumë në parandalimin e dhunës por hallka më e dobët e zinxhirit është etapa e reintegrimit të viktimave dhe ne si organizatë mundohemi të kontribuojmë çoftë përmes trajnimeve profesionale dhe mundësive për punësim por edhe këshillave të psikologes. Shpresojmë që slogani i fushatës se këtij viti që është “bashkërisht apo të përbashkuar” të zbatohet sepse vetëm duke i bashkuar shërbimet e të gjithë akterëve në këtë fushë mund të arrihen rezultate”, ka shtuar drejtoresha e “Women 4 Women Kosova”.

Emisioni Gratë N’Fokus gjithashtu ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës duke publikuar statistikat e dhunës për 2021 dhe vitin 2022.

“Të dhënat për vitin  2021:​ Në vitin 2021, janë evidentuar 2456  raste të dhunës në familje. Të dhënat për vitin 2022:  Janar –tetor, janë evidentuar 2273 raste të dhunës në familje”, thuhet ne raportin policor.

Lufta kundër dhunës me bazë gjinore do të jetë një nga fitoret më të mëdha që mund të gëzojë aktualisht vendi ynë.

Andaj është koha që ne të ndërmarrim urgjentisht hapa konkretë për të avancuar të drejtat e grave.

Të kujtojmë çdo ditë që të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera