Lajme

Dhuna hedh hije mbi samitin e G20-ës

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 07 July 2017

Dhunë e re ka shpërthyer të premten në Hamburg, derisa zhvillon punimet samiti i G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara.

Autoritetet thanë se protestuesit kanë sulmuar një stacion të policisë, ndërsa u kanë vënë zjarrin disa makinave policore.

Liderët e G20-ës bisedojnë sot dhe nesër për një varg çështjesh, përfshirë tregtinë dhe ndryshimet klimatike. Në margjina të samitit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

-Advertisement-

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u tha gazetarëve se udhëheqësit botërorë në samit nuk janë “as të verbër, as të shurdhër” ndaj trazirave në rrugët e Hamburgut.

Policia, për të dytën ditë me radhë, ka përdorur topat e ujit kundër protestuesve të dhunshëm.

Në dhunë po ashtu janë plagosur dhjetëra policë dhe protestues anti-kapitalistë.

Rreth 13,000 njerëz kanë protestuar të enjten, përfshirë rreth 1,000 anarkistë të maskuar dhe të veshur në të zeza. Policia tha se pret rreth 100,000 protestues të mblidhen sot dhe nesër. Autoritetet kanë shpërndarë rreth 20,000 policë për të ofruar siguri.

Bisedimet e planifikuara midis Trumpit dhe Putinit janë të parat sy më sy prejse presidenti amerikan ka marrë detyrë në muajin janar.

Dy liderët do të përpiqen të qetësojnë raportet e tensionuara dypalëshe për shkak të konflikteve në Siri dhe Ukrainë, si dhe ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Trump, vazhdimisht, ka bërë thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, edhe pse administrata e tij, publikisht, ka vazhduar presionin mbi Rusinë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët në lindje të Ukrainës.

Të enjten, në një fjalim në Varshavë, Trump i ka bërë thirrje Rusisë “të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë”, si dhe ka theksuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s, të cilën Putin, prej kohësh, e akuzon për rritje të tensioneve në lindje të Evropës.

Trump, më herët, e ka vënë në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s dhe përkushtimin e Uashingtonit ndaj kësaj aleance.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u tha gazetarëve në Hamburg se fjalët e presidentit amerikan në Varshavë kanë qenë “çuditërisht premtuese”.

“Kemi pritur kohë të gjatë t’i dëgjojmë këto fjalë nga presidenti Trump. Por, shtrohet pyetja nëse ato kanë qenë incident apo politikë e re”, tha Tusk.

Trump, të enjten, ka takuar edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën ka diskutuar për Korenë e Veriut, Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe ndryshimet klimatike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera