Opinione

Dhuna dhe agresiviteti në shoqërinë tonë

Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 27 November 2021

Dhuna dhe agresiviteti përbëjnë ende problem të madh social në tërë shoqërinë shqiptare. Rasti i vrasjes së mbrëmshme macabre në Gllogjan të komunës së Deçanit përbën vetëm majën e ajsbergut.

Shkruan: Agron HOTI

Nëse historikisht s‘kemi qenë popull pushtues, i bie që kemi qenë paqësor karshi popujve tjerë. Prandaj, logjika e thotë që agresiviteti e dhuna na janë injektuar nga pushtuesit dhe kjo më pas është shumëfishuar nga vetë ne si pre e kurthës. E pushtuesi serb ka bërë projeksione të errëta pa zgjedhur mjete për të vetmin qëllim, të shfarosjes së popullit shqiptar dhe gllabërimit të të gjitha tokave shqiptare.

-Advertisement-

Nëse pushtuesi serb mes Luftës së Parë dhe të Dytë si dhe pas Luftës së Dytë Botërore e kishte kuptuar që shfarosja e popullit shqiptar po dukej e pamundur për shkak të faktorëve e rrethanave globale, kryesisht edhe për shkak të rezistencës tonë edhe pse shpesh të pakoordinuar, atëherë kishte filluar që popullit shqiptar së paku t’i projektonte dëme sa më të rënda psiko-socio-ekonomike në mënyrë që ta përçante, paralizonte, traumatizonte dhe përfundimisht demoralizonte në plan sa më afatgjatë që të ishte e mundur.

Serbia, e mbështetur fuqishëm nga Rusia e Strategjisë së Kaosit, as sot s‘e ka ndryshuar kursin ofansiv kundër shqiptarëve. Dalja e teknologjisë informative dhe internetit vetëm sa ua ka lehtësuar ndërhyrjet nga jashtë pa pasur nevojë për prezencë fizike spiunazhi për të mbjellë në terren masa dezinformuese dhe pse jo demoralizuese. Rritja e paparë e ndjenjës së antiamerikanizmit dhe antiperëndimit të shoqëruara me kundërshtime të hapura të politikës amerikane në Kosovë dhe Shqipëri çojnë ujë saktësisht te projeksionet serbe e ruse.

Ata, serbët dhe rusët, vetëm këtë duan nga shqiptarët që ne t’i urrejmë pikërisht ata që ua prenë rrugën serbëve dhe rusëve, pra t’i urrejmë pikërisht ata që mundësuan të folurit dhe jetuarit shqip në troje shqiptare. Tashmë një pjesë e politikës dhe qytetarëve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, edhe pse ishim populli më proamerikan në botë, ka ndryshuar kurs duke e parë shpëtimin dhe perspektivën e popullit shqiptar në lindje. Kjo është alarmuese për të ardhmen tonë.

Fakti që shqiptarët e Kosovës përpos që asnjëherë në histori s‘kanë jetuar të çliruar dhe s‘kanë jetuar më mirë se sot, gjersa çuditërisht si asnjëherë më parë në histori s‘kanë qenë më të përçarë e më të pakënaqur se sot, flet shumë për projeksionet e errëta serbe e ruse tashmë të realizuara për demoralizimin e shoqërisë sonë.

E demoralizim i njëjtë mbretëron për fat të keq edhe në Shqipëri, qytetarët e së cilës kurrë më mirë dhe më në begati s’kanë jetuar se sot. Dhe fakti, që ne si komb, më shumë kemi qenë reagues ndaj pushtimeve sesa projektues ndaj së ardhmes, flet më së miri për pasojat shkatërruese të pushtimit serb dhe pushtuesve tjerë.

Dhuna dhe agresiviteti në shoqërinë tonë rrënjët i kanë në dy burime. Njëra ka të bëjë me terrorin dhe pushtimin serb dhe e dyta ka qenë fakti që shoqëria shqiptare ka qenë kryesisht agrare, ku dhuna dhe agresiviteti kanë qenë pjesë e përditshmërisë. E para vetëm sa e ka e nxitur të dytën.

Krahas strategjisë së vazhdueshme „përçaj e sundo“ Serbia ndaj popullit shqiptar kishte ndërmarrë veprime të planifikuara makabre deri në detaje si:

– heshtje dhe desubjektivizim me çdo kusht i popullit shqiptar në rrafshin ndërkombëtar;
– mosinvestimi i planifikuar në hapësira shqiptare për ta rritur mjerimin socio-ekonomik;
– devijimet dhe ç’orientimet e historisë sonë kombëtare dhe dekurajimi për t’u marrë me rrënjët tona;
– përvetësimet e vlerave tona historike;
– dekurajimi me çdo kusht për të mos jetuar në tokën mëmë;
– deportimet sistematike në Turqi dhe kolonizimet me serbë për të prishur demografinë dhe përtharë vitalitetin kombëtar;
– joshja e një pakice shqiptare me pushtet për efekte spiunazhi dhe përçarjeje;
– shfrytëzimi i egër i resurseve kombëtare;
– mosarsimimi dhe dekurajimi për të;
– mosqasja në shëndetësi dhe dekurajimi për të;
– pamundësimi i krijimit të kulturës institucionale e shtetërore (ku edhe sot qarkullon thënia se „kumshta bylmet, tërshëra nimet dhe shqiptari hyqymet nuk bëjnë“);
– akulturizimi gjithëkombëtar;
– bestytënimi i përditshmërisë;
– lartësimin e njërës fe në kurriz të tjetrës;
– lëvizjet e qëllimshme të kufijve të arave për të nxitur konflikte e vëllavrasje;
– shpronësimet e dhunshme;
– rritja e mosbesimit ndaj njëri tjetrit;
– ndarja në pesë shtete për të na e përtharë elanin kombëtar;
– nxitja e vëllavrasjes, terrori i përditshëm, burgosjet, vrasjet dhe zhdukjet pa gjurmë, etj.

Të gjitha këto projeksione të errëta kanë lënë aq shumë pasoja afatgjata mes nesh, saqë shërimi i tyre do të marrë dekada të tëra, nëse jo edhe shekuj.

Aty ku Serbia ia ka arritur qëllimit ka qenë rritja ekstreme e mosbesimit mes popullatës shqiptare. Popujt me besim të ulët në njëri tjetrin e kanë shumë të vështirë, nëse të pamundshme, të përmbledhin dhe përbashkojnë forcat për të projektuar të ardhme. Duke qenë se kishim qenë kohë të gjatë nën pushtim, e kishim pothuaj të pamundur të luftonim shkaqet apo shkaktarin e mbjelljes së mosbesimit që në fakt ishte vetë Serbia, Greqia, Turqia, ndërkohë që kolektivisht vuanim pasojat.

Në kushte varfërie ekstreme shkalla e mosbesimit vetëm sa rritej, ndaj njerëzit mendonin vetëm se si të mbijetonin, e lufta për mbijetesë nuk zgjedh mjete për arritje të qëllimeve, edhe kur për fat të keq ‘puna‘ e kërkonte vrasjen e shqiptarit për kufij arash, të cilat pushtuesi serb qëllimisht i kishte lëvizur.

Mosbesimin e madh mes vete e shprehnim në familje, shoqëri, në politikë, në institucione dhe pothuaj në çdo sferë jetësore. Mosbesimi ekstrem ndaj çdo gjëje pastaj vriste vetëbesimin e individëve në shoqëri duke filluar që nga fëmijëria. Njerëzit pa vetëbesim s’mund të jenë kreativ dhe inovativ. E tëra kjo ulte në minimum produktivitetin tonë si shoqëri, e që ishte qëllim i pushtuesit serb.

Për fat të keq edhe sot shtetin, edhe pse i joni, e shohim me mosbesim të madh, si diçka të huaj dhe të largët. Pastaj, më interesant dhe atraktiv na duket një i huaj edhe nëse shumëfish më pak inteligjent dhe profesional sesa një shqiptar. Si rezultat i mosbesimit të madh që kemi mes vete, e kemi të vështirë nëse të pamundur të ndërtojmë ekipe në punë, në shkencë, sport, kulturë dhe në çdo fushë.

Derisa na flet një i huaj sytë bizë i bëjmë për ta dëgjuar. Sapo fillon të flet shqiptari, menjëherë fillojmë ta shohim me nënçmim. Këto janë pasoja që nuk shërohen lehtë. Me një fjalë, aq e lartë ishte bërë shkalla e mosbesimit mes shqiptarëve, saqë lulëzonin vëllavrasjet, gjakmarrjet e hakmarrjet e nxitura e me këtë edhe dhuna nëpër familje e shoqëri, vetëm sa rriteshin vështirësitë e panumërta për të mbajtur familje, përçarjet e nduarnduarta vetëm sa nxiteshin, me një fjalë qemë bërë pikë e pesë. Me një fjalë, shqiptari i demoralizuar zgjohej nga gjumi, e i demoralizuar e i poshtëruar binte në gjumë.

Në këtë kuadër shqiptari i manipuluar nga pushtuesi serb, bënte çmos të siguronte armë, jo për t’ia kthyer atë pushtuesit, por për t’u mbrojtur nga shqiptari, sepse me të e kishte përditshmërinë e ngatërruar qëllimisht nga pushtuesi serb, pra shqiptari e shihte shqiptarin si armik. Vetëm kështu mund të shpjegohet agresiviteti, dhuna dhe armëmbajtjet e shumta të shqiptarëve, të cilat në shumë raste rezultojnë të kenë qenë fatale për familjet e prekura dhe për tërë shoqërinë shqiptare. Prandaj, pasojat e vëllavrasjes, gjakmarrjes dhe hakmarrjes i dimë të gjithë, ato ende nuk janë zhdukur. E pasojat e përgjithshme të mosbesimit ekstrem jemi duke i vuajtur edhe sot dhe do t’i vuajmë edhe për një kohë shumë të gjatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera