Lajme

Dhjetëra misione diplomatike, por vetëm shtatë atashe ushtarakë

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 15 July 2022

Nga mbi 60 ambasada dhe konsullata, sa ka Republika e Kosovës në botë, në vetëm shtatë prej tyre ka atashe ushtarakë.

Këta të dërguar të Kosovës shërbejnë aktualisht në misionet në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Francë, Turqi, Shqipëri dhe Kroaci.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës thonë se janë në proces të vlerësimeve të brendshme me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të rritur numrin e atasheve në shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

-Advertisement-

“Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, aktualisht, ka numrin e atasheve të mbrojtjes në përputhje me politikat e saj në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe të procesit të integrimeve në strukturat rajonale dhe euroatlantike të mbrojtjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë kolonel Sefer Isufi, shef për komunikime strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas ligjit në Kosovë, detyrë e atasheve të mbrojtjes është që të zhvillojnë dhe promovojnë interesat e mbrojtjes në vendin ku janë caktuar, si dhe të forcojnë marrëdhëniet ushtarake dhe të mbrojtjes me atë vend.

Atashe i mbrojtjes është një pjesëtar aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai nuk është diplomat karriere, por gëzon imunitet diplomatik sipas akteve dhe konventave ndërkombëtare në fuqi.

Atasheu zgjidhet pas kalimit të disa konkurseve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas, me propozimin e kësaj ministrie, kalon në konsultim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe procedohet tutje.

Isufi thotë se fokus i Ministrisë së Mbrojtjes është fuqizimi i mëtejshëm i autoritetit të atasheut ushtarak në vendet që e mbështesin vazhdimisht Kosovën dhe që kanë zë në vendimmarrje, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë globale.

Ai nuk përmend me emër konkret ndonjë vend, ku synohet të dërgohen atashe të rinj.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, thotë se dërgimi i atasheve ushtarakë në shtete të ndryshme, përcaktohet në bazë të planeve dhe prioriteteve që i ka Kosova.

“Për shkak të ndjeshmërisë në mbrojtje dhe siguri, sigurisht se [puna e atasheve ushtarakë] nuk reflektohet në publik, sikurse punët e tjera që mund të reflektohen. Por, synime dhe suksese të këtyre atasheve janë ato që e përafrojnë ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ushtritë e vendeve pritëse, e gjithashtu me organizata të ndryshme të mbrojtjes, siç është NATO”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Atasheu i parë ushtarak i Kosovës: Nuk kemi qenë krejt të gatshëm

Xhavit Gashi ka qenë atasheu i parë ushtarak i Kosovës, i cili ka shërbyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai është emëruar në prill të vitit 2011 dhe ka shërbyer deri më 2016.

“Kur Kosovës i është dhënë mundësia e parë për të pasur atashe ushtarak, ne nuk kemi qenë krejt të gatshëm dhe të njohur me atë që është dashur të sigurohet…”, thotë Gashi.

“Unë, kur kam qenë në Uashington, nuk është se kam kryer vetëm punët e bashkëpunimit ushtarak, por kam qenë i angazhuar edhe në ngjarje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, pra jo vetëm ato të sigurisë dhe të inteligjencës, që në parim duhet të jenë fokusi”, shton ai.

Sipas Gashit, atashetë ushtarakë mbulojnë edhe sektorin e inteligjencës dhe është mirë që Kosova të ketë sa më shumë të tillë.

“Në vendet që i kemi mike, nuk do të thotë se ne bëjmë ndonjë spiunazh apo marrim informacione nga institucionet e tyre, por, bashkë me to, mund të marrim informacione të rëndësishme për synimet e përbashkëta”, thotë Gashi.

Avni Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, thotë se nevojën për shtimin e numrit të atasheve në misione diplomatike e përcakton Ministria e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

“Mendoj se ka pasur një lloj neglizhence. Do të thotë, jo vetëm në aspektin e emërimeve të atasheve ushtarakë, por edhe në diplomaci në përgjithësi”, thotë ai.

Viteve të fundit ka pasur disa vonesa në emërimin e ambasadorëve të rinj në disa ambasada të Kosovës në botë, përfshirë atë të SHBA-së.

“Duhet të mendohet seriozisht që përfaqësimi i Kosovës, edhe në aspektin ushtarak, të jetë i denjë dhe ashtu siç kërkohet për një shtet, sidomos për një shtet të ri, që ka ambicie për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit, Kosova ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në aleancën ushtarake të NATO-s.

Por, si pengesë në këtë drejtim është mosnjohja e Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s: Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania.

Roli i diplomacisë në ndryshimin e kësaj gjendjeje shihet si i pakrahasueshëm.

Haki Abazi, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, thotë se është koha që institucionet të fokusohen në emërimin e sa më shumë atasheve, jo vetëm për çështje ushtarake, por edhe ekonomike e kulturore.

“Nëse prioriteti ynë është vërtet anëtarësimi në NATO, atashetë ushtarakë luajnë rol të rëndësishëm në dy aspekte: në ndërtimin e kapaciteteve bilaterale, trajnimin e kadetëve të nivelit të lartë ushtarak nëpër akademitë e shteteve pritëse, por edhe në përkrahjen e tyre për procesin e anëtarësimit në NATO… Kështu që roli i tyre do të ishte krucial në fazën në të cilën gjendemi”, thotë Abazi.

E shpallur e pavarur 14 vjet më parë, Kosova njihet nga 117 shtete në total.

Gati gjysma prej tyre e kanë njohur atë në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Në pesë vjetët e fundit, ndërkaq, Kosovën e kanë njohur vetëm katër shtete. Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Diplomacia e Kosovës është kritikuar shpesh për pasivitet, sidomos përballë fushatës së Serbisë kundër njohjeve të shtetësisë së saj./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera