Lajme

Devollët në garë edhe për Ipko

Autori: Gazeta inFokus 12:38 | 14 September 2020

Situata me IPKO në Kosovë vjen sërish në vëmendje të Mergermarket, një prej mediave botërore më prestigjioze në fushën e ekonomisë. Gjiganti mediatik ka lajmëruar më 8 shtator se shitja e kompanisë IPKO shtyhet me dy javë, për t’i dhënë më shumë kohë raportit të vlerësimit.

Sipas tre burimeve në dijeni të situatës, ofertat finale për IPKO Telecommunications, që është dega në Kosovë e Telekom Slovenije, priten deri në datë 23 shtator, nga 9 shtator që ishte afati i mëparshëm i dorëzimit.

Telekom Srbija dhe biznesmeni kosovar Shkëlqim Devolli kanë paraqitur dy ofertat praprake më të larta për operatorin kosovar të telefonisë. Operatori telefonik serb, me menaxhim shtetëror, jep 155 milionë euro, ndërsa Shkëqlim Devolli ka paraqitur ofertën prej 153 milionë euro, deklaron njëri prej burimeve. Në garë është edhe një investitor financiar, me një ofertë prej 140 milionë eurosh, shtoi burimi.

Mergermarket ka njoftuar më parë se Telekom Slovenije e ka nxjerrë në shitje IPKO me një EBIDTA prej rreth 30 milionë eurosh. Telekom Slovenije këshillohet nga Erste Group, me bazë në Austri, në procesin e shitjes së aksioneve, si pjesë e strategjisë së përgjithshme të operatorit për t’u larguar nga tregu i Kosovës deri në 2023.

-Advertisement-

IPKO realizoi 60,2 milionë euro të ardhura në 2019, nga 71,3 milionë euro në vitin 2018, bazuar tek raporti vjetor i Telekom Slovenije. Kompania zotëronte 43,8% të të ardhurave në tregun kosovar të shërbimeve celulare, si dhe 31,4% në brezin e gjerë fiks në tremujorin e katërt të 2019, duke qenë kështu lider i tregut në sektorin e fundit.

Telekom Srbija deklaroi të ardhura prej 1,13 miliardë eurosh për 2019, sipas raportit vjetor të vetë kompanisë.

Shkëlqim Devolli drejton Devolli Corporation, me bazë në Pejë dhe, sipas faqes së saj në internet, ka interesa në tregun e logjistikës, doganave dhe të kafesë. Devolli Corporation gjithashtu ka pasur në zotërim operatorin celular Z Mobile, që tashmë nuk ekziston pasi doli vitin e kaluar nga tregu kosovar.

Telekom Slovenije dhe Erste Group nuk kanë pranuar të bëjnë koment. Telekom Srbija dhe Shkëlqim Devolli nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.

Mergermarket është krijuar në vitin 2000 dhe vepron në 67 vende të botës, me ekipin më të madh në botë të gazetarëve dhe analistëve të specializuar në sektorin e bashkimeve dhe blerjeve të kompanisve. Rrjeti i profesionistëve të Mergermarket komunikon me drejtues ekzekutivë, drejtues financiarë dhe kontakte të tjera në industri, më pas informacionin e vë në dispozicion të abonentëve të vet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera