Lajme

Detaje të reja të masakrës në Serbi: Vrau njerëz që ishin në piknik, kopshtar e polic

Autori: Gazeta inFokus 10:12 | 05 May 2023

Uros B., i cili dyshohet se mbrëmë në Mlladenovc vrau tetë dhe plagosi 14 persona, është arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi kishte ikur nga policia për më shumë se tetë orë.

“Pjesëtarët e MPB-së, pas një kontrolli të gjerë e kanë arrestuar U.B. Ai dyshohet se mbrëmë ka vrarë me armë zjarri tetë persona dhe ka plagosur 14 të tjerë. Policia po vijon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton Ministria e Brendshme e Serbisë.

Burri 21-vjeçar filloi fushatën e përgjakshme në një vend kur doli nga vetura dhe gjuajti me breshëri në një drejtim të një grupi njerëzish që ishin ulur rreth një zjarri në piknik, shkruan blic.rs.

-Advertisement-

Më pas vazhdoi marshimin drejt një pozicioni tjetër, ku pasi doli nga vetura qëlloi katër persona që po rregullonin gardhin në oborr.

Më pas u kthye në veturë dhe u nis drejt qendrës së fshatit Dubonë dhe qëlloi përsëri, ku vrau dy persona – një polic jashtë detyrës dhe motrën e tij. Pas kësaj vrasje të dyfishtë, iku në drejtim të paditur ndërsa një kërkim i madh zgjati gjatë gjithë natës.

Sipas informacioneve jozyrtare të nova.rs, ai para arrestimit, ka hyrë në automjetin e një taksisti dhe e ka detyruar atë ta dërgojë në Vinjishte. Dyshohet se ai ka një të afërm në këtë vend dhe kishte planifikuar të fshihej atje.

Në vilë u gjet një sasi e madhe armësh dhe municioni

Një sasi e madhe armësh dhe municioni është gjetur në vilën e përdorur nga vrasësi dhe gjithçka është konfiskuar.

Në Dubonë afër Mlladenovcit është vrarë polici M.P. (22) dhe motra e tij K.P. (19) dhe D.T.(25) Në një zonë tjetër, Smederevë, ka vdekur M.M. (18), N.S. (21), L.M. (20), N.M. (15) dhe A.M. (18).

Ai ka një dosje

Për momentin nuk dihet motivi i masakrës, por vrasësi është dënuar në të kaluarën për vjedhje dhe sulm ndaj një zyrtari, si dhe kallëzim për kundërvajtje nga Ligji për Armëmbajtje.

Dyshohet se gjatë arratisjes ka ndërruar disa vetura.

Ai është djali i një ushtaraku dhe deri më tani nuk ka qenë i dënuar. Ai ka dosje në polici për dhunë.

E gjitha filloi pas një konflikti me fëmijët?

Sulmuesi dyshohet se është fjalosur me disa fëmijë dhe për këtë ka qëlluar me armë zjarri, thotë një dëshmitar nga Dubona për portalin nova.rs.

“Ai filloi të qëllonte në Dubona dhe më pas vizitoi dy fshatra të tjera. Ai e vrau edhe policin që tentoi ta ndalonte”, tha banori i zonës.

Banorët e Dubonës thonë se babai i sulmuesit ishte kolonel dhe se sulmuesi “ishte djalë i mirë.” “Nuk ka qenë problematik, gjithmonë dukej një fëmijë i qetë dhe i mirë. Babai i tij erdhi këtu për Pashkë dhe bleu një derr”, tha një vendas për Kurir.

Babai i tij thuhet se punon në Beograd, në një pozitë të lartë në ushtri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera