Lajme

Detaje të reja rreth skandalit me ndërrimin e foshnjave në QKUK

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 23 September 2022

Mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) një foshnje ka ndërruar jetë, me ç’rast babai i viktimës e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.

Sipas babait të foshnjës, infermierja e Klinikës i ka treguar për lindjen e foshnjës, dhe më pas i ka ardhur lajmi se është ngatërruar foshnja, pasi foshnja e tij kishte lindur pa shenja jete.

Në raportin e Policisë së Kosovës ankuesi ka raportuar se dyshon që është ndërruar foshnja.

Siç thuhet në raport, lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion.

Ndërsa, siç bëhet e ditur në raport, rasti vazhdon të hetohet.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dyshon se viktimës femër kosovare i është ndërruar foshnja. Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport të Policisë së Kosovës.

Si ndodhi ngjarja?

Një lëshim i një infermiere e bëri lëmsh gjithë repartin e Gjinekologjisë në QKUK. Ajo kishte lajmëruar prindërit e njërës foshnje që kishte vdekur, krejt gabimisht. Sinjali raportoi me detaje se si prindërit menjëherë denoncuan rastin dhe nisën hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Kjo ka bërë që SHSKUK të dalë me reagim.

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar ka njoftuar se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjeve por sipas tyre për dhënie të paautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.

ShSKUK ka dhënë detaje edhe për foshnjën e vdekur.

“Në lidhje me raportimet në medie se janë “ ndërruar foshnjat” në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjeve, por për dhënie të pautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.

Në lidhje me foshnjën e vdekur, gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnje saj nuk do të mbijetonte.

Deri të ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër dhe infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit.

Menaxhmenti i Klinikës së Neoantologjisë ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.

Drejtoria e ShSKUK, rikujton se në Qarkoret Informative të lëshuar së fundmi ka njoftuar klinikat dhe spitalet, se për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit.”

Të tjera