Lajme

Detaje nga zjḁrri i madh në afërsi të Aeroportit të Prishtinës – digjen 20 vetura ka edhe persona të lënduar (PAMJE)

Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 13 August 2024

Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmë pas mesnate në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. 

Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi tha për Telegrafin se zjarri kishte shpërthyer në pjesën e “Go Karting”, që ndodhet në Sllatinë.

“Informata është pranuar rreth orës 01:15 për zjarr në një lokal afarist në rrugën e Aeroportit në Go Karting. Në vendngjarje lokali në fjalë kishte dy pjesë, pjesa e marketit dhe pjesa e garazheve për karting e cila ishte përfshirë e tëra në flakë”, ka thënë Gashi.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se dy persona kanë pësuar djegie në fytyrë dhe duar gjatë tentimit për ta shuar zjarrin.

“Pjesa e maketit nuk është djegur përveç dritareve që janë thyer nga temperatura. Dy persona gjatë tentimit për ta shuar zjarrin kanë pësuar djegie në fytyrë dhe duar dhe janë dërguar në spital për trajtim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për Gazetën Infokus se nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara, dhe se vetëm një person është lënduar.

“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale” ka deklaruar Ahmeti.

Ajo ka shtuar se personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera