Lajme

Detaje nga Policia, hajnat e bankës në Rrugën B përdorën armë e eksploziv

Autori: H. Smajli 10:12 | 20 November 2020

Mëngjesin e së premtes hajnat grabitën bankën BKT në Rrugën B në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka dhënë detaje për Gazetën inFokus në lidhje me këtë rast.

Sipas Ahmetit vjedhja ka ndodhur në orën 05:30 të mëngjesit dhe hajnat kanë përdorur edhe eksploziv për të shpërthyer bankomatin e kësaj banke.

-Advertisement-

“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në rrugën “B” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore”, ka konfirmuar Ahmeti.

Sipas rezultateve të para nga hetimi i policisë hajnat duke ikur nga vendi i ngjarjes kanë shtënë edhe me armë zjarri.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë  edhe me armë zjarri. Nuk raportohet për persona të lënduar. Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka deklaruar ajo./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera