Lajme

Detaje: Kush qëndron pas shpërthimit në veturën e u.d. drejtorit të QKUK-së

Autori: Gazeta inFokus 16:05 | 07 May 2025

Personi që kreu shpërthimin në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Osman Hajdari, është identifikuar nga autoritetet si Bajram Kiqmari.

Bajram Kiqmari, siç mëson Paparaci, është emër i njohur për organet e rendit në Kosovë për shkak të kaluarës së errët kriminale.

Ai ka qenë i përfshirë në vrasjen e dy zyrtarëve policorë të UNMIK-ut, më 23 mars 2004 në Podujevë.

-Advertisement-

Kiqmari u arrestua sot në Podujevë, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ai po hetohet për disa vepra penale serioze, përfshirë: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Zjarrvënia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shpërthimi në veturën e u.d. të drejtorit të QKUK-së, ndodhi më 30 prill të këtij viti.

SHSKUK kishte dalë me njoftim zyrtar ku deklarohej se dëmtimi i veturës ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së.

Ndërkaq, Hajdari shpërthimin e kishte lidhur me detyrën e tij zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për rregull e rend në QKUK.

Ai pati thënë se në momentin e shpërthimit ai ndodhej në zyrë dhe se automjeti ishte parkuar në oborrin e QKUK-së. Ai e lidhi këtë akt të rëndë me detyrën e tij zyrtare dhe luftën kundër grupeve të interesit brenda institucionit, shkruan Paparaci.

“Unë si zakonisht udhëtoj me makinën time private, Kam ardhur rreth orës 8:20. Jam vendosur në parkingun e QKUK-së, pastaj kam vazhduar punën si zakonisht. Pas nja një ore e diçka, drejtori i përgjithshëm më njoftoi që ka një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Është një mjet shpërthyes në makinën time. Konsideroj që lidhet me puna e përditshme në krye të institucionit të QKUK-së, meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem. As në të kaluarën, as tash.

Konsideroj që krejt ky akt lidhet më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosurur rregull e rend në QKUK dhe ndoshta kjo punë ju pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera që mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së dhe të tjerë. Këto grupe nëse i kanë zgjedhur këto metoda dhe këto mjete të na frikësojnë e kanë shumë gabim. Do të jemi shumë të vendosur si asnjëherë më parë për të luftuar dukuritë negative, qoftë korruptive, qoftë abuzive”, tha Hajdari në ditën e sulmit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera