Lajme

Detaje| Kjo është arsyeja pse sekretari i MI-së u bë “mollë sherri” mes Abrashit dhe Veliut

Autori: Doresa Geci 16:09 | 03 March 2021

Vetëm gjatë kësaj jave, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi është shkarkuar dy herë.

Të hënë ai u shkarkua nga Ministria në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, derisa të martën ai u emëruar përsëri nga Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Mirëpo, si duket Abrashi nuk u pajtua me këtë vendim të bashkëpartiakut të tij, shkruan Gazeta Infokus.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE: Izedin Bytyqi e Nexhat Krasniqi mollë sherri ndërmjet Arban Abrashit e Agim Veliut

Bytyqi i cili është bërë “mollë sherri” mes Abrashit e Veliut, është shkarkuar përsëri këtë të mërkurë nga Abrashi.

Në dokumentin që ka siguruar Gazeta Infokus, arsyeja e shkarkimit të Bytyqit është kthimi në punë i Nexhat Krasniqit në pozitën e Udhëheqësit të Departamentit të Prokurimit.

Sipas MI-së, Bytyqi duke kthyer në punë Krasniqin e ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

“Sekretari i Përgjithshëm z. Izedin Bytyqi më datë 26.02.2021 ka kthyer në punë Udhëheqësin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës Nexhat Krasniqi, duke vepruar në kundërshtim me Aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës CML. Nr. 12/2019 i datës 18.11.2019. Aktvendimi i Gjykatës Supreme në fjalë në mënyrë taksative ka aprovuar kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisësë Ministrisë së Infrastrukturës, me ç’rast ka hedhur poshtë vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit”, thuhet në vendimin e siguruar nga Gazeta Infokus.

Po ashtu në vendimin e MI-së thuhet se Bytyqi ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Lexo edhe: Agim Veliu e anulon vendimin e Arban Abrashit, e quan të kundërligjshëm

“Nga veprimet e Sekretarit të Përgjithshëm është vërejtur se në shkresë si përgjigje zyrtare nuk është përcjellë në KPSHMC asnjë element i aktvendimit të Gjykatës Supreme madje as kopja e aktvendimit, e cila i ka dhënë të drejtë MI duke e konsideruar të kundërligjshme kthimin e Nexhat Krasniqit në MI, me ç’rast ka kontribuar për nxjerrjen e një vendimi lajthitës nga ana e KPSHMC-së dhe nuk është zbatuar vendimi i gjyqësorit” thuhet mes tjerash në këtë vendim.

Kujtojmë që të hënën në vend të Izedin Bytyqi ishte emëruar si sekretar Zymer Avdullahu i cili është shkarkuar nga Agim Veliu.

Emërimi Avdullahit sipas Veliut ishte konsideruar si akt administrativ i paligjshëm./Gazeta Infokus/

Të tjera