Lajme

Dështon të nisë gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, mungojnë Sveçla dhe Pacolli

Autori: Gazeta inFokus 17:56 | 10 May 2022

Në mungesë të ministrit së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të nis gjykimi ndaj tyre dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Drita Millaku, të cilët po akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve, Svelça dhe Pacolli-Dalipi, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj deklaroi se gjykata nuk ka dëshmi nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

-Advertisement-

Tutje, gjykatësi Sadikaj tha se varësisht nga fletëkthesat të cilat do të kthehen në gjykatë, gjykata do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale konform dispozitave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Blerim Igrishta dhe të akuzuarit Millaku e Zyba.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, seanca fillestare për këtë rast u shty në kohë të pacaktuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera