Lajme

Dështon gjykimi ndaj Mytaher Haskukës e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 15 December 2021

Në mungesë të ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe tre ish-deputetëve tjerë, Enver Hoti, Shqipe Pantina dhe Teuta Haxhiu ka dështuar të nis gjykimi në rastin ku së bashku me ish-kryetarin e Komunës së Prizrenit Myhater Haskuka po akuzohen se më 2016 hodhën gaz lotsjellës në Kuvend.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Hoti dhe Haxhiu, gjykatësi Adnan Kamberi deklaroi se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar fletëkthesën nga Posta e Kosovës për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për mungesën e të akuzuarës Pantina, gjykatësi Kamberi bëri të ditur se gjykata ka prova se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

-Advertisement-

Kurse, për të akuzuarin Selimi, gjykatësi Kamberi ka thënë se gjykata ka pranuar fletëkthesën në të cilën rezulton se e ka pranuar një person tjetër.

Për Selimin, gjykatësi tha se tanimë dihen shkaqet e mungesës së tij, pasi që i njëjti gjendet në një tjetër procedurë gjyqësore.

“Gjykata do të marrë edhe një konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me Rexhep Selimin edhe pse për të është një fakt notor që i njëjti është në një procedurë tjetër gjyqësore, e pastaj gjykata do të veprojë konfrom dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, tha gjykatësi Kamberi.

Ndërsa, lidhur me sigurimin e prezencës së të akuzuarve Hoti dhe Haxhiu në seancën e radhës, gjykatësi tha gjykata po sa t’i pranojë fletëkthesat nga Posta e Kosovës do të veprojë sipas dispozitave ligjore.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm askush nga përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të cilët gjykatësi Kamberi deklaroi se gjykata ka prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Të pranishëm në këtë seancë ishte prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari Haskuka dhe përfaqësuesi i zyrës ligjore pranë Policisë së Kosovës, Çlirim Hajdini.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 8 tetor 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën sipas së cilës rezulton se të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi  akuzohen se secili veç e veç i kanë kryer veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në aktakuzën e përpiluar më 15 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Enver Hoti, Shqipte Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se gjatë rrjedhjes së seancës, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç ‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, në kohë, vend dhe mënyrë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi po akuzohen se kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare – deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në atë  mënyrë që posa ka filluar seanca e Kuvendit, pas aktivizimit të gazit lotsjellës është ndërprerë seanca plenare.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon ata për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani i akuzuari Rexhep Selimi, për shkak të akuzave për krime lufte është duke u mbajtur në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera