Dështon gjykimi ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve, mungon anëtarja e trupit gjykues
Autori: Gazeta inFokus 11:20 | 20 September 2022
Mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Çerkini, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Lidhur me mungesën e gjykatëses Çerkini, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari tha se e njëjta është në një udhëtim zyrtar jashtë vendit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘E njëjta nuk ka qenë e njoftuar për udhëtimin kur e kemi caktuar seancën por është njoftuar më vonë’’, shtoi gjykatësi Bajraktari.
Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte e pranishme prokurorja speciale Habibe Salihi, e cila sipas gjykatësit Bajraktari e ka njoftuar se do të vjen me vonesë për shkak se është e angazhuar në një seancë tjetër në po këtë gjykatë.
Ndërkaq, lidhur me mungesën e mbrojtësit të të akuzuarit Shefki Zeqirit, avokatit Mentor Neziri dhe mbrojtësit të të akuzuarti Lindar Krasniqit, avokatit Alban Makolli, gjykatësi Bajraktari deklaroi se të njëjtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Ndryshe, edhe seanca e 28 korrikut 2022 kishte dështuar për shkak të mungesës së gjykatëses Çerkini, ndërkaq seanca e 3 gushtit 2022 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së ish-ministrit Rikalo.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 5 tetor 2022.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.
Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.
Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.
Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.
Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.
Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.
Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. /BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
“Ai ka qenë forca ime”, Nasim Haradinaj përlotet në studio për vëllain që i vdiq sa ky ishte në Hagë- Specialja nuk i dha leje për varrimin e tij
Nasim Haradinaj ka folur për vdekjen e vëllait të tij, Agronit, për të cilin ...
-
Thëngjill para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e protesta para KEDS-it – Si reagonte Vetëvendosja opozitare përballë reduktimeve të energjisë elektrike
Qytetarë nëpër zona të vendit po përballen këtë javë me ndërprerje të energji...
-
Vendimi i PZAP-së për Listën Serbe, KQZ: Ka kohë 48 orë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka miratuar sot ankesën e ...
-
Ministrit serb i ndalohet vizita në Kosovë
Institucionet e Kosovës e kanë refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit të M...
-
A duhet të largohet veshka nga personi nëse është dëmtuar nga gurët?
Në emisionin DoktorPlus me Arjeta Osmanin i ftuar ishte doktor Ardit Kryeziu,...
-
Vuçiq: Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës me asnjë çmim
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do ta njohë me asnjë...
-
Reagon Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt
Disa rajone të Kosovës po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elekt...
-
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet nëse KQZ-ja do të vazhdojë ta shkel ligjin
Lista Serbe ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka a...
-
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajtim mjekësor në QKUK
Të pakën 22 persona kanë mbetur të lënduar pasi një autobus ka përfunduar jas...
-
Haradinaj rrëfen momente të vështira nga Haga: Thaçin nuk e kam pa kurrë ashtu, ju tha gjithçka
Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer momentet e vështira...
-
Memli Krasniqi do të udhëheqë shtabin zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të udhëheqë pers...
-
Kelmendi e quan Muratin ‘ministër lazadran’: Poshtërsia s’paska kufinj, ky popull s’e duron talljen dhe fyerjen e dinjitetit
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pas postimit të ministrit Hekuran Murat...