Fokus

Dështimi në një shpronësim pronash, shteti detyrohet të paguaj mbi 1 milion euro vetëm kamatë

Autori: Gazeta inFokus 14:23 | 06 September 2021

Mbi një milion euro është borxhi që i është grumbulluar Qeverisë, për shkak të dështimit të ekzekutimit të vendimit për shpronësimin e pronave në një segment të trasesë së autostradës Vërmicë- Merdare, shkruan Gazeta Infokus.

Derisa borxhi fillestar ishte pak më shumë se 660 mijë euro, tash ky borxh ka arritur në shumën prej rreth 1.7 milion euro.

I gjithë ky borxh është shkaktuar për shkak të vonesës 10 vjeçare në ekzekutimin e pagesave.

-Advertisement-

Këtë rast e ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“Në një rast kemi vërejtur se me vendimin e Qeverisë nr.08/148 të datës 05.11.2010, që ka të bëjë me shpronësimin e pronave të paluajtshme të ngastrave kadastrale, borxhi fillestar ishte 662,476 €, mirëpo për shkak të vonesave 10 vjeçare (2010-2020) në ekzekutimin e pagesave, borxhi ishte rritur në 1,692,551 €, pra me një kosto shtesë prej 800,974 € në emër të kamatave (7% vjetore) dhe 229,101 € për shpenzime tjera administrative dhe procedurale që i obligohen MEA-s për t’i mbuluar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Infokus ka gjetur vendimi të cilit i referohet ZKA ka të bëjë me shpronësimin e pronave private në ngastrat kadastrale Tërnje, Leshan, Reshtan dhe Suharekë.
Ky vendim është marrë në kohën kur në krye të Qeverisë ka qenë Hashim Thaçi.

Asokohe, ishte përcaktuar që pas hyrjes në fuqi të vendimit, Ministria për Ekonomi dhe Financa të paguante plotësisht shumën e kompensimit të pronave të shpronësuara.
Por, kjo gjë nuk ka ndodhur!

ZKA ka konkluduar se “vendimet e Qeverisë për shpronësime të tokave për projektet e ndryshme infrastrukturore krijojnë obligime financiare që kanë kosto relativisht të larta dhe të njëjtat nuk janë të buxhetuara për mbulimin e obligimeve që rezulton me krijimin e shpenzimeve tjera shtesë”.

Si rekomandim i kësaj zyre është se me rastin e nxjerrjes se vendimeve për shpronësimin e pronave, Qeveria duhet të analizoj dhe të bëjë një vlerësim të kostove financiare për projektet përkatëse.

Po ashtu, Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Financave i është rekomanduar t’i buxhetoj mjetet financiare dhe të ekzekutoj me kohë pagesat në mënyrë që të mos krijohen shpenzime shtesë nga organizatat buxhetore për shpronësimin e pronave./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera