Lajme

Dështimi i seancave, KDI: Gjendja kritike, deputetët po abuzojnë – Konjufca t’i publikojë emrat e atyre që mungojnë

Autori: Gazeta inFokus 20:44 | 22 May 2023

Të mërkurën Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës, ku do të diskutohen pikat e mbledhura nga seancat e kaluara.

Kjo seancë vjen pas dy javësh që seancat nuk janë mbajtur, e pika të pashqyrtuara ka nga muaji shkurt.

Ndërkaq, sot dështoi mbledhja e kryesisë së Kuvendit, për shkak të kuorumit.

-Advertisement-

Si pasojë e kësaj të fundit po dështojnë edhe shumë seanca të Kuvendit, e po ashtu po dështon dhe votimi i shumë ligjeve.

Lidhur me këtë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së fundi ka tërhequr vërejtjen e deputetëve që nuk po marrin pjesë në seanca.

Për dështimin e seancave, hulumtuesja e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli, thotë për Gazeta Blic se Kuvendi nuk po arrin t’i mbledh 61 deputetë të nevojshëm për t’i trajtuar 22 pika të mbledhura.

“Ka dy javë që Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur asnjë seancë për shkak të mungesës së kuorumit. Kuvendi nuk po arrin që t’i mbledh 61 deputetë, të nevojshëm për të trajtuar 22 pika që janë grumbulluar nga seancat e kaluara, por edhe për të shqyrtuar ligje të reja dhe çështje të tjera që janë më rëndësi për qytetarët e vendit”, thotë ajo.

Haxholli thekson se në këtë vit, 3 seanca kanë dështuar brenda 3 muajve, ndërsa në 7 të tjera s’ka pasur kuorum.

“Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, tri seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe në shtatë seanca të tjera, nuk ka pasur kuorum për votim. Por, pse po ndodh një problem i tillë në Kuvend, sidomos kur dihet se 40 për qind e deputetëve janë zgjedhur për herë të parë në këtë legjislaturë. Pastaj kur shihen edhe listat e nënshkrimeve, në seancë figurojnë më shumë se 90 deputetë”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.

Ajo përmend dhe kritikat e Konjufcës, teksa shton se deputetët po abuzojnë me faktin se kanë funksion të pavarur, por që nuk është ashtu.

“Në seancat e fundit, edhe vetë kryetari i Kuvendit i ka kritikuar deputetët për mos pjesëmarrje të rregullt në punimet e Kuvendit. Ai i ka quajtur ata të papërgjegjshëm, për shkak se nuk po e kryejnë funksionin e tyre të deputetit. Deputetët po abuzojnë me faktin se funksioni i tyre është i pavarur dhe nuk mund të imponohet nga askush. Por a do të thotë që të jesh i pavarur, të jesh i papërgjegjshëm? Kjo është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2011, e cila në një vendim të atij viti, ka theksuar që deputetët janë të obliguar nga legjislacioni në fuqi, për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, e përveç kësaj, janë të obliguar edhe ndaj zgjedhësve të tyre”, deklaron Haxholli.

Ajo bën thirrje që kryetari i Kuvendit t’i publikojë emrat e deputetëve që mungojnë dhe qytetarët të kërkojnë llogari nga ta.

“Në këtë situatë kritike për Kuvendin, ne kërkojmë nga kryetari që të publikojë emrat e deputetëve që po mungojnë, por njëherësh kërkojmë edhe nga qytetarët që të jenë më aktiv, duke kërkuar llogaridhënie nga deputetët të cilët i kanë votuar”, thotë Violeta Haxholli nga KDI.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera