Lajme

Dëshmitari në gjykimin e Mustafës: Dy femra më morën në pyetje, nga njëra ende e kam një shenjë

Autori: Gazeta inFokus 16:49 | 05 October 2021

Dëshmitari i tretë i mbrojtur në rastin ku Salih Mustafa po akuzohet për krime lufte, në seancën e së martës ka deklaruar se dy femra kanë marrë pjesë në marrjen e tij në pyetje, e se nga njëra ende e ka një shenjë.

“E di që kanë qenë dy femra aty, njona bile si pasojë vuj hale kam shenj prej saj, kur s’na kanë marr në pyetje ato, na kanë marr këta tjerët, po ajo në atë rast ndodhi dhe e kam një shenjë prej një femrës aty”, ka thënë ai.

Duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të Mustafës, avokatit Julius Von Bone, dëshmitari ka rrëfyer sërish se si kishte shkuar për tu kyçur në UÇK, se si e kishin marrë e edhe si e kishte goditur komandanti.

-Advertisement-

Ai ka deklaruar se pasi i morën të dhënat kur shkoi për tu kyçur në UÇK, më pas iu treguan se ku duhet të flenë, ku duhet të qëndrojnë dhe vazhduan në atë shkollën aty.

Ai deklaroi se aty kanë mësuar disa stërvitje, ushtrime, këshilla.

“Na në stërvitje kemi qenë gjithë kur kemi shku i ka kry stërvitjen Adem Shehu dhe Triumfi si i thojshin, kemi shku qashtu kallabllak edhe me personat tjerë çka jon kon aty”, ka thënë ai.

Avokati ka kërkuar të di nga dëshmitari se si e kaloi ditën e parë, çfarë ndodhi të nesërmen në mëngjes e çfarë stërvitje kanë bërë.

“Jena dal, u kon si livadh teposhtë ku janë kon disa objekte të stërvitjes, t’ka shti me nga, me bo stërvitje, disa zvarritje, qisi sene si lloj ushtrime të ushtrisë kanë qenë diçka”, ka thënë ai.

Tutje, i njëjti deklaroi se kur kanë shkuar të stërviten, kanë qenë diku 17, 18 apo 20 persona si grup, e se në shkollë ku kanë qëndruar ka pas më shumë njerëz.

“S’po di qysh me ta përshkru, psh. je qu në mëngjes ke nejt me disa individ disa shokë aty, kur u ardh koha stërvitjes kemi vazhdu me Adem Shehun dhe Triumfin kemi vazhdu te pjesa e stërvitjeve, kemi kry stërvitje për 1 orë, a bon vakia 2 or 2 or e gjys derisa jena lodh mirë sene, jemi kthy në shkollë, kemi nejt, kemi hangër drekë dhe qashtu kanë shku ato ditë sa kam nejt aty”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari i tretë i mbrojtur ka sqaruar më konkretisht stërvitjet që kanë bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, muj me ta shpjegu nashta pak ma shumë, ke pas druna, konopa me u kap me hyp në to, ke pas me shku zvarrë ka pas druna me tela je shku zvarrë, ke pas druna për me nga në to, ke pas druna për me bo ushtrime, disa ushtrime qishtu”, ka thënë ai.

Gjatë ditëve të qëndrimit aty tha se janë stërvitur nga Adem Shehu e personi Triumf, e sipas tij, stërvitës të tjerë përpos tyre ato ditë sa ka qëndruar aty nuk ka pas, për këta dy të fundit shtoi se kanë qëndruar në të njëjtin objekt, e se kjo shkollë ka pasur dhoma të ndara.

“Shkolla bike si në kodër kështu, ajo ka qenë si në mes dy kodrave kështu, ka qenë me thënë përafërsisht nja 15 minuta larg prej shkollës. Po thom përafërsisht se nuk e di saktë, por përafërsisht sa ma merr mendja mu që ecshim”, tha ai kur iu kërkua të shpjegonte distancën mes vendit ku stërviteshin dhe shkollës.

Ai konfirmoi se ka përmendur më herët se ka qenë edhe një femër, e cila tha se ka qëndruar në të njëjtën ndërtesë, po se nuk ka qëndruar me ta.

“Në të njëjtën ndërtesë ka nejt, në tjera dhoma apo ku t ta di unë, ama me neve nuk ka nejt”, ka thënë ai, dike shtuar se nuk i kujtohet se sa femra ka pasur në atë shkollë.

“Nuk më kujtohet, për femra nuk më kujtohet, për mashkuj kanë qenë shumë, për femra nuk më kujtohet dhe s’kemi pas kontakt mo aty kështu me femra me diçka”, ka deklaruar tutje dëshmitari W01679.

Ai ka thënë̈ se personat me të cilët ka shkuar në Zllash kanë ikur nga ai vend, pasi e kishin marrë atë.

“Nuk e di çfarë detyre ju kanë dhënë, masi jam liru kur jam shku i kam taku në shpi të vet, ata më kanë thënë se masi më kanë marr mu, janë largu prej atyhi e kanë ik, mas disa dite ishin largu prej atyhi kishin ik dhe kanë shku në shpi të vet”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmia e tij vazhdoi me momentin kur e morën nga shkolla në Zllash dhe konfirmoi se e kanë marrë katër persona, ku njëri prej tyre tha se ka shkuar te Fatmir Sopi e të tjerët kanë qëndruar me të.

Kur u pyet se a është i sigurt se ky personi tjetër ka shkuar te Fatmir Sopi, ai tha se ai person ka hyrë në vendin ku rrinte Fatmir Sopi e Adem Shehu.

“Fatmir Sopi ka qenë si një zyrë e vogël, aj shkoj hini qaty ku rrishin Fatmir Sopi, Adem Shehu qita, ai shkoi u drejtu në qat pjesë, sem ka intresu edhe se kam besu që ndodhin ksi gjana. Çka kanë bo brenda, ata e dinë, unë nuk e di”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në rroba kanë pasur embleme me shqiponjë, e se ka shënuar në të BIA. Tutje, ai deklaroi se nga shkolla vazhduan të ecnin dhe shkuan te një objekt tjetër, ku i kanë vënë pastaj diçka në kokë.

“Nuk ka qenë shumë larg prej shkolle, me thanë, me menimin tem njo 20 minuta nashta kemi ec, tash nuk e di saktë, por po thom ashtu përafërsisht njo 20 minuta”, rrëfeu ai, duke shtuar se e morën e i thanë ka punë diçka komandanti me ty, ka me të pyet diçka. Tha se kur shkoi aty, ia hoqën atë gjë nga koka.

“Aty kur ka fillu mem pyt e ato o sene , e kam msu aty edhe e kam dit që po shkoj mem pyt një komandat, s’kom dit kush o komandant a çka, më kanë thënë po t’çojmë me të pyt komandanti diçka edhe e kom dit që jom tu u drejtu te qaj njeri dhe që o komandant që paska lyp me fol”, ka thënë dëshmitari W01679.

Tutje, i njëjti është pyetur nëse mund ta përshkruante komandantin për të cilin po flet, për çka ai u përgjigj: “Se kuptoj qysh me ta përshkru, s’po di qysh me ta përshkru, është i akuzuari yt që po e mbron ti, shumë thjesht veç ka mujt me qenë noshta një tro ma i dobët”.

Dëshmitari i mbrojtur vazhdoi dëshminë e tij duke rrëfyer për komandantin, se çfarë i tha ai e si e goditi.

“Komandati ish kon aty ul, tu nejt edhe thanë qe të prunëm komandant kta tjerët, më pyti, me lara me asi të ushtrisë, ja nisi me me pyt çka ke ardh ktu disa gjana këtu, unë i kallxova jam ardh me u kyç në luftë me kontribu diçka, ja nisi me bërtimat e veta sjelljet e veta, jo po rren jo kshtu, jo kallxo, jo t’mys e kshtu dhe u çu më goditi dhe pastaj fillun kta tjerët, kta tjerët e vetën çka me bo tha mytne krejt tha mytne. Kshtu ka qenë sa më kujtohet se ka gjana shumë që edhe sot s’më kujtohet, por me aq sa më kujtohen po mundona mi sqaru”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se komandanti kishte pasur të veshur jaknen e ushtrisë dhe nuk ka qenë i veshur me uniformë të zezë si të tjerët, si dhe konfirmoi se pas të rrahurës e dërguan në stallë.

“Nuk ka qenë shumë shumë e madhe, nuk di sa me të thënë e madhe, po ka qenë tokë, kashtë, ksi lloj kashte të lopëve, ka qenë lagështi, durna gur, me ksi sene, sa ka qenë e madhe s’po di sa me thon, sa ni dhomë ndoshta”, tha ai, duke iu referuar stallës.

E kur u pyet nëse mund ta prekte tavanin, deklaroi se nuk e di e se në atë kohë ka qenë edhe më i vogël e më i shkurtë.

“Nuk më kujtohet, nuk di edhe pse në atë kohë kam qenë i shkurt me trup ma merr menja s’kisha mujt me mrri, kam qenë ma i vogël, ma i shkurt”, deklaroi dëshmitari.

Tutje, kur u pyet se a kishte dritare, tha se nuk i kujtohet, se ka qenë një derë me dërrasa që ndonjëherë hynte drita, por se diçka tjetër nuk ka vërejtur pasi nuk ke qenë në gjendje t’i shikoj detajet.

Dëshmitari deklaroi se ditën e 18-të është liruar dhe se pothuajse çdo ditë është rrahur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pothuajse sdi a ka naj ditë që ke pshtu ma leht se për me të rreh e ke pas përditë, se kush ka hi aty naj shkelm naj boks, ato kanë qenë më të lehta, pothuajse gati vazhdimisht ke pas rrahje. Po aty ke pshtu ma lehtë poshtë, nalt u kon ma vështirë”, ka thënë ai.

Dëshmitari shpjegoi se kur e kanë dërguar lartë për ta rrahur edhe i kanë bërë pyetje.

“Të kanë bo pytje, a je menu me na tregu për çka ke ardh këtu, njëfarë kohe me qato fjalë, mas ni kohë më bonën edhe hajn, ma kthyn në hajn, edhe çka kanë dashtë, thjesht çka kanë dashtë, qysh ju ka konvenu, kanë bo hajgare me njerëz”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu mohoi se ka qenë i pranishëm komandanti në secilin rast që e kanë rrahur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera