Lajme

Dëshmitari Gashi: Kemi menduar që në paketat e mbërritura me dokumente në OVL-UÇK, ka bombë

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 10 December 2021

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari mbrojtjes, Qelë Gashi i cili është anëtar i këshillit drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në seancën gjyqësore ndaj Hysni Gacatit dhe Nasim Haradinajt, ai ka thënë se në paketat që kishin arritur në OVL-UÇK kishte dokumente në gjuhën serbe dhe emra serb ndër të cilët edhe Vukoviq. Gashi ka deklaruar se me publikimin e tyre kanë synuar të informojnë publikun që Serbia po i jep informata Gjykatës Special.

Në deklaratën e tij më shkrim, të cilin e ka lexuar mbrojtja, Gashi ka thënë se më 7 shtator ka qenë bashkë me Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Faton Klinkun në zyrën qendrore të OVL-UÇK në Prishtinë kur rreth orës 10:00 dikush kishte sjellë paketa me dokumente. “Skena ishte shumë hetuese, disa thonin që paketa kishte bombë dhe kjo shkaktonte panik, megjithatë kur Nasimi shkoi të shikonte ne e kuptuam që në paketë kishte vetëm letra, sapo u kuptua një gjë e tillë situate u qetësua”, ka thënë ai në deklaratën e tij me shkrim.

Ai ka thënë se i ka shikuar pjesërisht dokumentet dhe ka parë që shumë prej tyre ishin në gjuhën serbe dhe përmbanin emra serb.

-Advertisement-

“Duke shikuar paketën me dokumente mendova me vetvete se si ka mundur ZPS të bie në nivelin e Serbisë, isha i hutuar lidhur me qëllimin e arsyes pse ishin sjellur dokumentet. Ne menduam që publiku kosovar duhet të informohej lidhur me përmbajtjen e paketës meqë kjo do të minonte Dhomat e Specializuara të Kosovës(DhSK) i cili është organ që ne nuk e njohim si legjitim. Ne nuk kemi dashur të japim emra vetëm kemi dashur t’i tregojmë publikut që Serbia ja ka dhënë informatat Hagës”, ka thënë Gashi në deklaratën e tij me shkrim.

Gashi ka thënë se nuk i ka lexuar të gjitha dokumentet që kishin arritur më 7 shtator në OVL-UÇK meqë sipas tij numri i tyre ishte i madh.

Dëshmia e Qelë Gashit vjen pasi dje në Dhomat e Specializuara janë dëgjuar katër dëshmitarë të mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./KP.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera