Lajme

Dëshmi të reja për laboratorin që po kryen ilegalisht teste për COVID-19 në Prishtinë (DOKUMENT)

Autori: H. Smajli 11:37 | 10 July 2020

Teste për virusin COVID-19 po kryhen ilegalisht në laboratorin Avicena-Ks në Prishtinë.

Gazeta inFokus ka raportuar përmes dëshmitareve, të cilët kanë kryer testin në këtë laborator, ani pse një gjë e tillë është e ndaluar, kjo nuk e ka penguar Avicena-ks që të vazhdojë testimet.

Në një hulumtim të realizuar gjatë kësaj jave, Gazeta inFokus ka sjellë dëshmi të qytetarëve për mënyrën e fshehtë të testimit dhe dyshimet edhe për saktësinë e testeve.

-Advertisement-

E për këtë Gazeta inFokus ka siguruar edhe dëshmi të reja, dokumentin me të cilin laboratori Avicena-Ks u ka kthyer pacientëve rezultatin e testit se a kanë dalë pozitiv apo jo.

Gazeta inFokus ka raportuar qysh të mërkurën për këtë veprimtari të paligjshme që po e bën ky laborator mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje as nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nga Inspektorati Shëndetësor për këtë çështje.

Zyrtarisht në Kosovë, asnjë klinikë apo laborator privat nuk ka leje nga institucionet kompetente për të bërë testimet PCR, për të përcaktuar nëse virusi është aktiv.

Megjithatë, pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti, më 5 korrik ka thënë se Qeveria e Kosovës, planifikon që të licencojë institucione private të kujdesit shëndetësor për të kryer testime.

Por, në këtë laborator nuk duket se kanë pritur qeverinë të marrin vendim, ata kanë publikuar edhe në faqen e tyre online të dhëna se si mund të drejtohen qytetarët për këtë shërbim.

“Kapaciteti është deri në 50 teste në ditë, me çmim nga 20€. Testimi kryhet vetëm me një termin të caktuar, që bëhet paraprakisht përmes numrit të telefonit 049 xxx xxx, që është në dispozicion në intervalin kohor 08:00-20:00”, thuhet në njoftimin që kanë vënë në faqen zyrtare të këtij laboratori.

Pacientët që nuk kanë caktuar termin për testim, thuhet se nuk do të pranohen për marrjen e mostrës./Gazeta inFokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera