Lajme

Deputetja e VV-së: Nuk presim nga Lista Serbe që të thonë se nuk i përdorin targat ilegale

Autori: Gazeta inFokus 18:53 | 24 November 2022

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se nga Lista Serbe nuk pret se do të ketë ndonjë qëndrim tjetër pos atij që e pati sot, sa i përket marrëveshjes për targat që u arrit në Bruksel dje.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ajo ka deklaruar se nga ujdia që u arrit dje Kosova është fituese.

“Fituam nuk e di pse duhet të kemi dyshime këtu, të mendojmë se mos rastësisht humbëm. Kjo që po e diskutojmë ne është qëndrim i Listës Serbe. Sigurisht që ne nuk presim prej Listës Serbe të dalë të thotë ne e pranojmë, dhe më nuk do t’i shfrytëzojmë tabelat ilegale që i ka prodhuar deri më tani Serbia, është qëndrim i Listës Serbe”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

-Advertisement-

“Prej Listës Serbe unë nuk pres të ketë qëndrim tjetër pos këtij që e kemi parë sot, të ngjashme do të shohim edhe në vazhdim. Ne nuk i kemi dërguar katër komuna në zgjedhje, ato i ka dërguar presidenti serbe, Aleksandar Vuçiq me direktivat e tij prej Beogradit”.

Kryeziu-Hyseni ka pohuar se kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit për targat për dhjetë muaji, doli se nuk është e nevojshme pas marrëveshjes që u arrit dje në Bruksel.

“Edhe pas 10 muajve do ta gjenim veten në një situatë të njëjtë. Kemi dërguar mesazh tek negociuesit që kërkonin që diçka të shtyhet për 10 muaj apo 12 muaj deri tek një zgjidhje përfundimtare, paska mundësi të bëhet edhe më herët, kërkohej të shtyhej vendimi, por ja u rregullua çështja e targave dje”.

“Nuk patëm nevojë të presim për kaq shumë kohë, atëherë pse mos ta përshpejtojmë procesin dhe të shkojmë drejt arritjes së marrëveshjes finale deri në mars si e ka paraparë vetë Bashkimi Evropian”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera