Lajme

Deputetja e VV-së: Do të ndalojmë shitjen e pijeve energjike për të mitur

Autori: Gazeta inFokus 15:38 | 12 December 2019

Fitore Pacolli, Deputete e zgjedhur e Vetëvendosjes ka thënë se me ardhjen në pushtet të legjislaturës së ardhshme do të ndryshojnë ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Pacolli në një status në facebook tha se përveq duhanit dhe pijeve alkoolike të cilat ndalohen të shiten për fëmijë nën moshën 18 vjeqare kësaj liste do ti shtohen edhe pijet energjike.

Sipas saj shitja e pijeve energjike fëmijëve duhet të ndalohet me ligj dhe nëse shitësit nuk e respektojnë ligjin ata duhet të dënohen./Gazeta inFokus/

-Advertisement-

Ky është statusi i saj i plotë:

Sot në mëngjes qëllova në njërin nga marketet e mëdha që operojnë në vend derisa ishte pushimi i gjatë i ndërrimit të parë të shkollës fillore që ishte në afërsi. Ajo që më ra në sy ishin artikujt ushqimor që ata blenin.

Një grup i djemve 11-12 vjeç mbanin në dorë kanaçe me pije energjike që kishin blerë. Njëri nga ta, që dukej të ishte edhe më i ri në moshë, po e priste radhën që të paguaj. Ai mbante në dorë një litër e gjysmë pije energjike. Ndërsa për punëtoren kjo ishte një rutinë e përditshme.

Disa studime që janë bërë viteve të kaluara theksojnë se mbi 80% e fëmijëve në Kosovë konsumojnë pije energjike. Ndërsa studime të shumta nga institute të njohura nëpër botë identifikojnë efektet e shumta negative e të rrezikshme që këto pije shkaktojnë në shëndetin e të miturve.

Në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Neni 15, pika 1. “Ndalohet shitja, shërbimi dhe dhurimi i pijeve alkoolike dhe duhanit, personave nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare”. Këtë duhet ta ndryshojmë menjëherë në legjislaturën e ardhshme. Pijet energjike duhet të përfshihen.

Shitja e pijeve energjike tek fëmijët duhet të ndalohet me ligj dhe shitësit që nuk respektojnë ligjin të dënohen. Për prindërit dhe fëmijët duhet edukim dhe vetëdijësim rreth efekteve negative që shkaktojnë këto lloj pije në shëndetin e fëmijëve. E në të ardhmen shkollat duhet të ofrojnë ushqimin brenda objekteve shkollore ku fëmijëve iu servohet vetëm ushqim e pije të shëndetshme.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera