Lajme

Deputeti i VV-së: Po të kishte pak moral politik kjo qeveri dhe ky kabinet do të dorëhiqej

Autori: Gazeta inFokus 20:19 | 13 July 2020

Deputeti Fitim Uka, si anëtar i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes, tha se vetëm në dy javët e fundit 54 qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19 dhe 2341 të tjerë janë infektuar.

“Janë katërfishuar rastet dhe janë dyfishuar vdekjet dhe sikur kjo të mos mjaftonte qeveria u kujdes që për çdo ditë t’i maltretoj qytetarët me mesazhe kundërthënëse”, tha ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë për kapacitetet në QKUK, Uka potencoi se këto kundërthënie dhe kalimi nga ekstremi i heqjes së kufizimeve te shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, përbëjnë torturë edhe për shëndetin mendor të qytetarëve.

Ai përmendi premtimin e qeverisë për testime masive që sipas tij nuk duket askund në horizont, dhe kritikoi qeverinë që ka humbur qëllimin e mirëfilltë të testimit – si masë parandalimi për shpërndarjen e më tutjemë të virusit, duke i testuar tashmë vetëm ata që kanë simptoma ekstreme dhe deputetët e familjarët e tyre.

“Po të kishte pak moral politik kjo qeveri dhe ky kabinet do të dorëhiqej, por as nuk kemi dorëheqje dhe as hetim ku dikush do të duhej të jepte përgjegjësi për këtë gjendje”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Të tjera