Deputeti gjerman: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet, shans real për t’u bërë pjesë e BE-së

Autori: Gazeta inFokus
22:25 | 25 March 2023
Deputeti gjerman, Michael Helmut Roth ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 18 mars në Ohër, duhet të zbatohet nga të dyja palët.
Në një bisedë për mediumin serb “Novi Magazin”, Roth tha se Kosova, bashkë me pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë një shans real për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Jam këtu në momente vendimtare për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës dhe rruga për të dyja vendet është drejt Bashkimit Evropian. Dhe, e përsëris, jam plotësisht i bindur se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shans real për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ligjvënësi gjerman, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga elementët kyç për rrugën e tyre drejt BE-së.
Tutje, ai thotë se ndonëse shoqëria civile në Serbi është jashtëzakonisht e ndjeshme kur bëhet fjalë për Kosovën, në fund të fundit “ajo që na duhet vërtet është lidershipi i guximshëm”.
“Udhëheqja e guximshme e Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti për të kapërcyer polemikat, për të vendosur baza të përbashkëta për pajtim, besim të ndërsjellë… Dhe prandaj jam i sigurt se marrëveshja e Ohrit është një hap i rëndësishëm përpara dhe pritshmëria ime e qartë është që të dyja palët të zbatojnë atë që kanë premtuar”, deklaroi deputeti gjerman, që njëherësh është edhe Kryetari i komitetit të Bundestagut për Punët e Jashtme.
Roth deklaron se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është një sfidë e madhe për Kosovën por edhe për Serbinë dhe thotë se shpreson me të vërtetë që të ketë një shans që presidenti i Serbisë dhe qeveria e Kosovës të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje.
Ndër të tjera, ai u shpreh i pakënaqur me komentet që thotë se shpërfillin thelbin e kësaj marrëveshjeje… “Baza e marrëveshjes ishte propozimi gjermano-francez dhe negociatat ishin nën kujdesin e Bashkimit Evropian me të dërguarin special Lajçak dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendës President i Komisionit Evropian, Borrell”.
“Dhe kjo është arsyeja pse unë shpresoj që lidershipi i të dyja palëve do t’i mbajë premtimet e tyre”, tha Roth.
Michael Helmut Roth është një politikan gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD). Ai ka qenë deputet i Bundestagut Gjerman që nga 27 shtatori 1998 dhe që nga dhjetori 2021, kryetar i Komisionit të Bundestagut për Punët e Jashtme.
I pyetur nga “Novi Magazin” se cila është arsyeja e vizitës së tij në Serbi, ai thotë se ka të bëjë me shkëmbimin e mendimeve me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile.
“Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithmonë çështje e afërt për mua. Në takime, unë do të fokusohem gjithashtu në përgjigjen tonë të përbashkët evropiane ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Roth.
I pyetur nëse ai ishte i shqetësuar për ndikimin në rritje të politikës së ekstremit të djathtë në Evropë dhe Serbi, Roth vuri në dukje rritjen e partive nacionaliste dhe populiste, duke deklaruar se është një “prirje alarmante në të gjithë Evropën”.
“Në shumë vende të BE-së, parti të tilla kanë hyrë në parlamentet kombëtare apo edhe në qeveri. Ata janë një kërcënim për Evropën e lirë dhe demokratike. Fatkeqësisht, ne jemi dëshmitarë të një rënieje alarmante të demokracisë në Serbi gjatë dekadës së fundit. Demokracia serbe është nën presion. Unë besoj se fuqia e forcave nacionaliste është faktori kryesor në këtë zhvillim. Për një kohë të gjatë, liderët politikë serbë kanë përdorur retorikën nacionaliste për të forcuar agjendat e tyre politike. Kjo është një lojë e rrezikshme që do t’i godasë në kokë ata”, tha deputeti gjerman Roth.

Të tjera
-
Osmani uron Italinë për Ditën e Republikës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar homologun e saj italian Sergi...
-
Dreshaj-qeverisë: Kosova është amanet, për të është derdhur gjak, ju lutem kthjellohuni
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në fjalën e tij të mbajtur në Kuvend ...
-
Bombardimet ruse në Ukrainën jugore, humbin jetën dy gra
Dy gra janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm rus në rajon...
-
I përmendi me emra, Lista Srpska i reagon Kurtit: Po akuzon serbë të ndershëm
Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kry...
-
GAP: Bie numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme
Instituti GAP ka publikuar statistikat të cilat thonë se numri i nxënësve në ...
-
Borrelli pati tri kërkesa, Von Cramon e shton edhe një: Të hetohen sulmuesit e KFOR-it
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon krahas tri ...
-
Gjykimi për shpërthimin në Zhur, njëri i akuzuar mbrohet në heshtje
Në gjykimin për shpërthimin në Zhur, i akuzuari Arben Gashi ka vendosur të mb...
-
Krasniqi takohet për drekë pune me Hovenierin: Raportet Kosovë – ShBA janë të shenjta
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me ambasadorin amerikan në Ko...
-
Aksident mes një veture dhe këmbësori në Prishtinë
Një këmbësor ka marrë lëndime trupore pasi është aksidentuar nga një veturë s...
-
Ambasadorja kroate: Dialogu është e vetmja zgjidhje
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq e konsideron të pashmangs...
-
Gërvalla: Jemi mirënjohës përjetë për mbështetjen e aleatëve tanë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur në sea...
-
Ndryshohet vula në Mitrovicën e Veriut nga “Zyra Administrative” në “Republika e Kosovës”
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka vendosur për ndryshim të vulë...