Lajme

Deputetët kritikojnë kamatën për kapitalin e KEDS-it

Autori: Gazeta inFokus 20:35 | 18 September 2018

Në mbledhjen e mbajtur gjatë muajit gusht nga bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është miratuar vendimi për rritjen e humbjeve me arsyetimin se KEK-u kishte dështuar t’i ulë humbjet, prandaj ato nuk mund të barten si barrë te kompania private KEDS.

Nga viti 2018, humbjet teknike dhe vjedhjet e energjisë elektrike që do t’u faturohen qytetarëve do të jenë 18.8 për qind. Rritja e humbjeve të faturuara nga 16.9% në 18.8% ka një ndikim prej rreth 3 deri në 4 milionë euro.

Për këtë vendim u fol sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku u diskutuan edhe “Raportet Konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale” si dhe “Raporti Konsultativ për përcaktimin e Faktorit të efikasitetit” nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ku ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektro-Kosova (FSPS).

-Advertisement-

Anëtarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se është e papranueshme pranimi i humbjeve më të larta për 1,9 pikë të përqindjes për KEDS-in.

“Ulja e humbjeve me 1.9 pikë të përqindjes është komplet e papranueshme. Caku i lejuar i humbjeve prej 18.8 është e papranueshme kur pas 4 viteve ata nuk kanë me arrit dhe kanë me kërku me qenë 21 në periudhën tjetër”, ka thënë Bajrami.

Arsim Janova, u.d. kryesues i Bordit të ZRrE-së ka thënë se humbjet e lejuara do të jenë 18.9 vetëm dy vitet e para pastaj kjo do të ulet në 15.1

“18.8 do të jetë vitet e para, në 2022 do të jetë 15.1, domethënë nuk do të jetë 18.8 në pesë vitet e ardhshme por kjo kalon në lakore”, ka thënë Janova.

Më tej në këtë mbledhje të Komisionit u diskutua edhe në lidhje me koston e kapitalit të ponderuar e cila sipas propozimit të ZRrE-së do të jetë 6.5.

“Kostoja e kapitalit të aprovuar më 20 gusht është 8.3 nëse norma e borxhit është 7.2. Propozimi jonë ka qenë 6.5”, ka thënë Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRrE.

Kurse nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu ka thënë se nuk ka logjikë që kosto e kapitalit të ponderuar të jetë 6.5 për një korporatë me 560 mijë konsumatorë dhe 80 milionë euro të hyra.

“Nuk ka kuptim kështu, nëse një korporatë me 560 mijë konsumatorë e me 80 milionë euro të hyra i afrohet secilës bankë komerciale ka me ia ofru kamatën me 4.5 për qind. Dallimi është jashtëzakonisht i madh, kjo nuk ka kuptim. Nuk ka logjikë me qenë 2 për qind ma shtrenjtë”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu më tej ka theksuar se kostoja e kapitalit duhet të jetë më e vogël se ajo që është caktuar nga ZRrE-ja.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRrE ka njoftuar se gjatë periudhës së dytë rregullative 2018-2022 do të rriten investimet kapitale të lejuara për KEDS.

Sipas tij gjatë katër viteve të ardhshme KEDS-it i janë lejuar 130 milionë investime nga 158 milionë euro, sa janë kërkuar nga KEDS-i.

“Në periudhën e kaluar rregullative ZRrE-ja i ka lejuar KEDS-it 107 milionë euro, KEDS ka realizuar 100 milionë euro, 7 milionë do t’i kthehen konsumatorit me normë të interesit. Këtë vit janë kërkuar 158 milionë euro prej KEDS por i janë lejuar 130 milionë euro nga ZRrE-ja për periudhën e dytë rregullatore”, ka thënë Fejzullahu.

KALLXO.com ka raportuar edhe për frikën e punëtorëve të KEDS për largim nga puna për shkak të zvogëlimit të faktorit të efikasitetit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera