Lajme

Deputetët britanikë kërkojnë ndryshim qasje ndaj Serbisë, shkak pjesëmarrja në paradën ushtarake në Moskë

Autori: Gazeta inFokus 19:39 | 13 May 2025

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare pas pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, të organizuar nga Rusia në përvjetorin e fitores ndaj nazizmit. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje, në një kohë kur Rusia vazhdon agresionin ndaj Ukrainës, ka alarmuar edhe deputetë të Parlamentit të Britanisë së Madhe.

Deputetja britanike, Emma Lewell-Buck, ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën “X” se bashkë me 25 deputetë të tjerë kanë dërguar një letër zyrtare tek Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, duke kërkuar sanksione ndaj Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“26 parlamentarë britanikë, të udhëhequr nga Kryetarja jonë, EmmaLewell, i shkruajnë Sekretarit të Jashtëm DavidLammy duke i kërkuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të fillojë sanksione ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe bashkëpunëtorëve të tij. Mjaft më”, ka shkruar ajo në “X”.

-Advertisement-

Në letrën dërguar Sekretarit të Jashtëm britanik, theksohet se Vuçiq, përveç lidhjeve të tij me regjimin e Putinit, ka vepruar në mënyrë të qëllimshme për destabilizimin e rajonit të Ballkanit.

“Për më shumë, presidenti Vuçiq është përpjekur të destabilizojë Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe rajonin e Ballkanit më gjerësisht, duke punuar ngushtë me Rusinë e Putinit”, thuhet në letër.

Tutje, deputetët shprehen të shqetësuar se Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.

Në letrën e tyre theksohet se me pjesëmarrjen e Vuçiqit në paradën në Moskë, Serbia ka dëshmuar qartë se nuk ka asnjë interes për shkëputje nga Rusia dhe vazhdon të promovojë ide ultra-nacionaliste dhe të përhapë ideologjinë e Serbisë së Madhe, duke rrezikuar një konflikt të ri të përgjakshëm në rajon.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Oferta speciale deri në 70% dhe ekstra zbritje në dyshekët Comodita
-Advertisement-

Të tjera