Lajme

I dënuari për rastin e Badovcit, deklarohet i pafajshëm që luftoi krah ISIS-it

Autori: Gazeta inFokus 16:44 | 12 December 2017

I akuzuar se luftoi krah ISIS-it në Siri në periudhën 2013-2014, Gazmend Haliti u deklarua i pafajshëm në seancën gjyqësore kundër tij, që u mbajt të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. I njëjti, është i dënuar me 3 vjet e gjysmë burg për rastin tashmë të njohur të terrorizmit “Badovci”. Por, ai tani po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS në Siri.
Në seancën e sotme gjyqësore plani ishte që të dëgjohet dëshmitari Fitim Dema, por ai nuk u paraqit. Gjyqtari Arben Hoti dha urdhër që seancën e ardhshme Dema të sillet me polici në Gjykatë dhe të japë dëshminë e tij.

Kjo seancë ishte fillimi i shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarit Gazmend Haliti dhe aktakuza u konsiderua si e lexuar. Pala mbrojtëse dhe prokurorja speciale u pajtuan gjithashtu me këtë vendim.

Gazeta Express ka përcjellë gjykimin e sotëm ndaj Gazmend Halitit, ku të pranishëm ishin vetë i akuzuari i cili u soll me pranga në gjykatë, prokurorja e Prokurorisë Speciale dhe familjarë të të akuzuarit.

-Advertisement-

Me të filluar seanca, Prokurorja Merita Bina – Rugova tha se Prokuroria Speciale posedon prova të besueshme, të cilat vërtetojnë se i akuzuari Haliti ka kryer vepër penale të cilat i vihen në barrë.

“Kjo vërtetohet në bazë të fotografive të të akuzuarit të cilat janë bërë në Siri, në kohën kur i njëjti ka qenë duke luftuar në radhët e organizatës terroriste ISIS, si dhe në bazë të deklaratës së dëshmitarit Fitim Dema”, tha prokurorja.

Dema, ishte dashur që sot të paraqitet në seancë të japë dëshminë e tij, atë që e ka dhënë në Prokurori, por ai nuk u shfaq dhe nuk i ka dërguar as Gjykatës arsyetimin për mosardhjen e tij në seancë.

Prokurorja tha se të gjitha elementet esenciale të diapozitivit të aktakuzës dhe veprës penale, sipas saj, janë të vërtetuara me prova.

“Është vërtetuar edhe koha kur i akuzuari është nisur nga Aeroporti i Prishtinës si dhe koha e saktë kur është kthyer përsëri në Kosovë përmes pikës kufitare në Vermicë, nga territori i Shqipërisë”, tha prokurorja.

Në fund të fjalës së saj prokurorja Bina – Rugova, i propozoi gjykatës që të vazhdohet me administrimin e provave dhe në fund të shqyrtimit kryesor i akuzuari Gazmend Haliti të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.

Vetë i akuzuari, i cili u soll me pranga në gjykatë, u deklarua i pafajshëm, madje “plotësisht i pafajshëm”.

Kurse, ana mbrojtëse e tij, tha se prokuroria Speciale nuk do të arrijë të argumentojë “tezën e kësaj aktakuze ngase me provat e propozuara nuk do të argumentohet se Gazmend Haliti të ketë marrë pjesë në ndonjë grup apo organizatë terroriste”.

Ai tha se periudha për të cilën akuzohet Haliti se ka qenë në Siri dhe ka luftuar krah ISIS-it, periudha gusht 2013 deri në shkurt të 2014-ës, ISIS-i nuk ka qenë fare i themeluar. Sipas avokatit të Halitit, tha se prokuroria s’ka asnjë provë dhe as dokument që e argumenton një gjë të tillë, shkruan Gazeta Express.

“Periudha nga gushti i vitit 2013 deri në shkurt të 2014-ës, për të cilën prokuroria e pandeh Gazmend Halitin se kinse ka marrë pjesë aktivisht si pjesëtar i ISIS-it, kjo organizatë në këtë periudhë kohore fare nuk ka qenë e themeluar e as që ka ekzistuar si e tillë. Aq më tepër, Prokuroria nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë se i njëjti i ka përkitur kësaj organizate.

Krejt në fund të fjalës së tij, avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata që Gazmend Haliti të shpallet i pafajshëm.

Por, pasi që dëshmitari Fitim Dema nuk u paraqit për të dhënë dëshminë e tij, gjyqtari i rastit Arben Hoti tha se seanca nuk mund të procedohet tutje, kështu duke caktuar seancën e radhës për ta dëgjuar këtë dëshmitar më 22 janar të 2018-ës.

Gjithashtu, gjyqtari lëshoi edhe urdhër për sjellje të Fitim Demës në Gjykatë për seancës e radhës.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Halitit në nëntor të 2016-ës dhe e ngarkoi atë me vepër penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Por, kjo nuk është e vetmja akuzë për terrorizëm ndaj Gazmend Halitit. Ai u shpall fajtor këtë vit për rastin “Badovci” me 3 vjet e gjysmë burg.

Sipas aktakuzës për rastin “Badovci”, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Për të gjithë të akuzuarit e rastit “Badovci” Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar dënimin e dhënë, gjithsej 11 vjet burg.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera