Lajme

I dënuari për aktivitete kriminale bëhet gjyqtar në Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 19:27 | 19 May 2018

71 deputetë të Kuvendit të Kosovës të premten i dhanë votën për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese një personi të dënuar nga gjykata. Nga dy gjyqtarët e vetëm të cilët morën votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, njëri është Radomir Laban nga komuniteti serb, i cili po del se ka një të kaluar kriminale, raporton KTV.

Radomir Laban pretendohet se ishte dënuar qysh në vitin 2012 nga Gjykata Themelore në Beograd si pjesë e një grupi kriminal, i cili kishte kontrabanduar tekstil, teknikë të bardhë, cigare, alkool etj.

Grupi i quajtur “Carinska Mafija”, i përbërë nga 17 persona, sipas medieve serbe, ishte arrestuar në vitin 2006.

-Advertisement-

Mirëpo, Komisioni i cili i përzgjodhi emrat e propozuar dhe procedoi emrin e Radomir Labanit për në Kuvend, po del nuk ka pasur fare informacion për të kaluarën e tij.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ishte pjesë e komisionit, thotë se shumë vonë u informua për të kaluarën e Labanit. Por, tentativat e saj dhe thirrjet që të mos votohej ky emër, nuk patën sukses.

KTV’ja ka tentuar të kontaktojë edhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit të cilët dërguan për votim emrin e Radomir Labanit si propozim për të qenë pjesë e Kuvendit, por asnjëri prej tyre nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Pjesë e këtij Komisioni ishte Nehat Idrizi nga KGJK-ja, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, ndërsa nga partitë politike Armend Zemaj nga LDK’ja, Bilall Sherifi nga Nisma, Ahmet Isufi nga AAK-ja dhe Safete Hadërgjonaj, e cila zëvendësonte kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, Haxhiu thotë se partitë e koalicioni ishin marrë vesh që të votohej emri i Radomir Labanit.

Veton Elshani nga zyra për bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të Policisë së Kosovës përmes telefonit, ka thënë se nuk mund të konfirmojë nëse Radomir Labani është i kërkuar përmes Interpolit, për më tepër, Elshani ka thënë se Policisë së Kosovës nuk i takon të deklarohet për një person i cili është i kërkuar nga një shtet tjetër.

E informata për këtë rast nuk ka mundur të japë as kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Sevdije Morina. Morina ka thënë se nuk e ka asnjë informatë për Radomir Labanin dhe se kjo mbetet të verifikohet gjatë ditëve të vazhdim.

KTV;ja ka tentuar të vërë kontakt edhe me Radomir Labanin, por kjo ka qenë e pamundur.

Në fotot të cilat qarkullojnë në internet, Radomir Laban shihet i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese Ivan Cukalloviq, i cili gjithashtu ishte pjesë e komisionit ku u përzgjodh emri i Radomir Labanit.

Kuvendi i Kosovës të premten në votimin e parë arriti të përzgjidhte dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa rundi i dytë i votimit dështoi, pasi që asnjëri prej emrave të propozuar shqiptarë nuk mori vota të mjaftueshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera