Lajme

Dënohet me burg personi që e rrahu për vdekje një 21 vjeçar në Pejë

Autori: Gazeta inFokus 09:32 | 10 March 2018

Gjykata në Pejë shpalli fajtor Isuf Abazajn për pjesëmarrje në rrahje që përfundoi me vrasjen e Ibrahim Nezirajt.

Abazaj u dënua me dy vjet burg.

“Gjykata konform dispozitave ligjore gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej dy viteve duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga data 22/02/2017 e tutje në vazhdim deri në përfundim të dënimit të përcaktuar pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi. Të akuzuarit Isuf Abazajt i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi për shkak të rrezikut të ikjes nga se i njëjtit është shtetas suedez”, shpalli aktgjykimin trupi gjykues.

-Advertisement-

Për vrasjen e Nezirajt akuzohej Hamza Abazaj, djali i Isuf Abazajt, por ai vdiq gjatë kohës sa po mbahej në paraburgim dhe ndaj tij pushoi procedura penale.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Hamza Abazaj akuzohej për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, përderisa Isuf Abazaj ngarkohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamza Abazaj më 24 shkurt 2017 rreth orës 12:00 në Pejë me dashje privoi nga jeta të ndjerin Ibrahim Neziraj dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit Bleard Neziraj.

Prokurorja Sahide Gashi gjatë fjalës përfundimtare ishte tërhequr nga akuza ndaj Isuf Abazajt për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, por kërkoi dënim maksimal për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Gëzim Kollçaku, avokati i Isuf Abazajt, tërheqjen e prokurores nga njëra prej akuzave e vlerësoi të drejtë, ndërsa kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza dhe nga paraburgimi./Kallxo.com

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera