Dënohen me 29 vjet burgim të akuzuarit për vrasjen e 2021-ës në Mitrovicë
Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 30 September 2023
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Leutrim Selimit, duke e dënuar me dënim unik prej 21 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e M.K., në shkurt të vitit 2021 në Mitrovicë, ndërsa Bejtë Hasani u dënua me dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve është shpallur më 8 shtator 2023 nga kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të akuzuarit Selimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”, iu shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 21 vitesh burgim. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me 1 vit burgim.
Ndaj Selimit, gjykata shpalli dënim unik prej 21 vjet e 6 muaj burgim, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 19 shtatori 2021, e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Kurse, i akuzuari Bejtë Hasani për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentative”, u dënua me 7 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej 7 vjet e 6 muaj burgim, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 1 marsi 2021, e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës gjyqësore, secili veç e veç, shumën prej 270 euro.
Në vendim thuhet se janë konfiskuar armët, me të cilat janë kryer veprat penale dhe të njëjtat është urdhëruar që të shkatërrohen.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se është vërtetuar përtej çdo dyshimi se i akuzuari Leutrim kishte ndërmarrë veprimin e tij në drejtim të kryerjes së veprës penale, ashtu që, me armë kishte shtënë 6 herë në drejtim të grupit të Mentor Beqirit, ku një predhë e godet të dëmtuarin Bejtë Hasani, ndërsa një predhë tjetër e godet tani të ndjerin M.K. në pjesën e përparme të krahut të djathë, e që si rezultat i tyre Hasani pëson lëndime të rënda trupore, ndërsa i ndjeri M. humb jetën.
Tutje në aktgjykim thuhet se i akuzuari Selimi kishte qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe se e kishte dëshiruar vrasjen e të ndjerit.
Në vendim, Gjykata vlerëson se nuk ishte kontestues fakti se disa punëtorë kishin kaluar nga “Proper Pizza” në picerinë “Maestro”, e që si rezultat i kësaj, mes këtyre dy bizneseve, respektivisht pronarëve të tyre, lind një lloj mosmarrëveshje apo keqkuptimi.
Po ashtu, thuhet se i akuzuari Leutrim bashkë me vëllanë dhe dajën e tyre kishin shkuar në lokalin “Proper” për ta zgjidhur mosmarrëveshjen.
Aty thuhet se nuk ishte kontestuese se aty ishin takuar me Albertin, me të cilin ishin ulur në lokal dhe kishin biseduar, derisa në bisedë e sipër, Beli kërkon nga Leutrimi që të dalë jashtë, derisa biseda vazhdon me Valmirin.
Në arsyetimin e vendimit, tutje thuhet se nuk ishte kontestuese se jashtë lokalit “Proper”, përveç Leutrimit kishte edhe gjashtë persona tjerë me të cilët Leutrimi ishte duke qëndruar dhe pirë cigare, në momentin kritik. Kjo thuhet se vërtetohet nga video-incizimet e vendit të ngjarjes.
“I pakontestueshëm është edhe fakti se Leutrimi e nxjerr revolen dhe shtënë, fillimisht në drejtim të Behar Halilit, e në largim e sipër edhe ndaj personave tjerë, respektivisht ndaj të ndjerit, M.K., të cilin e godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit, e si rezultat i kësaj edhe vdes. Derisa Leutrimi ishte duke shtënë, atij i bashkëngjitet edhe i akuzuari Bejtë Hasani, i cili nxjerr revolen dhe shtënë tre herë”, thuhet në vendim.
Sipas aktgjykimit, gjykata ka vërtetuar se i akuzuari Selimi kishte ndërmarrë veprimet e tij në drejtim të kryerjes së veprës penale.
Në aktgjykim, thuhet se i akuzuari Leutrim Selimi në mbrojtjen e tij nuk i mohon faktet kryesore që e përbëjnë këtë ngjarje, por pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje apo mbrojtje të nevojshme.
Por, gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret ka munguar elementi esencial i mbrojtjes së nevojshme, pra ka munguar sulmi nga ana e viktimës.
Aty thuhet se video-incizimet tregojnë se viktima nuk e ka sulmuar të pandehurin, nuk ka poseduar armë, send të rrezikshëm apo mjet të përshtatshëm për sulm, distanca në momentet kritike mes të pandehurit dhe viktimës ka qenë 2-3 metra, viktim në momentin kur qëllohet, i ka duart në xhepa dhe ishte duke u larguar mbrapa.
Në mungesë të këtyre elementeve, thuhet se përjashtohet pretendimi se veprimet ishin në mbrojtje të nevojshme, si rrethanë që e përjashton kundërligjshmërinë.
Kurse për veprën vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, për të akuzuarin Hasani, thuhet se ai ishte i vetëdijshëm se sulmi me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, mund të shkaktonte pasoja që mund të ishin fatale.
Kurse, lidhur me të akuzuarin Bejtë Hasani, aktgjykimi thotë se për gjykatën nuk është kontestues fakti se i akuzuari Bejtë natën kritike kishte qenë i pranishëm te objekti i “Properit”, bashkë me personat e tjerë.
Gjithashtu, për gjykatën nuk është kontestues as fakti se i akuzuari natën kritike kishte shtënë tre herë në drejtim të personave nga grupi i Mentor Beqirit.
Gjithnjë sipas aktgjykimit, i akuzuari Hasani ishte i vetëdijshme se veprimet e tij, pra sulmi me armë të zjarrit në drejtim të të dëmtuarit mund të shkaktonte pasoja të paparashikueshme të cilat mund të ishin fatale për jetën e të dëmtuarit, mirëpo edhe përkundër kësaj i pandehuri e dëshironte vrasjen e të dëmtuarit e cila ka mbetur në tentativë.
Po ashtu, gjykata vlerëon se janë përmbushur elementet e përgjithshme dhe të veçanta të veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe se i akuzuari Bejtë Hasani kishte vepruar me dashje direkte.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.
Ndërsa, Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.
Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.
Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.
Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.
Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.
Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.
Me këtë, akuzohek se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.
Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.
Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.
Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.
Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.
Të tjera
-
Sullivan: Trump ka vërtetë mundësi që ta negociojë marrëveshjen bërthamore me Iranin pas rënies së Assadit në Siri
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan sugjeroi se ekzist...
-
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Një akt ekstrem censure, e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Sali Berish...
-
Lorik Cana zgjedh dy politikanët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave
Lorik Cana, kapiteni ikonik i kombëtares shqiptare të futbollit i ka zgjedhur...
-
Haziri: Kurti ka refuzuar formatin e dialogimit me BE e SHBA, s’i përputhet mendësia politike me atë që kërkon Edi Rama
Nënkryetari i LDK-së dhe një prej figurave politike që ka qenë pjesë e proces...
-
Gjoshi, PDK: Të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj e jo njëherë në vit
Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi ka thënë se të mo...
-
“100 euro fëmijës së prindit në rast social, 100 euro djalit të ministrit”: Miftaraj kërkon qeveri normale
Pas vendimit për shpërndarjen nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët – që ...
-
Shtesa 100 euro e qeverisë Kurti, PDK e qartë: Përpjekje për të mbuluar dështimin katërvjeçar
Partia Demokratike e Kosovës, po e cilëson të pamjaftueshme, ndarjen prej 100...
-
Pritje mbi 1 orë për të hyrë në Kosovë
Bashkatdhetarët vazhdojnë të vijnë në numër të madh në Kosovë, duke shkaktuar...
-
Shtesat e Kurtit, Muharremi: Korrupsion i pastër elektoral, 100 EURO Vota
Njohësi i integrimeve eveopiane, Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryemi...
-
Murati: Ata që paguhen nën 350 euro të raportojnë në ATK apo në Inspektratin e Punës, do të marrim masa
Ministri i Financave, Hekuran Murati u bëri thirrje punëtorëve që paguhen nën...
-
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt rastësisht, gjatë kontrollit rutinor
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka t...
-
Bajrami: Shpërndarja e buxhetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik
Deputetja nga rradhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka deklaruar se shpërndarja e...